Kush janë njerëzit në lista të veteranëve, e që i shërbyen serbëve?

Intervista

Kush janë njerëzit në lista të veteranëve, e që i shërbyen serbëve?

Hava Orana Nga Hava Orana Më 17 mars 2017 Në ora: 09:31
Xhevdet Qeriqi

Veteranët e UÇK-së po përgatiten për një protestë të radhës e cila do të mbahet brenda një të ardhme të afërt. Këtë e ka deklaruar Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së. Qeriqi ka folur rreth listave të veteranëve dhe ka thënë se ato lista janë fryrë nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranit.

Poashtu ai ka thënë se i njeh me emër e mbiemër njerëz që nuk kanë qenë në luftë dhe gëzojnë statusin e veteranit. Ai ka folur edhe vizitën e Presidentit Hashim Thaqi tek memorialet serbe, duke thënë se vizitat e tilla të presidentit nuk i bëjnë nderë as atij dhe as  veteranëve.

Bota sot: Ju keni deklaruar se Gjykatës Kushtetuese i kanë mbetur edhe pak ditë për ta marrë vendimin lidhur me ndryshimet e fundit ku u kategorizuan veteranët, a prisni të merret një vendim i tillë brenda këtyre ditëve?

Xhevdet Qeriqi: Po ne qysh në fillim i kemi kundërshtuar, këto ndryshime ligjore dhe nuk jemi pajtuar, sepse me këto ndryshime po bëhet përçarje në mes të veteranëve. Fatkeqësisht këto ndryshime kanë gjetur mbështetjen e deputetëve dhe si të  tilla kanë kaluar, më pas ky ligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë politike opozitare. Të  njëjtën gjë kemi dashur ta bëjmë edhe ne mirëpo, pasi u dërgua nga opozita, nuk e kemi parë të rrugës që edhe ne ta dërgojmë të njëjtin në Gjykatë, sepse pas shqyrtimit do të ishte e njëjta përgjigje, kështu që kemi pritur që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë këtë ligj dhe të dalë me një vendim, mirëpo me gjasë kjo gjykatë nuk do të merret fare me këtë lëndë, dhe me këtë na bën që të bindemi edhe më shumë se drejtësia në Kosovë kontrollohet nga politika. Në bazë të asaj që kemi kuptuar Gjykata Kushtetuese, për çdo lëndë që deponohet aty për vlerësim duhet të kthej përgjigje në një afat brenda 60 ditëve, e me gjasë nuk do të ketë asnjë përgjigje sepse tashmë po bëhen dy muaj edhe ky institucion po hesht.

Bota sot: Cili është veprimi i radhës që do të ndërmerrni, nëse nuk merret ky vendim?

Xhevdet Qeriqi:  Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me veteranët e UÇK-së dhe pakënaqësitë janë shumë të mëdhaja rreth kategorizimit të tyre. Çdo ditë marr ankesa dhe kërkesa të ndryshme rreth padrejtësive që po u bëhen, dhe duke i marrë parasysh shqetësimet e tyre, ne do të fillojmë përgatitjet për protestën që do të ndodh në një kohë jo të largët.

Bota sot: Sipas jush, pse nuk po përmbyllet ende procesi i verifikimit të veteranëve?

Xhevdet Qeriqi:  Po, ky proces është politizuar dhe si i tillë nuk po arrin të përmbyllet.

Bota sot: Sipas jush, kush i ka fryrë listat e veteranëve?

Xhevdet Qeriqi: Po, fryerjet e listave të veteranëve të UÇK-së, janë bërë nga komisioni qeveritarë për njohjen e statusit të veteranit. Duke përfituar njerëz padrejtësisht pa qenë në luftë aty.

Bota sot: A jeni në dijeni nëse janë futur në listat e veteranëve, emra që nuk duhet të ishin aty?

Xhevdet Qeriqi: Mendoj, se sikur të kishte një drejtësi të mirëfilltë dhe një shtet ku do të funksiononte drejtësia, dikush do të duhej të jap llogari për dëmet që u ka bërë veteranëve të vërtetë të luftës, dhe dëmet që ia kanë bërë shtetit, sepse është dëmtuar imazhi i luftëtarëve dhe morali i tyre. Po ashtu në anën tjetër është dëmtuar edhe buxheti i varfër i shtetit, duke përfituar njerëz padrejtësisht, të  mirëseardhur pa qenë fare në luftë. Po shiko këtu nuk bëhet fjalë për emra, por për një numër të madh që janë futur në këto lista, natyrisht që njoh edhe njerëz me emër dhe mbiemër të cilët fare nuk kanë qenë në luftë e sot e gëzojnë këtë status.

Bota sot: Si e vlerësoni vizitën e Presidentit Hashim Thaqi tek memorialet serbe?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket vizitave të fundit të Presidentit tek varrezat e komunitetit serb, ne kemi reaguar dhe e kemi kundërshtuar për këto vizita, sepse në ato pllaka janë mbishkrimet ku thuhet se janë të vrarë nga terroristët shqiptarë. Ne të gjithë jemi dëshmitarë, se sa krimet i ka kryer Serbia në Kosovë dhe asnjë politikan serb nuk po del të kërkoj falje për krimet e kryera në Kosovë. Vizitat e tilla të Presidentit nuk i bëjnë nder as atij e as ne si veteran.

Bota sot: Si i vlerësoni deklaratat e familjes Jashari drejtuar institucioneve të Kosovës?

Xhevdet Qeriqi: Çdo fjalë dhe çdo veprim të familjes të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, ne e vlerësojmë lart, dhe e mbështesim fuqishëm çdo deklaratë të tyre. Familja Jashari ka dhënë gjithçka për lirinë e vendit tonë, dhe çdo deklaratë dhe shqetësim i tyre për vendin tonë, është edhe shqetësim i yni, kështu që ajo çfarë është thënë nga ta ka qenë e drejtë dhe shumë me vend.

Bota sot: Para 2 vite keni akuzuar Agim Çekun për dallavere me listat e veteranëve, a qëndroni ende pas kësaj deklarate?

Xhevdet Qeriqi: Po ajo çfarë kemi thënë për z.Çeku qëndrojmë pas atyre deklaratave. Se në listat e veteranëve ka njerëz të cilët janë futur, e të cilët nuk është dashur të jenë në këto lista. Këtë ma kanë dëshmuar vetë veteranët të cilët çdo ditë më kanë shkruar në adresën time, se në këto lista janë futur edhe njerëz të cilët e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe të cilët i kanë dërguar informacione armikut serb. Për  këtë mund ta vërtetoni edhe nëpër rrjetet sociale, ku  çdo ditë publikohen, fakte të ndryshme rreth kësaj.

Bota sot: Cila është sot gjendja e veteranëve të Kosovës, si jetojnë ata dhe në çfarë kushtesh?

Xhevdet Qeriqi: Po gjendja e një pjese të veteranëve dhe e familjeve të tyre vazhdon të jetë e rëndë. Kemi shumë veteran, të cilët ende nuk po arrijnë ta gëzojnë të drejtën e tyre ligjore, e cilat ju takon, shkaku i neglizhencës të punës të qeverisë, ata ende nuk po arrijnë të pajisen me dokumente të nevojshme,  për të aplikuar për të drejtën në pension, shkaku se qeveria e ka mbyllur zyrën ku këta të fundit duhet ta marrin një vërtetim për të aplikuar për të drejtën në pension. Për mbylljen e kësaj zyre nuk jepet asnjë sqarim nga qeveria, janë të mbyllur në këtë drejtim. Po ashtu veteranët po përballen me strehim, me gjendje jo të mirë shëndetësore dhe me shumë probleme të tjera, mos të harrojmë se qysh prej përfundimit të luftës e deri më sot, kemi dhjetra raste të veteranëve të UÇK-së ,të cilët kanë bërë vetëvrasje,shkaku i lënies anash nga shteti, në një shtet normal kjo do të ishte alarmante dhe shetësuese, por këtu tek ne askush nuk është marrë me këtë çka ka ndodh.

Bota sot: Si e vlerësoni deklaratën e Presidentit Hashim Thaqi, që FSK-ja të shndërrohet në ushtri?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket transformimit dhe shëndrrimit të FSK-së në ushtri, mendoj se institucionet e vendit, duhet të punojnë natë e ditë që Forca e Sigurisë të Kosovës, sa më shpejt të shëndrrohet në ushtri dhe këtë ta bëjnë në një koordinim të përbashkët me të gjitha partitë politike shqipëtare të përfaqësuara në Kuvend qoftë me ato të pozitës dhe të opozitës. Institucionet e Kosovës duhet që të mendojnë që të ndajnë edhe fonde më të mëdha për ushtrinë tonë, në mënyrë që kjo e fundit të pajiset me mekanizmat e nevojshëm operacional, poashtu edhe për kushte  më të mira për  ta. Mendoj, se nuk duhet askush që të mendoj, të përfitoj politikisht nga ky rast, po,r të punojnë  që sa më shpejt ky proces të përmbyllet, sepse është i domosdoshëm duke i parë provokimet e armikut serb të kohëve të fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat