Mesazhi i Tanja Fajon për Kosovën: Jo veprime unilaterale

Intervista

Mesazhi i Tanja Fajon për Kosovën: Jo veprime unilaterale

Më: 16 mars 2017 Në ora: 14:29
Tanja Fajon

Palët duhet të kthehen tek dialogu dhe Kosova nuk mund të bëjë veprime unilaterale lidhur me ushtrinë. Ky është mesazhi i europarlamentares e raportueses për Kosovën në PE, Tanja Fajon në bisedë me Deutsche Wellen.

Në Sarajevë po zhvillohet takimi i kryeministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Çfarë rëndësie ka ky samit për forcimin e bashkëpunimit rajonal?

Është i një rëndësie të posaçme do të thoja takimi për herë të gjashtë i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku diskutohet procesi i integrimit të rajonit në BE, kooperimi mes vendeve të Ballkanit dhe ecja e përpara e këtij kooperimi përmes projekteve të ndryshme, ne e ndjekim me shumë vëmendje ç'po ndodh në Ballkan. Takimi i Sarajevës zhvillohet natyrisht në kuadër të përgatitjeve për samitin tjetër të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE si vazhdim i Procesit të Berlinit, ku pas Berlinit, Vjenës, Parisit, këtë herë takimi mbahet në Trieste, Itali.

Në fakt takime të tilla me pjesëmarrjen e BE e nga ku dalin premtime optimiste janë zhvilluar gjithmonë, por kur kthehen në vend, politikanët e rajonit ndjekin ligjërim tjetër politik. A nuk shihni këtu dy mënyra komunikimi, një për Europën, e një për brenda vendit?

Mund të biesh dakord me këtë, shpesh ne e shohim këtë, kur kemi takime në Bruksel, ku liderët bien dakord për një çështje, së fundmi një rast i tillë ndodhi në takimin për dialogun Kosovë-Serbi, ku ka një retorikë për Brukselin, e pastaj kur kthehen në vend implementimi i asaj që është arritur është ndryshe. Prandaj ajo që dua të theksoj është rëndësia e një zotimi të qartë të liderëve të Ballkanit për të përmbushur detyrimet e tyre. Duhet të themi se nuk jetojmë në kohë të lehta për BE-në. Por megjithatë më në fund javën e kaluar në samit liderët e BE-së e theksuan rëndësinë e perspektivës së qartë të këtyre vendeve në BE. Sidomos tani kur situata në disa vende aty, do thoja më shumë po destabilizohet. Prandaj është shumë e rëndësishme që liderët e Ballkanit të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë.

Një ndër tensionet e fundit në Ballkan lidhet me marrëdhënien Kosovë-Serbi. Marrëdhënia është përkeqësuar së fundmi, sidomos pas arrestimit të Ramush Haradinajt. Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për ndërprerjen e dialogut deri në lirimin e Haradinajt. Si e vlerësoni këtë hap?

Shpreh keqardhje të thellë për përkeqësimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, sepse ai është kardinal për të lehtësuar jetën e njerëzve atje, prandaj ne këmbëngulim që të dyja palët të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjitha tensionet shtesë tani vetëm sa e dëmtojnë procesin. Do të doja të kishim një situatë tjetër, ne shohim tensione mes Kosovës e Serbisë së fundmi, situata nuk është më e mirë në Maqedoni, prandaj dua me emergjencë t'u drejtohem politikanëve përgjegjës të ulin tensionet, e të kthehen tek dialogu.

Rezoluta e parlamentit të Kosovës është edhe një thirrje ndaj BE-së për t'i bërë presion Serbisë të ndalë fletëarrestet për personat drejtues të UÇK-së. Cili është qëndrimi juaj?

Shikoni ne jemi europarlamentarë, mund të ndjekim me shumë vëmendje veprimet në Kosovë, dhe mund të shpreh shumë keqardhje, nëse ka tensione shtese apo vendime unilaterale, siç kemi parë javët e fundit. Sigurisht ato nuk ndihmojnë për të shkuar drejt një fqinjësie më të mirë, apo aq më pak për të bërë jetët e njerëzve më të mira.

Por dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i vështirë edhe më parë, pasi palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Kosova do ta finalizojë dialogun me njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë, ndërsa Serbia kërkon të dialogojë për çështje të caktuara, por përjashton njohjen e pavarësisë. Mundet kjo kontradiktë ta zhbëjë vetë dialogun një ditë?

Vetë dialogu e qëllimi i dialogut është të lehtësojë jetët e njerëzve aty, është i një rëndësie kardinale vazhdimi i tij, dhe kthimi i të dyja palëve në tryezën e bisedimeve, pa paragjykuar më parë se çfarë do të sjellë ky dialog në fund. Tani për tani dialogu duhet të vazhdojë, jo të kemi rezultate ku dështohet të integrohet një sistem paralel drejtësie në veri, ose ajo që pamë së fundmi, lidhur me mosverifikimin e 520 pronave të Kosovës. Prandaj dua të rikujtoj përgjegjësit ta vënë fokusin tek qytetarët e jetët e tyre.

Ka përpjekje për themelimin e ushtrisë së Kosovës, presidenti Thaçi ndërmori një inciativë, duke theksuar se kohë kanë ndryshuar e Kosova duhet të mbrojë territorin e saj. Deri tani nuk ka mbështetje nga ndërkombëtarët për krijimin e ushtrisë së Kosovës me ndryshimin e ligjit të FSK-së, por duhen bërë ndryshime kushtetuese. Si i shikoni ju këto hapa?

Ne e dimë cili është pozicioni i NATO-s, ai i palës amerikane dhe BE. Kjo u theksua qartë edhe javën e kaluar. Të gjitha institucionet e bëjnë të qartë të mos ndërmerren veprime unilaterale për krijimin e ushtrisë. E unë i bashkohem këtij apeli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat