AAK nuk ka vija të kuqe ndaj PDK-së, nuk e përjashton koalicionin

Intervista

AAK nuk ka vija të kuqe ndaj PDK-së, nuk e përjashton koalicionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 mars 2017 Në ora: 10:53
Teuta Haxhiu

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, e konsideron pengmarrje mos lirimin e tij.  Haxhiu në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk i dijnë arsyet pse Haradinaj është duke u mbajtur peng, mirëpo shteti i Francës është duke bërë gabim, prandaj duhet të përmirësohet dhe ta liron Haradinajn.

Haxhiu tregon se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për kreun e AAK-së, sipas saj është dashur të ketë më shumë shkresa zyrtare. Në intervistë, Haxhiu tregon se çfarë presin ata në zgjedhje dhe për koalicionet e mundshme. Ajo gjithashtu flet për qeverisjen e vendlindjes së saj,  dhe tregon nëse do të mund ta shohim si kandidate për kryetare të Gjakovës.

Bota sot: Kreu juaj z.Ramush Haradinaj është duke u mbajtur ende në Francë, si e keni pritur vendimin për moslirimin e tij?

Teuta Haxhiu: Një shqetësim shumë i madh, jo vetëm i yni si anëtarë të Kryesisë edhe si deputetë, por në radhë të parë të familjes.  Rasti i kryetarit Haradinajt nuk është vetëm një dëm që i bëhet individualisht, por është një dëm që po i bëhet Kosovës, po luhet me shtetësinë e Kosovës, sepse nuk është krejt e rastit ajo që po i ndodh atij dhe kohëzgjatja për t’u marrë një vendim duke u bazuar në një kërkesë,  një vendim të një shteti që nuk ekziston, që është faktike që nuk ekziston Serbi- Mali i zi, pra sepse ai vendim është lëshuar në atë kohë, dhe tani nuk e di se çfarë baze mund të ketë dhe thjesht pengmarrja, sepse ne tani e quajmë pengmarrje, arsyet nuk i dimë pse, mirëpo është e patolerueshme dhe shumë e rëndë, jo vetëm për ne, por për të gjithë qytetarët. Keni parë mbështetjen e qytetarët pa rezervë kudo, pa parti politike, sepse Ramushi nuk është për vete atje, është për shtetin e Kosovës, është për ta mbrojtur, e ka mbrojtur në fakt, sepse dy vendimet vendimet  në Gjykatën e Hagës në krahasim me atë në Colmar, tregojnë edhe njëherë seriozitetin e vendimeve që ai ka dalë dy herë i pafajshëm dhe shembull ma të mirë të demokracisë dhe një liderit sesi ai është dorëzuar në Gjykatën e Hagës, duke qenë kryeministër i vendit. Pra, ky ka qenë një shembull shumë i mirë, është një shembull për të gjithë, por asnjëherë nuk është fshehur dhe nuk ka pasur arsye, mirëpo është gjykuar dy herë dhe padrejtësisht është mbajtur për 8 vite rresht. Ne për 8 vite rresht, kemi qenë pa të si subjekt politik dhe nuk ka qenë e lehtë për të qëndruar si një subjekt stabil, por tani kemi një përkrahje shumë më të madhe, sepse populli e ka kuptuar se nuk është krejt rastësi mbajtja e tij dhe shumë herë po ndodh për shkak të hapave që po kalon Kosova dhe kjo na bën neve të punojmë çdo ditë, të punojmë për shtetin tonë.

Bota sot: Si i shihni angazhimet e krerëve institucional dhe MPJ për çështjen e z.Haradinajt?

Teuta Haxhiu: Nuk është bërë mjaftueshëm, e kemi thënë edhe më herët. Nuk mjaftojnë deklaratat përmes rrjeteve sociale apo diçka e tillë. Përderisa Serbia është në gjendje të fantazojë dhe të inskenojë çdo lloj, sepse ne e dimë se kush është shteti Serb dhe çfarë ka bërë në luftë në Kosovë dhe deri sa ata janë në gjendje të dërgojnë shkresa të imagjinuara dhe të përgatitura qëllimisht, në këtë rast shteti i Kosovës nuk ka bërë atë se çfarë është dashur ta bëjë. Konsideroj që është dashur të ketë shumë më shumë shkresa zyrtare në kuadër të secilit institucion, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, ka pasur disa hapa të ministrit të punëve të jashtme, por kjo duhet të bëhej shumë më shumë. Prandaj, rezoluta është një dokument që duhet respektuar, të zgjedhurit e popullit kanë dhënë një verdiktin e vet dhe do të duhet të merren seriozisht, në të kundërtën ne jemi këtu.

Bota sot: Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, ka publikuar të dhënat, duke konstatuar se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi, cili është komenti juaj?

Teuta Haxhiu: Një keqkuptim shumë i madh fatkeqësisht që ka dalë prej qeverisë së Kosovës, konkretisht prej komisionit qeveritar në krye me z.Meha. Ne jo vetëm që nuk kemi ndryshuar qëndrim, t’i themi të bardhës të zezë, apo të zezës të bardhë, janë dy gjëra krejtësisht të ndara. Personalisht jam e lindur edhe e rritur në atë anë zonë dhe e di saktësisht, mirëpo kjo nuk mjafton në qoftë se ne nuk do të kishim ekspertë, ekspertë të cilët kanë ofruar fakte për të gjithë ata që dëshirojnë ta kuptojnë, për të gjitha ata që nuk janë peng të falin tokë, apo që nuk kanë bërë pazar në dëm të Kosovës. Faktet janë në anën e drejtësisë, në anën e të mirës së vendit, për të mos marrë prona të askujt, por thjesht për t’i mbrojtur tokat tona. Qëndrimet e ekspertëve të pavarur janë edhe qëndrimet tona dhe ne nuk kemi absolut arsye për t’u kthyer në ndonjë qëndrim tjetër, dhe aq më tepër se kjo është faktike që nuk do të kalojë, sado që kanë tentuar ta bëjnë politike. Shteti i Kosovës dhe Kuvendi nuk guxojnë të bëjnë gabime që kemi bërë në fakt gabime edhe me demarkimin me Maqedoninë. Ky është një fakt.  Dhe, gabime pas gabimeve nesër kur do të bëhet demarkimi me Serbinë atëherë do të shohim edhe pretendimet e Serbisë çfarë do të ndodh. Prandaj, ne nuk i marrim tokë askujt, por thjesht e mbrojmë tokën tonë. Mbi të gjitha unë vazhdimisht e them, demarkimi me Malin e Zi duhet të ndodh, mirëpo pse nuk dalin të tregojnë Qeveria dhe ata që e mbrojnë versionin e Murat Mehës dhe nënshkruesit Hashim Thaçit, sepse mbi të gjitha është ai që ka bërë këtë dhe arsyen pse ka nënshkruar duhet ta tregojë, pse këta nuk tregojnë se cilat janë pronat kadastrale duke filluar nga Mali i Zi. Unë kam fakte dhe njerëz që janë pikërisht nga Mali i Zi që më kanë thënë se janë më shumë se 30 mijë hektarë tokë që mbesin zonë neutrale, po të bëhej matja domethënë mes kriterit kadastral përmes Malit të Zi, kjo është pronë shtetërore. Dhe, pretendimet e krerëve dhe Kryeministrit Mustafa se ata nuk janë prona të Kosovës dhe se nuk kanë pronësi unë i them kështu: Unë jetoj në një fshat dhe kemi një bjeshkë që quhet Bjeshka e Dubroshit, ajo është pronë e Kosovës, asnjë pronar nuk ka në emër të vet, por unë e di që asnjë prej fshatit tjetër që është prej fshatit tonë nuk guxon dhe nuk ka të drejtë të vjen t’i kullot kafshë e lëre më të pretentojë të ndërtojë ndonjë gjë aty. Prandaj, këto janë prona shtetërore nuk janë prona private.

Bota sot: A është duke tentuar që përmes diskutimit për marrëveshjet si Asociacioni dhe Demarkacionit të largohet vëmendja nga temat tjera me të cilat përballet vendi?

Teuta Haxhiu: Vërtetë korrupsioni dhe krimi i organizuar janë në një shkallë që e kanë ngulfatur jetën e qytetarëve të vendit dhe këto janë problemet kryesore që ka për vendi. Mirëpo, fatkeqësisht në këtë periudhë, në këtë legjislaturë kanë ardhur dy marrëveshje, që jo vetëm që kanë mbetur anash, por temë ditore apo temë e kësaj periudhe kanë qenë këto dy marrëveshje që nuk mundemi t’i lëmë anash dhe të mirremi me gjërat tjera. Por, janë organet tjera që duhet të merren me këtë, domethënë me luftimin e korrupsionit edhe qeveria ka bërë shumë pak në këtë drejtim.

Bota sot: Jeni nga Gjakova, si e shihni qeverisjen e kryetares Mimoza Kusari- Lila?

Teuta Haxhiu: Duhet ndarë dy gjëra, në momentin kur ka ardhur sado që unë jam i një subjekti tjetër politik, mirëpo megjithatë nga biseda me qytetarë si një femër ka qenë diçka që qytetarët kanë pritur që të bëjë diçka, që të ndryshojë gjendjen e qytetarëve në Kosovë. Nëse sot shkoni në Gjakovë dhe i pyesni qytetarët se çfarë ka bërë ajo, çfarë ka ndryshuar,  sinqerisht nuk ka bërë diçka, nuk vërehet diçka, nuk them se do të duhet të largohet faji në këtë rast nga ajo, sepse në të vërtetë nuk ka bërë diçka. E përmend një rast, janë 24 fshatra nga unë vij, dhe nuk kanë ujë të pijes sot në këtë kohë, në shekullin 21, pra kaq vite pas luftës gjëra elementare për jetesë mungojnë. Mbi gjitha ka shumë projekte tjera që janë jetike për qytetarët e vendit.

Bota sot: A keni menduar ndonjëherë të kandidoni për kryetare të Gjakovës?

Teuta Haxhiu: Nuk është që nuk e kam atë ide, ndoshta në ndonjë të ardhme po.

Bota sot: Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen sivjet, sa është e gatshme AAK-ja për zgjedhje?

Teuta Haxhiu: Po, Aleanca është e gatshme. Ne prej fillimit të mandatit jemi çdo ditë në terren, fatkeqësisht kohëve të fundit doli edhe çështja e kryetarit Haradinaj, por kemi një përkrahje që nëse mund ta krahasoj vetëm me vitin 2009 kemi pasur një rritje. Gjithçka është e përgatitur, për gjithçka jemi gati, kurdo që do të ndodhin zgjedhjet.

Bota sot: A do të formonit koalicion me PDK-në në rast se do të dilnit fitues i zgjedhjeve, apo me cilën parti do të krijonit koalicion?

Teuta Haxhiu: Ne pretendojmë të jemi fitues bashkë me Nismën. Tani jemi duke diskutuar edhe me subjektet tjera më të vogla, ne në fund do t’i finalizojmë edhe këto, kemi edhe personalitet tjera të shoqërisë civile  dhe njerëz të pavarur që do t’i bashkëngjiten Aleancës.  Në këtë rast ne pretendojmë të jemi fitues dhe nëse atëherë nuk jemi fitues të vetëm, që normalisht që ne pretendojmë sado që e di që kemi një rritje shumë të madhe, por përsëri varet nga verdikti i qytetarëve, dhe koalicionet nuk janë ndonjëherë të dëshirueshme, mirëpo nuk mund të them sepse është vendim i partisë, nuk  mund të flasim sot para zgjedhjeve për vijat e kuqe me asnjë subjekt politik. Mirëpo, pretendojmë të jemi fitues, pastaj pas zgjedhje vendosim.

Bota sot: Gjykata Speciale së shpejti do të fillojë me aktakuzat e para, keni qenë kundër kësaj Gjykate, sipas jush sa ndikon negativisht formimi i kësaj gjykate?

Teuta Haxhiu: Qysh në fillim kur ka ardhur në Kuvendin e Kosovës ne e kemi kundërshtuar për faktin se nuk është menduar drejt. Ne nuk kemi qenë kundër një gjykate speciale si ta quajmë, por siç e kanë vendet tjera, pra të jetë në Kosovë me gjyqtarë tonë, të punohet në interes dhe të jenë gjyqtarë vërtetë të pavarur, por jo në këtë rast të gjykohen vetëm ata që kanë bërë krime nga shqiptarët, përderisa ne e dijmë që lufta ka ndodhur në Kosovë e jo në Serbi, nuk kemi shkuar ne të luftojmë në Serbi, dhe kjo është një e padrejtë që i bëhet popullit të Kosovës. Në këtë drejtim është me të vërtetë e pakuptimtë, personalisht mendoj që ka ndodhur një gabim mirëpo është votuar. Sot kërkohet edhe nga partia më e madhe, nga PDK-ja që ky ligj të ndryshohet, por ndonjëherë është mirë të mendohet kur e bëjmë gabimin që të mos e bëjmë, të matim para se të vendosim.

Bota sot: Ju keni qenë mësimdhënëse më herët, si e shihni gjendjen e arsimit sot në Kosovës?

Teuta Haxhiu: Janë 27 vite punë e imja në mësimdhënie. Në qoftë e krahasojmë periudhën në këtë rast mund të themi se gjendja e arsimit nuk ka qenë kurrë më e keqe, fatkeqësisht. Në qoftë e them për periudhën kur kam punuar unë në vitet ’90, sukses dhe rezultatet e nxënësve në atë periudhë kanë qenë shumë më të mira. Sot fatkeqësisht politika ka ndërhyrë në çdo faktor, dhe në këtë rast unë mendoj se faktori kryesor pengues në zhvillimin e arsimit është politika, ndërhyrja politike direkt dhe buxheti jo i drejtë shumë i vogël për arsimin. Duhet të investojë shteti në arsim që të kemi zhvillim të vendit në mënyrë që të ngritet cilësia. Cilësi që do të kishte një garë në mes të institucioneve private dhe publike, prandaj e them përsëri është ndëryhyrja politike dhe tentimi për t’u pasuruar përmes institucioneve.

Bota sot: Sa është punuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit?

Teuta Haxhiu: Në këtë rast e thashë që faktori i parë është ndërhyrja politike. Kur them ndërhyrja politike, vazhdimisht e them që nëse nuk nisemi nga niveli fillor dhe parafillor nuk mund të arrijmë deri tek niveli universitar. Prej fillimit, domethënë zgjedhja e drejtorëve të shkollave si komentencë e kryetarit të komunës është një gabim shumë i madh, ky ligj dhe ligjet tjera që kanë ndërhyrje se kjo është ndërhyrje politike, përderisa t’i përzihesh. Këto gjëra duhet të ndryshohen në mënyrë që të largohen politikat në arsim, pastaj të kërkohet llogari më e madhe në orën 40 apo 45 minutëshe që bën mësimdhënësi në klasë. Problemi më i madh është në ato 45 minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat