Kush janë zyrtarët që nuk e deklaruan pasurinë?

Intervista

Kush janë zyrtarët që nuk e deklaruan pasurinë?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 maj 2017 Në ora: 15:53
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli

Nga ministrat e deri tek nivelet më të ulta kanë pasur kallëzime penale, thotë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Shaip Havolli në një intervistë për “Bota sot”. Havolli thotë se të gjitha nivelet e pushtetit janë të prekura nga korrupsioni, sikurse pozitat politike, ashtu edhe nëpunësit tjerë. Ai në këtë intervistë flet poashtu edhe për deklarimin e pasurisë, raportet e AKK-së me mekanizmat e drejtësisë dhe korrupsionin në vend.

Bota sot: Si do ta luftoni korrupsionin në vend?

Shaip Havolli: Fillimisht jemi fokusuar në plotësimin dhe ndryshimin e bazës ligjore e cila rregullon mandatin dhe përgjegjësitë e Agjencisë. Në këtë proces synojmë që të arrihet harmonizimi i legjislacionin anti- korrupsion në tërësi. Aktualisht jemi në një moment kritik ku AKK-ja në bashkëpunim me projektet mbështetëse dhe akterët tjerë relevant është duke analizuar dhe shqyrtuar mundësit sa i përket ri orientimit të saj për të ardhmen, pas një dekade funksionimi. Po ashtu jemi në proces të hartimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit për periudhën e re strategjike 2018-2022. Tash për tash i gjithë angazhimi është i fokusuar në realizimin e këtyre objektivave përmes të cilave besojmë se do të përmirësohet gjendja dhe do të kemi rezultate konkrete.

Bota sot: Ju keni premtuar se do të bëni publik emrat e institucioneve vendore që do të hetohen për veprimtaritë e tyre korruptive. Kur do të bëni publike këto institucione?

Shaip Havolli: Agjencia as në të kaluarën e as tani nuk mund të bëjë publike emrat e institucioneve të cilat janë objekt i hetimeve të cilat i zhvillon, për faktin se procedura e hetimeve para Agjencisë është procedurë e hetimeve paraprake dhe zbulimi i këtyre të dhënave mbrohet me ligjin për Agjencinë kundër Korrupsionit (neni 22).

Bota sot: A e ka izoluar Kosovën dukuria e korrupsionit?

Shaip Havolli: Sigurisht se dukuria e shfaqur e korrupsionit e izolon jo vetëm Kosovën por secilin vend i cili vlerësohet se korrupsioni aty është i përhapur në mënyrë endemike. Raporti kredibil të cilin e përgatitë Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor e ketë rast edhe Kosovën konstaton se jemi në fazat fillestare të përballjes me dukurinë e korrupsionit i cili ka shtirrje endemike dhe se luftimi i korrupsionit njëkohësisht paraqitet si një nga kriteret për liberalizimin e vizave për Kosovën. 

Bota sot: Cilat nivele të pushtetit janë prekur më tepër nga dukuria e korrupsionit?

Shaip Havolli: Në bazë të evidencave dhe rasteve të cilat Agjencia i trajton dhe për të cilat kemi përcjellë edhe kallëzime penale në Prokurori mund të konkludohet se të gjitha nivelet e pushtetit janë të prekura nga korrupsioni, sikurse pozitat politike, ashtu edhe nëpunësit tjerë.

Bota sot: Kur do të bëhet publike pasuria e zyrtarëve?

Shaip Havolli: Publikimi i pasurisë se zyrtarëve të lartë publik bëhet 60 dite pas përfundimit të procesit të deklarimit të rregullt vjetor, kjo i bie që në muajin qershor do të publikohet pasuria e zyrtarëve të lartë publik.

Bota sot: Kush janë zyrtarët që nuk e deklaruan pasurinë?

Shaip Havolli: Nuk dua te përmendim emra, mirëpo të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ata që  e kanë deklaruar pas afatit dhe ata që nuk e kanë deklaruar me arsye janë publike ne ueb të AKK-së.

Bota sot: A keni informacione nëse zyrtarët që nuk deklaruan pasurinë janë gjobitur?

Shaip Havolli: Agjencia ushtron kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit kundër të gjithë zyrtarëve të cilët nuk e deklarojnë pasurinë e tyre brenda afateve të përcaktuara kohore. Në baza ditore pranojmë informacione kthyese që mbi bazën e kallëzimeve penale të ushtruara nga ne ngritën aktakuza kundër zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre ose e deklarojnë atë rrejshëm dhe zhvillohen seanca gjyqësore ku ne marrim pjesë. Raport i veçantë sa i përket numrit dhe karakterit të aktgjykimeve nga Gjykatat lidhur me rastet e mos deklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë do të prezantohet në ndërkohë dhe do të jetë publik.     

Bota sot: Sa ka vështirësi AKK-ja, të hulumtojë prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë?

Shaip Havolli: Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi verifikimi i prejardhjes së pasurisë është shumë i vështirë, sepse s’ka shumë mundësi ligjore nuk parashihen mekanizma metoda, mënyra apo mekanizma adekuat si të verifikohet kjo, mirëpo ne bazë të legjislacionin në fuqi AKK, në përpikëri e ushtron kompetencën e saj në këtë drejtim.

Bota sot: A keni pasur presione politike deri më tani?

Shaip Havolli: Deri më tani mund të konfirmojmë,  se as një formë të presionit nuk e kam hasur deri më tani sa i përket punës së Agjencisë. 

Bota sot: Sa ngurojnë zyrtarët për të deklaruar pasurinë?

Shaip Havolli: Nuk mund të konstatojmë se pse zyrtarët e lartë në përgjithësi ngurrojnë ta deklarojnë pasurisë e tyre, sepse nëse bazohemi ne përqindje kjo i bie se mbi 95%  pothuajse në të gjitha vitet zyrtarët e lartë  iu kanë  përgjigjur detyrimit për deklarim të pasurisë.

Bota sot: Çfarë raporte keni me mekanizmat e drejtësisë, sa i trajtojnë ata problemet që ju ia adresoni atyre?

Shaip Havolli: Me mekanizmat e drejtësisë raportet janë shumë të mira, vite më parë kishte hezitime në bashkëpunim kurse tash vitet e fundit janë shkëlqyera,tash trajtohen me prioritet problemet qe adresohen nga AKK-ja.

Bota sot: Sa kallëzime penale keni dërguar në Prokurori?

Shaip Havolli: Gjatë vitit 2016 kemi ushtruar gjithsejtë 66 informata dhe kallëzime penale në Polici dhe Prokurori kundër 73 personave.

Bota sot:  A keni patur kallëzime penale në nivel ministrash apo deputetësh?

Shaip Havolli: Personat e përfshirë në rastet e përcjella janë nga nivele të ndryshme duke filluar prej Ministrave e deri të pozitat më të ulta.

Bota sot: Sa prej kallëzimeve penale që keni dërguar në Prokurori janë shqyrtuar?

Shaip Havolli: Kemi informacione kthyese se rastet e korrupsionit nga Prokuroria e Shtetit janë deleguar në kompetencë të prokurorive Themelore dhe se të njëjtat po trajtohen me prioritet.

Bota sot: A i keni ju si antikorrupsion të gjitha mekanizmat për të hulmtuar rastet e dyshimta?

Shaip Havolli: Duke u bazuar në legjislacionin me të cilën AKK e ushtron misionin e saj, besojmë se nuk i kemi te gjithë mekanizmat ligjore që ne të thellohemi në të gjitha aspektet e dyshimta që kanë të bëjnë me fushën e korrupsionit, sepse kemi kufizime te theksuara ligjore për shkak se AKK bën vetëm hetime paraprake (administrative), nuk kemi të drejt kontrolle të ndryshme, masa të fshehta të hetimit, qasje në llogari bankare etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat