Mustafa zbulon detajet: Çfarë i premtoi PDK-ja Nismës për të rrëzuar Qeverinë

Intervista

Mustafa zbulon detajet: Çfarë i premtoi PDK-ja Nismës për të rrëzuar Qeverinë

Dafina Xhemaj Nga Dafina Xhemaj Më 22 maj 2017 Në ora: 09:15
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” , Kryeministri Isa Mustafa, ka zbuluar arsyen, se përse u tërhoq nga kandidatura për Kryeministër. Sipas të njëjtit nuk do diskutim së Kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të jetë Avdullah Hoti, pavarësisht se ka kandidatë që kërcënojnë e shantazhojnë punëtorët e administratës shtetërore, që kërcënojnë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, që kanë hequr dorë nga liberalizimi i vizave e që rrezikojnë të ardhmen e shtetit të Kosovës. Kryeministri Mustafa ka nënvizuar, mangësitë që po përshkojnë këtë proces zgjedhorë e që është mungesa e reformës zgjedhore. Sipas të njëjtit, ata që  bënë koalicion nën panik, pak para mesnatës, nuk ishin të interesuar për reformë, pasi ata donin ta çonin vendin në zgjedhje, duke e ditur që rënia e tyre është e madhe, ndaj po përpiqen të shpëtojnë çka mund të shpëtohet.

Bota sot: Z. Kryeministër, cilat janë synimet  juaja si parti, sa është e përgatitur LDK-ja për këto zgjedhje. Jeni tërhequr nga kandidati për Kryeministër, dhe a mendoni se në këtë garë zgjedhore do të konkurohet me njerëz që nuk janë nën hetime?

Kryeministri Mustafa: Synimet tona të padiskutueshme janë fitorja plebishitare në zgjedhjet e 11 qershorit, vazhdimi i reformave të udhëhequra nga Qeveria e kryesuar nga LDK-ja dhe ç’kapja përfundimtare e shtetit nga e keqja, proces që ne e kemi nisur dhe ne do ta përfundojmë.  Tashmë, është e qartë se Kryeministër i Republikës së Kosovës do të jetë Prof. Dr. Avdullah Hoti. Ndryshe nga dy pretenduesit tjerë, që mbahen mend vetëm për “m’the, t’thashë”, Avdullah Hoti ishte prijës i dikasterit shumë të suksesshëm në Qeverinë e Kosovës, Ministrisë që bëri reforma epokale fiskale dhe në financat e Kosovës, që e bëri Kosovën partner të padiskutueshëm të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që i siguroi vendit qasje në financat globale, që e vuri në binarë Doganën dhe ATK-në, që i dha vendit Buxhet mbi 2 miliardë euro. Ndërkaq, në anën tjetër, kemi Sa i përket personave nën hetime, ne do të zbatojmë ligjet. Nuk do të kandidojmë njerëz që janë dënuar më herët për vepra të rënda penale. LDK është e pastër si loti!

Bota sot: Po mbahen zgjedhje, ndërkohë që reforma zgjedhore ka mbetur e bllokuar. A mund të ndikojë një gjë e tillë, në manipulimin e zgjedhjeve?

Kryeministri Mustafa: Një ndër mangësitë e këtij procesi është edhe mungesa e reformës. Mirëpo, ata që tashmë bënë koalicion nën panik, pak para mesnatës, nuk ishin të interesuar për reformë. Ata donin ta çonin vendin në zgjedhje, pasi që e dinin që rënia e tyre është e madhe dhe po përpiqen të shpëtojnë çka mund të shpëtohet. Ata nuk u pajtuan edhe që Pakon Fiskale 2 ta kapërcejmë në Qeveri.  Ne nuk do të lejojmë që Kosova të lëndohet edhe njëherë nga një proces i vjedhur elektoral i cili do të prodhonte institucione jolegjitime.

Bota sot: Cila është përqindja që prisni ta merrni në këto zgjedhje? Kush do ta përbëj Listën për deputet, ndonjë emër që ja vlen të përmendet...?

Kryeministri Mustafa: Lista e deputetëve e koalicionit LDK, AKR, Alternativa dhe partnerët tjerë, ka njerëz me kredencialet më të larta akademike, morale, politike, personalitete të dëshmuar në jetën publike e institucionale, njerëz të vendosur që t’i japin njëherë e përgjithmonë fund të keqes që i kërcënohet vendit.  Ne jemi të bindur se do të korrim fitore plebishitare, e cila do t’i mundësojë Koalicionit të shpresës që të krijojë Qeverinë. Sa u përket emrave të veçantë, unë i veçoj të gjithë, ndërkaq qytetarët i radhisin sipas vullnetit të tyre. Në LDK i përkrahi sidomos ata që ishin gardian të politikave dhe vendimeve të LDK-së.

Bota sot: A i ra që PDK-ja, ju tradhtoi në një farë mënyre me përkrahjen e mocionit. Edhe si i shihni ju deklaratat e Anton Qunit, që Veseli e Thaçi duhet të shkojnë prapa grilave?

Kryeministri Mustafa: Tashmë është e qartë se PDK-ja është ideatore, porositëse dhe kreatore e mocionit që e rrëzoi edhe vetveten, pra Qeverinë ku ishin edhe ministrat e PDK-së. Ndërkaq, Nisma vetëm e ka lexuar atë, pra i ka kryer një shërbim PDK-së, me kusht që kjo e fundit t’i premtoj pozita në një Qeveri, e cila kurrë nuk do të jetësohet.  Ne nuk kemi pasur kurorë me PDK-në, por zotime politike të cilat i kanë shkelur. Pretenduan lart dhe ranë në fund të pusit. Treguan se çfarë vendime të papeshuara marrin. Del ose pason se koalicioni i cili, u zyrtarizua në panikun e mesnatës, ka qenë një dakordim i mëhershëm, ndryshe nga ç’premtonte kandidati i koalicionit të territ, i cili i mashtroi për disa ditë njerëzit se nuk do të bënte koalicion me PDK-në, e më pas, në panik e sipër, e zyrtarizoi atë.  Ndërkaq, PDK-ja e rikonfirmoi sërish se është parti e kulisave, e dredhive, e mosrespektimit të kontratave, parti që nuk e a ka asnjë pikë interesi për vendin por i intereson vetëm pushteti.  PDK iu frikësua qeverisjes së mëtejshme me LDK-në, sepse kishte filluar ç’kapja masive e shtetit, reformat po jepnin rezultate dhe atyre po iu ikte dheu ndër këmbë...

Bota sot: Edhe zgjedhjet lokale nuk janë shumë larg me kohën, kush do të jetë kandidat potencial për Prishtinën. A mund të ndodh që do të jeni ju vet...?

Kryeministri Mustafa: LDK-ja, së bashku me partnerët, është në një proces të fuqishëm të rritjes, i cili siguron fitore në zgjedhjet e 11 qershorit dhe në zgjedhjet lokale në vjeshtë. LDK do të ketë kandidatë fitues edhe në Prishtinë, në Prizren dhe qytetet tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat