"Nevojë për lidership të fortë të Gjermanisë"

Intervista

"Nevojë për lidership të fortë të Gjermanisë"

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 11:16
Ian Bremmer

Deutsche Welle: Cilat janë pritshmëritë nga Konferenca e Sigurisë në Mynih?

Ian Bremmer: Pres që të kemi shumë shqetësime, por dhe shumë kujdes. Njerëzit duan të dinë, se si do të jetë politika e jashtme amerikane. Sigurisht ka një botëkuptim pas fjalisë "America first", por sa i aftë është Trump ta bëjë këtë realitet? Sa do të dëgjojë ai zëra të moderuar nga ekipi i tij si Rex Tillerson apo gjenerali James Mattis?

Ka ndryshime në rendin botëror aktualisht. Ju organizoni Forumin për Të Ardhmen e Perëndimit. Si mendoni çfarë do të sjellë e ardhmja?

Duket qartë që po përjetojmë një lloj rënieje. Pyetja që shtrohet është, nëse gjërat do të stabilizohen në këtë pikë. Duket shumë e vështirë të flasësh për perëndimin, kur BE thotë: "Na lejoni të mbajmë një samit me Kinën, sepse duam të mënjanojmë proteksionizmin dhe të mbajmë tregjet e lira." Kinezët nuk janë partneri i natyrshëm për këtë, por me sa duket janë bërë në kontekstin e "America First" të qeverisë Trump.

"Liberalizmi vështirë të nxitet"

Perëndimi nuk është shumë i bashkuar, nuk ka një fuqi drejtuese të qartë, dhe kjo me siguri do të thotë, se liberalizmi dhe rendi liberal jo vetëm është vështirë të nxiten, por nën Trump as nuk do të mbështeten aktivisht, si në fushën e tregtisë së lirë dhe ashtu edhe atë të vlerave."

Flitet shumë për Gjermaninë si liderja e re e botës së lirë. Një rrezik i madh, që ju shihni për vitin 2017 është dobësimi i Angela Merkelit. Pse mendoni kështu?

Tani kemi situatën. Ose një Merkel që rizgjidhet kancelare me një mandat të vështirë, si brenda vendit, brenda koalicionit, por edhe brenda Europës. Ose Merkeli nuk është më kancelare. Nga viti 2008 me shpërthimin e krizës financiare, kemi pasur besimin, se Gjermania mban përgjegjësi, që ka pasur përgjigje për krizat dhe aftësi këmbëngulëse.

Të mos harrojmë drejt Europës po drejtohen kriza të reja: Mendoni për pasigurinë gjeopolitike në botë, nisur nga Lindja e Afërt, Rusia dhe marrëdhëniet e paqarta me SHBA. Të gjitha këto janë si thikë në kurriz të kontinentit europian. Prandaj nevoja për një lidership të fortë gjerman që pas kohës së pasluftës nuk ka qenë kurrë më e madhe sa sot. Edhe për gjermanët sfida për t'iu përgjigjur kësaj bëhet edhe më e madhe.

Ju keni thënë se Gjermania dhe SHBA nga fillimi i periudhës së pasluftës nuk kanë pasur kurrë kaq pak ujdi. Nuk është e vështirë për Merkelin në këtë situatë të tregojë lidershipin, për të cilin ju bëni fjalë?

Sigurisht kjo prek marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Tani shtrohet pyetja, në cilën masë Gjermania ia shtrin dorën edhe vendeve të tjera, Kinës për shembull. Në takimin në Davos këtë vit apo në takimin e APEC-ut në Lima, presidenti kinez, Xi Jinping ka mbajtur fjalime që priteshin në fakt nga presidentët amerikanë më parë. Besoj se nga pala gjermane do të ketë shumë më tepër përpjekje për të bashkëpunuar me kinezët për të ruajtur stabilitetin.

"Një situatë politike me rreziqe"

Mendoni për shembull për ndryshimin e klimës. Apo për paqen në Lindjen e Afërt. Do të jetë e vështirë për Gjermaninë të punojë me këtu amerikanët dhe rusët. Por kinezët, të cilët marrin më shumë energji nga Lindja e Afërt se kushdo tjetër, kanë interes. Problemi është që Gjermania dhe Kina si në politikën e brendshme edhe në resurset diplomatike apo ushtarake janë të kufizuara. Vetëm në frontin ekonomik si Gjermania edhe Kina janë në gjendje të tregojnë peshën e duhur.

Ju jeni ekspert për rreziqet politike. Në kohë të tilla sa e vështirë është të hedhësh sytë tek rreziqet?

Ky është fillimi i një recesioni gjeopolitik. Çështja që shtrohet është se këtu  bëhet fjalë për cikle afatgjata. Por mund të them se kjo është situata politike më me rreziqe që nga fillimi i karrierës sime në vitet 90-të. Por kemi avantazhe dhe disavantazhe. Dhe aty ku ka paqëndrueshmëri, ka edhe shanse, të mos e harrojmë këtë.

Politologu amerikan Ian Bremmer është i specializuar për rreziqet globale politike dhe është iniciator i Indeksit Global për Rreziqet Politike (GPRI) në Wall Street.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat