Pardew: SHBA-të dhe BE-ja të bëjnë përpjekje maksimale demokratike, që Maqedonia të mund të anëtarësohet në NATO dhe BE

Intervista

Pardew: SHBA-të dhe BE-ja të bëjnë përpjekje maksimale demokratike, që Maqedonia të mund të anëtarësohet në NATO dhe BE

Më: 10 maj 2017 Në ora: 07:53
James Pardew

Këto ditë pata nderin, që t'i marr intervistë Ambasadorit dhe diplomatit të shquar amerikan, z. James W. Pardew, i cili gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni ka luajt një rol të rëndësishëm në krijimin e paqes dhe, si ndërmjetësues i administratës së atëhershme të SHBA-ve, ka qenë ideatori dhe ndërmjetësuesi kryesor në arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Ai për angazhimin e tij fisnik në të mirën tonë të përgjithshme, në vitin 2015, nga ana e Universitetit të Tetovës, u dekorua me titullin më të lartë akademik, Doctor Honoris Causa. 

Image
Intervista e zhvilluar nga Profesoresha e Shkencave Politike në Universitetin e Tetovës Gjyla Çeliku.

Gjyla Çeliku: Z. Ambasador, mendoni se angazhimi i qeverisë së atëhershme amerikane, por edhe angazhimi Juaj personal më 2001 ishte një vendim i drejtë për arritjen e paqes në Maqedoni? 

James Pardew:
 Po, ishte një vendim i drejtë. Por, nëse i referohemi të kaluarës së afërt, vendimi bazë për asistencën tonë, nga njëra anë, u mor nga ana e presidentit Trajkovski dhe nga ana tjetër, liderët politikë ia dolën t'i ftonin SHBA-të dhe UE-në të asistonin në gjetjen e një zgjidhjeje negociuese sa u përket çështjeve, që po e destabilizonin Maqedoninë. Vendi ishte në tehun e shpërthimit të një lufte qytetare, gjë që mbase do të kishte çuar në shkatërrimin e Maqedonisë dhe çmimi për këtë do të ishte humbja e shumë jetëve njerëzore nga të gjitha komunitetet, që jetojnë në vend. Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua nga presidenti dhe lidershipi i atëhershëm i partive më të mëdha politike, e shpëtoi vendin, popullin dhe institucionet si dhe i dha shansin Maqedonisë të zhvillohet si një shtet demokratik. 

Gjyla Çeliku: A jeni të kënaqur me rezultatet përgjatë viteve të fundit?

James Pardew: 
Premisat bazë të Marrëveshjes së Ohrit janë përmbushur, por ende vazhdohet të bëhet rezistencë ndaj shpirtit të Marrëveshjes. Ohri e njohu Maqedoninë si një komb të unifikuar, në të cilën respektohet identiteti kulturor i grupeve etnike dhe qytetarët duhet të gëzojnë mundësi të barabarta për të arritur sukses në jetë. Unë personalisht jam i zhgënjyer, që disa liderë politikë vazhdojnë të mbjellin frikë, urrejtje dhe ndasi etnike, për t'i promovuar qëllimet e veta politike. Nëse Maqedonia dëshiron ta arrijë potencialin e saj të plotë, sensin e unitetit, kompromisin, kërkohet qëllimi i përbashkët ndër vendet udhëheqëse. Njëri ndër rekomandimet kyçe, që unë e jap në librin tim: Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe përfundimi i gjenocidit në Ballkan, i cili pritet së shpejti të dalë nga botimi, është se nuk ka të ardhme në kushte të urrejtjes, frikës dhe ndasive shoqërore. 

Gjyla Çeliku: Çfarë mund të ishte bërë më mirë? 

James Pardew: 
Shpresa ime gjithmonë ka qenë, se Marrëveshja e Ohrit do të mundësonte mbrojtje efikase të identitetit kulturor dhe mundësi të barabarta për të gjitha palët, që të shkonin përpara dhe t'u qaseshin problemeve më të mëdha, të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim etnie, siç janë zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të punës, anëtarësimi në EU dhe NATO, luftimi i korrupsionit, përmirësimi i arsimit dhe çështje të tjera të rëndësishme. Në vend të gjithë kësaj, ata vazhduan të grinden për çështje etnike. 

Gjyla Çeliku: Si do ta vlerësonit bashkëqeverisjen midis partive politike maqedonase dhe shqiptare pas 2001-shit?

James Pardew:
 Në një botë perfekte nuk do të kishte parti etnike "shqiptare" apo "maqedonase". Njerëzit do t'i zgjedhnin preferencat e tyre politike, duke u bazuar në doktrinat e përgjithshme partiake dhe duke shikuar interesin personal e jo në bazë të identitetit etnik. Megjithatë, ky është një nivel i zhvillimit politik, i cili nuk është i mundshëm për momentin. Politika është proces i balancës dhe kompromisit. Kam ngelur i habitur, se si partitë politike shqiptare nuk i kanë shfrytëzuar mekanizmat e tyre politikë, për t'i avancuar interesat legjitime të komunitetit të tyre në qeverinë maqedonase. 
 
Gjyla Çeliku: Mendoni se në Maqedoni kemi një krizë të vërtetë politike? Nëse po, kush është përgjegjës për këtë? 

James Pardew: 
Nuk do të doja ta stërdramatizoja rrezikun e situatës së tanishme. Liderët politikë në vend duhet të jenë në gjendje, që t'i zgjidhin problemet shpejt. Sidoqoftë, ngërçi i tanishëm paraqet një sulm ndaj demokracisë në Maqedoni. Unë e shoh këtë si një tentim të ish-kryeministrit Gruevski, që me çdo kusht ta ruajë pushtetin për interesa personale, edhe pse kjo e dëmton rëndë vendin. Unë gjithashtu po habitem, se si presidenti nuk shpreh gatishmëri në përmbushjen e detyrimit kushtetues dhe ta autorizojë formimin e qeverisë. Ish-kryeministri dhe presidenti e bllokojnë procesin ligjor dhe kushtetues të formimit të qeverisë së koalicionit. Maqedonia nuk është prona private e Grujevskit, me të cilën ai mund të bëjë çfarë të dojë. Liderët duhet ta pranojnë procesin kushtetues demokratik dhe sundimin e ligjit, si dhe duhet të mbajnë llogari për veprimet e tyre gjatë qeverisjes.

Tentimi i së djathtës ekstreme në Maqedoni për të përdorur forcën, që ta ndalojë procesin ligjor demokratik të formimit të qeverisë së koalicionit në Maqedoni, është i papranueshëm. Kjo sjellje nuk është e re. E njëjta ndodhi edhe gjatë bisedimeve për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, megjithatë kjo lloj qasjeje nuk hëngri bukë. Dhuna është shprehje e dëshpërimit dhe nuk besoj, se ajo edhe kësaj radhe do të funksionojë. 
  
Gjyla Çeliku: Presidenti Ivanov dhe VMRO-DPMNE-ja e akuzuan kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama për krijimin e një platforme shqiptare në Maqedoni, e cila e cënuaka Kushtetutën e Maqedonisë. Ç'mendim keni Ju për këtë? 

James Pardew:
 Meqë nuk i di të gjitha hollësitë, mendoj se është e gabueshme, që kryeministri i Shqipërisë apo zyrtarët e Kosovës të përshihen në politikën e brendshme, ashtu-ashtu të brishtë, të Maqedonisë. Kjo lloj qasjeje vetëm se i inkurajon ekstremistët etnikë, për ta minuar demokracinë në Maqedoni, duke mbjellë frikë dhe urrejtje. Shqiptarët në Maqedoni janë në gjendje t'i promovojnë interesat e tyre politike. Partitë shqiptare zotërojnë me shumë mekanizma politikë. 
Do të ishte e vështirë për çdo parti maqedonase të formonte qeveri në një proces legjitim politik, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicion. Koalicionet e këtilla ua mundësojnë shqiptarëve, që t'i promovojnë interesat e tyre në qeveri. Kështu e ka politika. 

Gjyla Çeliku: Mendoni se koalicioni midis LSDM-së dhe partive politike shqiptare do të kontribuojë në krijimin e një sistemi demokratik për të qenë dhe do ta përmirësojë jetën e të gjithë qytetarëve, pa dallim feje dhe etnie, në Republikën e Maqedonisë? 

James Pardew:
 Nëse një koalicion i tillë do t'i avanconte proceset demokratike në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë varet nga vendimet dhe veprimet, që do t'i ndërmarrë koalicioni. Nëse ata do t'i qaseshin seriozisht problemit të korrupsionit? Nëse do të krijonin një agjendë të qëndrueshme politike, për ta promovuar dhe avancuar mirëqenien e të gjithë qytetarëve njësoj në Maqedoni? Nëse qeveria e koalicionit do të bashkëvepronte për reduktimin e tensioneve ndëretnike, të krijonte mundësi të barabarta për të gjithë dhe ta çonte përpara mbarë vendin, ata do të japin një kontribut historik për shtetin dhe rajonin.

Gjyla Çeliku: Mendoni se SHBA-të dhe UE-ja angazhohen sa duhet për t'i ndihmuar Maqedonisë?

James Pardew: 
SHBA-të dhe Unioni Evropian jam i sigurtë, se do të mbështesin një proces demokratik ligjor dhe kushtetues për përzgjedhjen e liderëve politikë në Maqedoni. Gjithsesi se u mbetet liderëve dhe popullit të Maqedonisë, që të angazhohen dhe punojnë në etablimin e një sistemi politik për të qenë. Megjithatë, unë brengosem për Rusinë dhe disa vende të tjera, të cilët promovojnë nacionalizëm ekstrem, jo vetëm në Maqedoni, por në mbarë botën, përfshirë edhe SHBA-të. 
Pëveç kësaj, unë shoh disa sfera të tjera përtej paralizës së tanishme politike, ku SHBA-të dhe UE-ja mund të ofronin ndihmesën e tyre. E para, kontesti i emrit me Greqinë e stagnon shumë Maqedoninë. Me këtë rast, mendoj se SHBA-të dhe UE-ja duhet të ndërmarrin përpjekje maksimale demokratike, për ta zgjidhur këtë problem si një çështje urgjente, në mënyrë që Maqedonia të mund të anëtarësohet në NATO dhe EU. Unë gjithashtu mendoj se SHBA-të, së bashku me partnerët e tyre evropianë dhe popujt myslimanë, duhet të ndërmarrin një aksion humanitar në Siri dhe Irak, për t'i ndihmuar refugjatët, të cilët po dynden me të madhe nga zonat e konfliktit. E treta, unë mendoj se çdo demokraci duhet të jetë vigjilente në filtrimin e informacioneve të rrejshme në rajon, nëpërmjet të cilëve promovohet nacionalizmi ekstrem etnik si shterim i demokracisë së vërtetë.

Gjyla Çeliku: Ndonjë rekomandim shtesë për hapat e mëtejshëm?

James Pardew:
 Po, autoritetet ligjore duhet ta bëjnë punën e tyre. Presidenti i Maqedonisë duhet ta lejojë procesin ligjor për formimin e qeverisë së re. Policia dhe shërbimet e sigurisë duhet t'i mbrojnë pëfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike në parlament, kurse parlamenti duhet t'i përmbushë detyrimet e veta për formimin e qeverisë.

Gjyla Çeliku: Ju faleminderit shumë, i nderuari Ambasador, për kohën që ndatë të reflektoni mbi situatën politike në Maqedoni dhe për këshillat e Juaja gjithmonë të mprehta dhe frytdhënëse.

James Pardew: 
Me kënaqësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat