A do ta rimarrë LDK-ja Prishtinën? Flet Mustafa

Intervista

A do ta rimarrë LDK-ja Prishtinën? Flet Mustafa

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 mars 2017 Në ora: 12:35
Kryetari i Komisionit Ekonomik, Muhamet Mustafa

Kreu i Komisionit Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, është ndalur tek funksionimi i koalicionit LDK –PDK, në Qeveri. Sipas të njëjtit është normale që opozita të ketë strategjinë e saj, për të ardhur në pushtet, por pa anashkaluar metodat demokratike. I pyetur për liberalizimin e vizave, Mustafa ka përmendur, njërin prej kushteve të vëna, siç është Demarkacioni. Sipas tij, evitimi i kriteri të kadastrit në demarkim është jashtë bazës ligjore dhe në rastin tonë i pamundshëm, pasi ky kriter ka qenë bazik në delimitimet dhe demarkimin e kufijve midis gjithë entiteve të ish Federatës Jugosllave, si rrjedhojë i Planit të Badinterit e në rastin tonë edhe të planit të Ahtissarit, e rrejdhimisht edhe prej Kushtetutës.  

Bota Sot: Z. Mustafa, ju po konsideroheni si zëri më i arsyeshëm kohëve të fundit në LDK. Mendoni se çdo veprim që është duke e ndërmarrë Qeveria është i mirë dhe i duhur?

Muhamet Mustafa: Qeveria e koalicionit LDK – PDK, prej ditëve të para është përballur me një luftë të ashpër dhe herë herë të dhunshme të opozitës kundër saj, luftë me çdo kusht. Duke marrë parasysh këtë mjedis do të vlerësoja pozitivisht reformat ekonomike, duke përfshirë edhe ato fiskale, përmirësimet në mjdisin biznesor, zgjedhjet ligjore lidhur me Investimet Strategjike dhe Ligji për Trepçën. Nxitjet fiskale me pakon 1.0, kanë lënë në disponim të biznesve rreth 50 milion Euro më shumë pëmes favoreve për investitore e prodhues, me pakon Fiskale 2.0, që aprovohet këto ditë kjo do të fuqizohet. Në të njëjten kohë është përmirësuar rritja ekonomike dhe është rritur buxheti dhe ruajtur stabiliteti makroekonomik. Pra, këto janë masa politike në drejtimin e duhur. 

Bota Sot: Përpos dëshirës për të ardhur në pushtet, e cila është, po themi dëshira tjetër e opozitës, e cila po del kundër të gjitha proceseve, të cilat duhet t’i përmbyllë Qeveria?

Muhamet Mustafa: Natyrisht, opozita ka strategjinë e vet që ta vërë në siklet pushtetin dhe kjo të shumtën do të duhej të ishte  e shëndetshme për demokracinë. Por, kur kundërshtimi, shpesh siç e  thash më lartë, edhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit e  Ligjet dhe kur merr  përmasa të dhunës e kjo  tentohet  të legalizohet e të bëhet diçka normale. Kjo  del përtej luftës parlamentare, betejës politike dhe konisderoj se  është e dëmshme për stabilitetin e vendit, zhvillimet demokratike në të dhe në instancën e fundit  edhe për vetë opozitën. Lufta  e antagonizuar politike, partiake , për pushtet, ka ngushtuar hapësirën për të krijuar një konsensus bazik për çështje me rëndësi prioritare për interesat e vendit dhe këtu mban përgjegjësinë e vet dhe pozita. Tek ne në vend të konsensusit i është lëshuar vendi luftës primitive politike për pushtet. Kjo është e dëmshme dhe joproduktive sidomos kur kemi të bëjmë me tema që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë, ose forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe orientimin euroatlantik, mjedisit biznesor, imazhit të vendit dhe mjedisit investues.

Bota Sot: Z. Mustafa a do ta marrë sivjet Kosova liberalizimin e vizave. Kryeministri Mustafa e ka akuzuar opozitën, e cila, sipas tij, po ua mohon këtë të drejtë qytetarëve?

Muhamet Mustafa: Situata me vizat vërtetë rrodhi keq dhe nga e gjithë kjo qytetarve të Kosovës po u bëhet e padrejtë edhe nga BE. Tash ka mbetur në esencë vetëm çështja e demarkacionit. Diskutimi i kësaj çështjeje ka dalë jashtë suazave  të një diskutimi racional dhe të përgjegjshëm.  Për mua diskutimi, se duhet të evitohet kriteri i kadastrit në demarkim është jashtë bazës ligjore dhe në rastin tonë i pamundshëm. Ky kriter ka qenë bazikë në delimitimet  dhe demarkimin e kufijve midis gjithë entiteve të ish Federatës Jugosllave, si rrjedhojë i Planit të Badinterit e në rastin tonë edhe të planit të Ahtissarit, e rrejdhimisht edhe prej Kushtetutës. Ndaj diskutimi mund të bëhet, nëse ky kriter është zbatuar  në mënyrë korrekte dhe nëse ka argumente, se janë bërë lëshime të kësaj natyre, ose nëse duhen  korrigjime mbi këtë bazë e që do të ishte  legjitime. Por nuk kemi pas propozime dhe argumete te tilla. Në vend të kësaj në kemi dëgjuar një retorikë gjithpërfshirëse teorike, e cila nuk është e aplikueshme në kontekstin e Kosovës dhe marrëveshjes ndërkombëtare rreth shtetësisë së saj, pra një retorikë e huqur dhe instrumentalizuar për luftë politike.   

Bota sot: Nëse e zëmë se do të kalojnë Demarkacioni dhe Asociacioni, a do ketë kushte të tjera nga BE-ja për liberalizim të vizave?

Muhamet Mustafa: Sa di unë Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë dhe, sipas deklaratave te fundit, kusht. Demarkacioni është kushti i vetëm. Por, Demarkacioni në mos më shumë është i rëndësishëm edhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe partneritetit euro-atlantik. 

Bota Sot: Kohëve të fundit Ministria e Financave është duke e proklamuar pakon e dytë fiskale 2.0. Mendoni se i plotëson kërkesat e bizneseve kjo pako?

Muhamet Mustafa: Kjo pako është thellim i masave të marra vjet dhe e gjithë kjo po pritet me reaksione pozitive nga bizneset. Me këto pako për herë të parë Qeveria ka marrë masa shumë të dobishme për investime dhe biznese  prodhuese  (lirimi nga dogana i pajisjeve dhe lëndëve të para dhe evitimi i pagesës së TVSH në kufi) të shoqëruara me një sërë masash komplementare. Këto masa janë vonuar ndoshta 15 vite, po mirë bëri që kjo Qeveri i futi në përdorim. Natyrisht, që nuk përfundon gjithçka këtu dhe edhe në të ardhmen do të nevojiten përmirësime. 

Bota Sot: Është folur gjatë për rritjen ekonomike të Kosovës. Shifrat e dhëna tashmë dihen. Sa është saktësisht rritja ekonomike e Kosovës?

Muhamet Mustafa: Më duket se vlerësimet janë reale, rritja po tejkalon 4% dhe shkon në drejtim të 5% e që do të mund të ishte një hyrje në një periudhë të re të zhvillimit afatgjatë të qëndrueshëm ekonomik të vendit. 

Bota sot: Si e konsideroni ndalimin e z. Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze? A èshtë kjo një lojë shtesë politike e Serbisë apo një pamundësi e Kosovës që t’i mbrojë qytetarët e vet, e në këtë rast një ish-kryeministër?

Muhamet Mustafa: Natyrisht, se për këtë ndaj vlerësimin e institucioneve të Kosovës që reaguan drejt. Por, me rëndësi është që kjo çështje, pra ndalesat dhe provokimet me urdhër arreste nga Serbia të diskutohen dhe ngrihen në një nivel tjetër, pra në nivel shtetror, bilateral dhe multilateral me angazhim të Shqipërisë gjithashtu dhe aleatëve tanë, pa përjashtuar edhe masa të tjera që mund ti ketë në disponim vendi ynë.     

Bota sot:  Z. Mustafa ky do të jetë viti i sfidave të Kosovës. Një prej tyre është edhe themelimi i Forcës së Armatosur të Kosovës. A do të bëhet këtë vit Kosova me ushtri?

Muhamet Mustafa: Besoj se po. Kjo duhet të marrë rrugëzgjidhje në partneritet me NATO-n. 

Bota sot: Fati i Kosovës që të bëhet me ushtri është në duart e Listës Serbe apo ky është një konstatim i gabuar?

Muhamet Mustafa: Ka një ndikim negativ të qëndrimeve të Listës Srpska në këtë çështje për shkak të mënyrës së votimit lidhur me Kushtetutën. Por,  Lista Srpska duhet ta ketë parasysh,  se  ajo pozitë e deputetëve të pakicave u është dhënë për të ndikuar pozitivisht në pozitën e komuniteteve pakicë, integrimin e tyre dhe  në marrëdhënit ndëretnike përgjithsisht e jo për të penguar konsolidimin e shtetit tonë. Mirëpo, nëse kjo zgjidhje keqpërdoret për të penguar shtetndërtimin sipas diktateve të Beogradit , atëherë duhet të rishikohet dhe të evitohen pengesat e tilla. 

Bota sot: Këtë vit Kosova dhe qytetarët e saj do të përballen edhe me Gjykatën Speciale. Cili do të jetë fati i Kosovës në raport me këtë Gjykatë?

Muhamet Mustafa: Raporti i Kosovës lidhur me këtë çështje është përcaktuar me marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendimet e Kuvendit. Institucionet e Kosovës do të kryejnë obligimet e veta.

Bota sot: A ka pas Kosova nevojë për këtë gjykatë?

Muhamet Mustafa: Parimisht nuk ka pasë dhe nuk është dashur të vijë deri te kjo. Gjithçka u inicua me një Vendim të Parlametit Europian dhe e tëra lidhet edhe me situatën që kemi pasur  sa i përketë konsolidimit të gjyqësorit dhe pozitës ndërkombëtare të vendit.

Bota sot: Këtë vit do të mbahen zgjedhjet lokale. Ku e shihni LDK-në, pas këtyre zgjedhjeve?

Muhamet Mustafa: Besoj, se do të ruaj dhe forcojë rezultatet e mira në zgjedhjet e kaluara lokale.

Bota sot: A do ta rimarrë LDK-ja Prishtinën?

Muhamet Mustafa: Do të duhej, do të ishte e natyrshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat