Akuzat e deputetit të LDK-së: Kadri Veseli është problemi kryesor i Kuvendit

Intervista

Akuzat e deputetit të LDK-së: Kadri Veseli është problemi kryesor i Kuvendit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 prill 2017 Në ora: 13:57
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i LDK –së, Adem Salihaj, ka kritikuar ashpër partnerin qeveritarë, PDK –në. Sipas të njëjtit PDK është parti profiterësh dhe gjithmonë ka abuzuar me pushtetin vetëm për përfitime të individëve, klaneve e krimit të organizuar. Ai mendon se situata në segmente të ndryshme të pushtetit, siç janë ministritë, agjencitë dhe kompanitë publike, ka mbetur e dominuar nga kuadrot mafioze të PDK-së. Më tej, Salihaj i ka mëshuar qëndrimit, se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë në kushte të reja, në të mirë të zgjidhjes së problemeve ne mes dy shteteve, e jo për t'i bërë koncesione të reja Serbisë brenda territorit të Kosovës. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve, Salihaj, mendon se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për problemet që po kalon Kosova. “Sa herë që kemi mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme, e ne kemi mbajtur vetëm të tilla, problemet vetëm janë rritur. Nga e gjithë kjo ka përfituar vetëm PDK-ja dhe krimi i organizuar,askush tjetër”, ka thënë ai. 

Bota sot: Si e shihni rezultatet e kësaj Qeverie, a mendoni se ka funksionuar mirë nga brenda?

Adem Salihaj: Qeveria ka funksionuar mirë sa i përket punëve rutinë. Ajo qe bie në sy është mungesa e skandaleve dhe aferave,të cilat në vazhdimësi e kanë karakterizuar qeverinë Thaçi 1 dhe 2. 

Bota sot: A iu janë përmbajtur marrëvshjes koalicioni LDK –PDK, apo kjo e fundit, e ka përdorur këtë marrëveshje për të arritur qëllimet e saj?

Adem Salihaj: PDK është parti profiterësh dhe gjithmonë ka abuzuar me pushtetin vetëm për përfitime të individëve,klaneve e krimit të organizuar. Këtë e ka bërë edhe tash dhe do ta bëjë gjithmonë, sa herë që t'i jepet mundësia që të ketë pushtet. Madje,situata në segmente të ndryshme të pushtetit, siç janë ministritë,agjencitë dhe kompanitë publike, ka mbetur e dominuar nga kuadrot mafioze të PDK-së dhe  pothuajse nuk ka ndryshuar fare krahasuar me periudhën e mëparshme. 

Bota sot: Kadri Veseli në emër të Kuvendit po takon qytetarë a është brenda mandatit kushtetues kjo fushatë elektorale?

Adem Salihaj: Kadri Veseli po e shikon veten në pasqyrë dhe po i duket vetja kryeministër.  Ai po mban takime "dëgjimi", jo për t'i dëgjuar vërtetë qytetarët ,por për t'u dukur sikur po i dëgjon. E merr me vete ministrin e bujqësisë dhe para njerëzve kritikon politikat e bujqësisë e harron se partia e tij udhëheq me këtë ministri.

Bota sot: Kuvendi nuk po arrin të bëjë korumin, a është sinjal i partnerit se dëshiron zgjedhje?

Adem Salihaj: Kuorumin nuk po e bëjnë partitë e koalicionit, deputetët vetëm vijnë nënshkruhen dhe dalin për të pirë kafe, për të shëtitur apo për të kryer punë të tjera. Njësoj veprojnë edhe deputetët e opozitës, nuk ka asnjë dallim në këtë drejtim. Deputetët janë deputetë me mandat nga qytetari dhe kanë obligim të marrin pjesë aktive në seanca dhe të kontribuojnë në punën e Kuvendit, jo të marrin paga e mëditje pa punuar asgjë. Por, problemi kryesor i Kuvendit është Kadri Veseli, i cili e ka degraduar tej mase këtë institucion.

Bota sot: A mendon se lideri i LDK-së, është absolut i merituar apo i gabuar dhe i nxituar nga grupi i caktuar brenda LDK-së?

Adem Salihaj: Lideri i një partie duhet t'i dëgjojë të gjithë, jo vetëm ata që i bëhen servilë dhe i bëjnë lajka. Ai duhet të punojë për interesat e shtetit, jo të klaneve. Njerëzit e vërtetë të një partie janë ata që e thonë dhe e mbrojnë të vërtetën, jo servilët dhe mashtruesit.

Bota sot: Cilat janë gabimet dhe rezultatet e kësaj Qeverie?

Bota Sot: Qeveria ka arritur rezultate të dukshme në rritjen e buxhetit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Përqindja e zhvillimit ekonomik arriti në rreth 4 për qind,që është mjaft e lartë per rajonin. Qeveria arriti të nënshkruajë MSA-në, gjë që shënon poashtu sukses.Pastaj nuk pati afera dhe skandale. Megjithatë, këtë Qeveri e përcollën gabime të rënda, siç ishin marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin, të cilat e penguan Kosovën që të ecë përpara dhe krijuan rrethana të rënda. Marrëveshja për Demarkacionin humbi mbi 8 mijë hektarë toke të Kosovës dhe shkaktoi reagim të ashpër kundërshtues. Si pasojë e kësaj, nuk u bë as liberalizimi i vizave. Këto pasoja do ta percjellin Kosovën për shumë kohë. 

Bota sot: A duhet të ketë kushte të reja në rifillimin e dialogut të Brukselit?

Adem Salihaj: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë në kushte të reja,në të mirë të zgjidhjes së problemeve ne mes dy shteteve,e jo për t'i bërë koncesione të reja Serbisë brenda territorit të Kosovës. Tashmë Serbia ka fituar shumë koncesione brenda Kosovës,duke ndërhyrë në rregullimin e saj të brendshëm kushtetues. Kjo duhet ndalur. Dialogu i deritashëm nuk duhet të përsëritet më. 

Bota sot: Sipas raporteve të organizatave vendore, Kosova po ngec në investime të huaja, kush po i pengon?

Adem Salihaj: Biznesmenët e huaj nuk investojnë paratë e tyre në një ambient të pasigurtë për investime. Mafia politike e Kosovës është problemi kyç,pa zgjidhjen e të cilit nuk do të ketë investime serioze. Luftimi i mafias politike është një proces i gjatë dhe i vështirë,i cili kërkon qasje, koncept dhe njerëz tjerë për ta bërë këtë.

Bota sot: Demarkacioni është bërë kusht ndërkombëtar, por a po rritet Mali i Zi me territor apo kjo është kauzë opozitare?

Adem Salihaj: Demarkacioni i është vënë padrejtësisht si kusht Kosovës për liberalIzimin e vizave, kusht, i cili nuk i është vënë asnjë shteti tjetër. Ka plot shtete që kanë fituar liberalizimin e vizave,e nuk e kanë të rregulluar çështjen e kufirit. Madje, ka shtete që janë bërë anëtare të Bashkimit Europian dhe nuk e kanë zgjidhur këtë problem. Ose,siç është rasti i Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë, por i është bërë liberalizimi i vizave. Pra, Kosovës i është vënë nje kusht tendencioz dhe i pakuptimtë. 

Bota sot: A janë zgjedhjet, zgjidhje për Demarkacioni?

Adem Salihaj: Zgjedhjet nuk e kanë zgjidhur e as nuk e zgjidhin asnjë problem në Kosovë. Sa herë që kemi mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme,e ne kemi mbajtur vetëm të tilla, problemet  vetëm janë rritur. Nga e gjithë kjo ka përfituar vetëm PDK-ja dhe krimi i organizuar,askush tjetër. 

Bota sot: Duket sikur serbët po favorizohen, a mendon se po rrëshqet niveli i plotë i funksionimit të shtetit?

Adem Salihaj: Serbët kanë marrë favore të mëdha nga marrëveshjet e Brukselit dhe tashmë është cënuar rregullimi kushtetues i Kosovës. Do të ishte sukses të ndalej ky trend.

Bota sot: A kemi bërë mjaft për shqipëtarët e Kosovës Lindore, kur kemi mundur, njëfarë balancimi të të drejtave me serbët e Kosovës?

Adem Salihaj: Dy shtetet shqiptare nuk arritën të konsolidohen dhe të rrinë stabil në këmbët e tyre. Si pasojë e kësaj, nuk janë të aftë t'u ndihmojnë pjesëve të tjera të kombit,që kanë mbetur jashtë kufinjve shtetërorë të tyre. Dy shtetet shqiptare nuk kanë bërë asgjë as për shqiptarët e Luginës së Preshevës e as për shqiptarët tjerë. 

Bota sot: Z.Salihaj pasi jeni gjatë në LDK, si është LDK sot dhe çfarë do të arrini nesër?

Adem Salihaj: LDK është parti e vlerave të mëdha të lirisë dhe demokracisë, të cilat i nguliti me mund presidenti Rugova. Por, pas vdekjes së tij, LDK pati vetëm degradim dhe kohë të vështira. Tash LDK-së i duhet një rikonsolidim për t'u përballur me zgjedhjet e ardhshme.

Bota sot: A ka përçarje në LDK, sa i përket kandidaturave për zgjedhje komunale në komunën e Prishtinës?

Adem Salihaj: Unë nuk kam informata se çka po ndodh në Prishtinë,por nuk kam dëgjuar për përçarje. Do të jetë një betejë e vështirë në Prishtinë, LDK-ja duhet të pergatitet për këtë betejë. 

Bota sot: Petrit Gashi, Ismet Beqiri dhe Vjosa Osmani, janë disa nga emrat që po lakohen si kandidatë për Kryetar të Komunës së Prishtinës. Cilin prej tyre mbështesni ju?

Adem Salihaj: Unë mbështes atë kandidat që është në gjendje t'i fitojë zgjedhjet në Prishtinë dhe që e përkrahin degët e LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat