Shumë hite por asnjë dedikim, Genc Prelvukaj tregon a është në lidhje dashurie

Intervista

Shumë hite por asnjë dedikim, Genc Prelvukaj tregon a është në lidhje dashurie

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 mars 2017 Në ora: 19:35
Genc Prelvukaj

Me një karrierë të suksesshme prej shumë vitesh, këngëtari Genc Prelvukaj vazhdon të sjellë këngë hite në industrinë e muzikës shqiptare. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Bota sot", Genci ka rrëfyer për karrierën dhe jetën, bashkëpunimin me kolegët.

Ai tregon se a është në lidhje dashurie me ndonjë femër, a i ka dedikuar ndokujt këngë, a ka pasur zënka me këngëtarët dhe për projektet e reja që do t’i publikojë në vazhdimësi. Poashtu, ai flet edhe nëse po i mungon politika dhe kthimin e mundshëm në politikë, përgjigjet e të cilave mund t’i kuptoni në këtë intervistë.

Bota sot: Ka shumë vite që je pjesë e estradës shqiptare. A e ke arritur kulmin e suksesit?

Genc Prelvukaj: Në muzikë kam arritur të përjetoj shumë gjëra të mira që nuk harrohen asnjëherë, suksese nga më të ndryshmet por nuk e di nëse do të ishte korrekte të them se kam prekur kulmin e çdo të mire që ajo mund të sjellë.

Bota sot: Ke shumë këngë duet me shumë këngëtarë. Më mirë e gjen veten solo apo në duet?

Genc Prelvukaj: Varësisht nga kënga që krijohet paraprakisht. Sidoqoftë, pavarësisht si bëhet ajo, është ndjenjë gjithmonë e mirë kur bëhesh pjesë e një materiali të bukur.

Bota sot: Këngët e fundit, ajo me Lyrical Son dhe solo po pëlqehen mjaft. Cila është më e dashur për ty?

Genc Prelvukaj: Vështirë se mund t’i dalloj. Suksesin më të madh e kishte “A tmerr malli“ dhe këtë e dija që nga fillimi sepse ishte krijim që prekte çdo shtresë për dallim nga “365 pa ty“ që mbledh pas vetes një shtresë më të ngushtë. Për mua janë njëlloj se janë tanimë dy këngë shumë të suksesshme.

Bota sot: A ka qenë ndonjëra dedikim për dikë?

Genc Prelvukaj:  Jo, asnjëherë nuk ka pasur dedikim konkret për dikë. Nuk kam ndarë përmes teksteve historitë e mia personale asnjëherë megjithatë ka shumë njerëz që ato i kanë ndjerë sikurse t’i kishin shkruar vetë.

Bota sot: Keni koncerte të shumta. Publiku i cilit vend është më i miri sipas jush deri tani?

Genc Prelvukaj: Shqiptarët kudo që ndodhën janë të njëjtë dhe çdo njeri që bën dallime të tilla gabon rëndë. Ndryshojmë pak në dialekt por ne veçori jemi të njëjtë kudo që jetojmë. Kësisoj nuk kam se si të veçoj ndonjë prej regjioneve.

Bota sot: Cili ka qenë momenti më i sikletshëm në skenë?

Genc Prelvukaj: Ka pasur shumë por nuk mund ta them se cili ka qenë më i sikletshëm nga momentet tjera. Ndoshta më duhet të mendoj gjatë për ta thënë konkretisht e pa gabuar.

Bota sot: Po ai më i miri?

Genc Prelvukaj: Skena të jep momente shumë të mira çdoherë. Secili prezantim publik e ka kënaqësinë e vet dhe nuk kalon në rutinë asnjëherë.

Bota sot: Bashkëpunon me shumë këngëtarë. A ke pasur ndonjëherë ndonjë zënkë apo mospajtim me ndonjërin prej tyre?

Genc Prelvukaj: Them se jo. Ata që kanë punuar me mua kanë pasur besim, por edhe anasjelltas. Megjithatë individët që mund të nxjerrin problem gjatë punës i kam identifikuar menjëherë dhe kam refuzuar në mënyrë të prerë punën me ta.

Bota sot: A je duke punuar për ndonjë projekt të ri? Nëse po, kur do të publikohet?

Genc Prelvukaj: Jam duke punuar në tri projekte paralelisht. Se kur do të publikohen ato, saktë nuk e di. Sidoqoftë përmes rrjeteve sociale do t’i vë në dije të gjithë ata që na përcjellin.

Bota sot: A po të mungon politika, a do t’i ktheheshe sërish?

Genc Prelvukaj: Momentalisht nuk më mungon asgjë nga ajo periudhë ku kam punuar mbi gjashtë vite. Nuk kam kujtime të këqija megjithatë ndjehem shumë rehat tani për tani në industrinë e muzikës. Se a do të kthehem ndonjëherë është pyetje e vështirë për tu përgjigjur. Nuk i dihet çka do të ndodhë mirëpo në një të ardhme të afërt jo, madje as që e diskutoj kthimin.

Bota sot: Duke qenë se je shumë i angazhuar, sa ke kohë për t’iu përkushtuar djalit tënd, Gjinit?

Genc Prelvukaj: Vazhdimisht. Është detyrim prindëror dhe kënaqësi shumë më e madhe se çdo gjë tjetër.

Bota sot: A do dëshirojë që Gjini të ndjek hapat e tu si artist?

Genc Prelvukaj: Jo domosdoshmërish. Ai fillimisht duhet të punojë me shkollën e pastaj varësisht si rrjedhin.

Bota sot: Flasim pak për jetën private. A ke ndonjë femër në jetën tënde?

Genc Prelvukaj: Në këto momente që po flasim nuk jam në ndonjë lidhje.

Bota sot: Çka vlerëson Genci tek një femër?

Genc Prelvukaj: Gjërat pozitive që do duhej të vlerësoheshin. Është temë shumë e gjërë kjo. Për të qenë më i qartë do duhej që intervista të drejtohej komplet në këtë sferë. Nuk mund ta përmbledh si duhet brenda një pyetje.

Bota sot: Cilat janë gjërat më të vlefshme në jetë sipas teje?

Genc Prelvukaj: Fillojmë me shëndetin e pastaj me radhë.

Bota sot: Në jetë, më mirë të pendohesh apo të të mbetet merak?

Genc Prelvukaj: Them se pendimi por varësisht se për çfarë rasti bëhet fjalë dhe cilat mund të jenë pasojat

Bota sot: Na përshkruaj veten me tri fjalë.

Genc Prelvukaj: I mendoj e ua them herën tjetër. Do duhej tri fjalë që përmbledhin shumëçka brenda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat