Flet Milaim Zeka: Ja lista e të akuzuarve të Speciales, këta persona e dinë kush e vrau Ahmet Krasniqin

Intervista

Flet Milaim Zeka: Ja lista e të akuzuarve të Speciales, këta persona e dinë kush e vrau Ahmet Krasniqin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 shkurt 2017 Në ora: 07:26
Milaim Zeka

“E kam një listë dhe atë e kam publikuar dhe në bazë të asaj liste njerëz të mundshëm që do të akuzohen nga Gjykata speciale janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, Agim Çeku, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Shaip Muja, e të tjerë”, ka thënë Zeka.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, gazetari, Milaim Zeka, ka folur rreth situatës aktuale politike. Më tej ai është ndalur tek arrestimi i liderit të AAK –së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, avokatët   e tij,  partia e tij, AAK-ja si dhe partitë e tjera pozitë, opozitë kanë manipuluar me rastin e tij, duke e shfrytëzuar,  vetëm për marketing politik. Më tej Zeka, ka treguar se është kërcënuar nga AKI –ja dhe ndër të tjera ka ripërmendur emrat e politikanëve që pritet të kalojnë në Gjykatën Speciale.

Bota sot: Na trego fillimisht si e vlerëson gjendjen politike aktuale në Kosovë?

Milaim Zeka: Gjendja aktuale politike mendoj, që çdo qytetar normal e di, që është një gjendje kaotike dhe Kosova është në anarki totale, d.m.th, kurrë prej lufte e këndej nuk ka pasur Qeveri më të dobët, për shkak se koalicioni në mes të LDK dhe PDK është një koalicion i dhunshëm dhe koalicion që njëri tjetrin e kanë akuzuar për vrasje dhe nuk mund të bësh asnjëherë koalicion të drejt me dikë që ti mendon që ka vrarë dhe ka qenë vrasësi yt.

Bota sot: Po sa i përket gazetarisë së sotme?

Milaim Zeka: 90 për qind është gazetari spekulative, nuk është gazetari faktike dhe që dominon gazetaria e thashethemeve, e kafeve dhe tjetra është gazetaria e paguar, varësisht se kush të paguan dhe për çfarë, ashtu edhe shkruan.

Bota sot: Me çka lidhet arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë?

Miliaim Zeka: Nuk është Gjykata Speciale prapa arrestimit të Ramush Haradinajt dhe këtë po e them në bazë të fakteve që i kam. Arrestimi i tij lidhet me akuza të reja që i ka bërë Serbia ndaj Ramushit, ai akuzohet gjoja për vrasjen e një fëmijë 2 javësh dhe përdhunime. Krejt kjo është një skenar për të eliminuar atë nga politika, ka qenë skenar që nga fillimi. Unë kam qenë gazetari i parë që pasi ndalohet ai në Francë, kam thënë se ai do të mbahet disa muaj në Francë. Gazetarët ndahen në tri grupe, në gazetarë që kanë shumë informacion, që janë gazetarët më të mirë, që në Kosovë numërohen në gishta, gazetarët spekulativ që shkruajnë çka dëgjojnë në rrugë apo kafe dhe grupi i tretë janë gazetarët e paguar, që shkruajnë kush çka i paguan. Prej fillimit e deri në mbarim opinioni është traumatizuar, është shqetësuar dhe  dezinformuar me rastin e Ramush Haradinajt duke thënë se është Gjykata Speciale, e deri avokatët kanë manipuluar, ka manipuluar partia e tij AAK-ja, qeveria, partitë në pozitë dhe opozitë, duke e shfrytëzuar rastin e tij vetëm për marketing politik.

Bota sot: Sa janë gjasat sipas jush që të ekstradohet në Serbi?

Milaim Zeka: Nuk ka gjasa që të ekstradohet në Serbi sepse fjalën përfundimtare e ka gjykata në Francë.

Bota sot: Lladrovci iu akuzon, se keni qenë spiun i UDB-së, spiun në KFOR e EULEX. Cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këto akuza?

Milaim Zeka: Nuk i quaj akuza të Ramiz Lladrovcit, por janë akuza të ardhura direkt nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për shkak të asaj që unë gjatë viteve të fundit me shumë dëshmi e kam dëshmuar para opinionit se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa janë përgjegjësit kryesor për krimin e një shteti mafioz të Kosovës.

Bota sot: Keni thënë, se jeni kërcënuar nga PDK, pas fushatës së zgjedhjeve komunale në Drenas dhe se keni paditur Ramiz Lladrovcin. Çfarë ka ndodhur tutje me këtë rast?

Milaim Zeka: Kërcënimet më kanë ardhur nga AKI, ndërsa kam ngritur padi ndaj Ramiz Lladrovcit, i cili para gjyqit vetëm duhet të tregojë se kush ia ka dhënë ato informacione. Rasti është në Gjykatë dhe AKI,  është hera e parë në histori të njerëzimit që një shërbim sekret i një shteti e akuzon një gazetar. AKI-ja,  më ka paditur mua në gjyq, duke kërkuar dëmshpërblim për paratë që i kanë vjedhur në buxhetin e Kosovës.

Bota sot: Si e komenton fitoren e Lladrovcit në Drenas dhe çfarë pret nga qeverisja e tij?

Milaim Zeka: Kam menduar që në fillim se ai nuk është kandidat serioz, megjithatë qytetarët e kanë votuar dhe të shohim pasi ai 1 vit do të jetë.

Bota sot: Keni thënë se keni parë listën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale dhe poashtu keni përmendur emra. Kush janë të përfshirë më konkretisht?

Milaim Zeka: E kam një listë dhe atë e kam publikuar dhe në bazë të asaj liste njerëz të mundshëm që do të akuzohen nga Gjykata speciale janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, Agim Çeku, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Shaip Muja, e të tjerë.

Bota sot: A keni informacione, se kur do të fillojnë aktakuzat e para nga Specialja?

Milaim Zeka: Nuk merrem me spekulime por vetëm e di se aktakuzat e para do të fillojnë këtë vit, janë disa procedura, megjithatë opinioni brenda dhe jashtë shqiptarëve duhet ta shohin gjykatën speciale si një gjykatë vendore, si gjykatë pozitive, si një gjykatë që do të vëjë themelet, bazamentin e krijimit të shtetit demokratik.

Bota sot: Do të thotë nuk e destabilizon Kosovën?

Milaim Zeka: Në asnjë mënyrë nuk e destabilizon Kosovën. Pse të destabilizohet? Kosova nuk është destabilizuar kur forca të EULEX-it, kanë hyrë, më kanë bastisur. Të garantoj me jetë, pa modesti,  po e them që në popull më shumë gëzoj unë autoritet 2 milionë herë, se ata që janë në listë të gjykatës Speciale. Duhet të stabilizohet Kosova.

Bota sot:  Si i komentoni deklaratat e Imer Imerit në lidhje me vrasësit e vëllait të tij Hakiut?  Më herët ai kishte deklaruar se ishte Presidenti Hashim Thaçi, ai që kishte gisht në vrasjen e Hakiut, por,  më pas i tërhoqi këto fjalë për shkak të besëS së Thaçit. A mendon,  se e ka bindur vetëm me këtë që i ka thënë se do t’i bëjë be apo në ndonjë mënyrë tjetër?

Milaim Zeka: Nuk dua të komentoj atë, sepse janë punë interne në mes atyre. Por duhet të themi diçka, si qytetar, si gazetar, si njohës i mirë i rrethanave politike brenda dhe jashtë. Nuk ka më gjynah për ty dhe për brezin tënd se sa të jetosh në një shtet kur Presidenti thirret në kanun, ndërsa kryeministri Isa Mustafa i numëron muaj edhe sa muaj do të vdes. Do të thotë është aq i lodhur, aq i rraskapitur, ka probleme me shëndetin e vet, me sëmundje, me zemër dhe prandaj thash në fillim se jemi në anarki totale.

Bota sot: Sa është e duhur bërja ‘be’,  nga një President në ditët e sotme, kur ka ligje dhe drejtësi?

Milaim Zeka: Nuk ka më turp, se të thirret Presidenti në kanun. Kurrë nuk jam thirrur në kanun dhe as që më intereson se çfarë thonë shqiptarët për mua, më intereson se çfarë thotë dhe çfarë di prokurori për mua dhe kaq.

Bota sot: Keni qenë i akuzuar për vrasjen e Ahmet Krasniqit, madje edhe mbesa e tij ju ka akuzuar publikisht për vrasjen e tij...

Milaim Zeka: Fillimisht po kaloj tek mbesa e Ahmet Krasniqit që jeton në Suedi. Unë veçse, kam biseduar me avokat për të bërë një padi ndaj saj dhe do e bëj. E dyta është identike sikur unë ta akuzoj, atë se ajo merret me prostitucion, shitet më parë.  Vëllai i Ahmet Krasniqit,  ka qenë i burgosur politik dhe ka qenë në një qeli me dhëndërin tim, Fatmir Krasniqin. Një njeri i mrekullueshëm, dhe unë di diçka që nëse dikush ka pasur një qëllim si kristal për ta bashkuar FARK-un dhe krahun e UÇK-së, ka qenë Ahmet Krasniqi. Të gjithë e dinë, edhe gazeta juaj se me kënd ma ka përzier emrin Millosheviçi në Hagë. Millosheviçi, i vetmi njeri, domethënë, nuk ka dëshmi tjetër që ka thënë se Milaim Zeka e ka vrarë në Tiranë Ahmet Krasniqin me urdhër të Rexhep Selimit dhe Sylejman Selimit. Mbesa e tij pastaj u dredhua lajmi, prej vrasjes, kinse unë paskam marrë pjesë në Malmo të Suedisë në një mbrëmje ku është bërë festë pse është vrarë Ahmet Krasniqi. Le ta nxjerrë vetëm një argument që unë kam qenë diku ku është bërë festë për vrasjen e Ahmetit ose kam thënë një llaf, unë kurrë më nuk merrem me veprimtari publike. Dhe kjo ka qenë dhimbje ime në opinion. Dhe jam shumë i lumtur që Gjykata Speciale e kanë prioritet lëndën e Ahmet Krasniqit, e kanë në zbardhje 99 përqind rastin e Ahmet Krasniqit dhe kurrë nuk jam shqetësuar për këto akuza. Sikur t’i kisha thënë dikujt, unë ja keni bërë mirë Ahmet Krasniqit që e keni vrarë, unë kisha dalë në opinion dhe kisha thënë, po jam i përfshirë në vrasjen e tij, e kam vrarë, për këtë për këtë...kurrë në jetë nuk kisha jetuar me vrasje.  Këto janë shpifje të shërbimit sekret serb, shpifje të ish shokëve të mi, për ta mbuluar veten dhe janë shpikje të Mero Baze, një gazetari i cili ka qenë i paguar drejtpërdrejt nga Bujar Bukoshi.

Bota sot: Kush, sipas jush e ka vrarë Ahmet Krasniqin? 

Milaim Zeka: Sikur të kisha informacione, jam njeriu i parë që do ta kisha publikuar, por e di vetëm një gjë qind për qind të vërtetë Bujar Bukoshi, Sali Berisha, Fatos Nano dhe Fatos Klosi e dinë kush e ka vrarë Ahmet Krasniqin.

Bota sot: A do të veproje si presidenti Thaçi për ta dëshmuar se nuk je fajtorë?

Milaim Zeka: Kurrë. Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit për mua. Unë rri me familjarë të Ahmet Krasniqit dhe kam respektin më të madh për vëllain e Ahmet Krasniqit. Nuk jam njeri që do të jetoja me vrasje mbi kurrizin tim. Nuk do të jetoja kurrë në jetë sikur ta dija se dikujt i kam bërë keqe, edhe sikur një fjalë të keqe t’i thoja dikujt do t’i kërkoja falje, e lëre më të merrem me gjëra të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat