Nënkryetari i AKR-së tregon pse zgjodhën LDK-në për koalicion, e jo Vetëvendosjen

Intervista

Nënkryetari i AKR-së tregon pse zgjodhën LDK-në për koalicion, e jo Vetëvendosjen

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 maj 2017 Në ora: 09:29
Korab Sejdiu, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu  thotë se koalicioni LDK- AKR- Alternativa është i përgatitur dhe i koordinuar në pikëpamje programore.

Sejdiu në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka treguar për arsyen se pse kanë zgjedhur bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Po ashtu, ai ka folur edhe për formimin e koalicionit PDK-AAK-NISMA si dhe arsyet  e tyre  për  hyrjen në  koalicion të përbashkët edhe me partinë Alternativa, që është themeluar nga Mimoza Kusari-Lila, e cila më herët ka qenë në AKR.

Në intervistë, Sejdiu ka treguar se si do t’i zgjidhin proceset e rëndësishme në vend që kanë mbetur në gjysmë, përshirë këtu edhe asociacionin dhe demarkacionin.

Ai gjithashtu ka folur edhe rreth listave të partive politike të cilat kanë njerëz nën hetime, e që sipas tij kjo është një fatkeqësi e madhe.

Bota sot: Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 11 qershor, a kanë qenë zgjedhjet në të mirën e vendit?

Korab Sejdiu: Duke pasur parasysh faktin se ka pasur një mori procesesh të cilat nuk patën mundësi të ecin përpara  dhe reformat zhvillimore mbetën peng i atyre pengesave, atëherë, shpallja e zgjedhjeve ka qenë më se e nevojshme. 

Bota sot: Sa është përgatitur koalicioni juaj për këto zgjedhjet?

Korab Sejdiu: Besoj se këto zgjedhje do të gjejnë koalicionin tonë tejet të përgatitur.  Ne jemi të koordinuar plotësisht në pikëpamje programore dhe kemi një listë të jashtëzakonshme të kandidatëve.  Një pjesë e madhe e këtyre kandidatëve janë profesionistë të shkëlqyeshëm që janë të gatshëm që të plasojnë përvojën dhe kapacitetet e tyre në shërbim të vendit.

Bota sot: Në zgjedhjet e vitit 2014 nuk e keni kaluar pragun zgjedhor, ku kishte gabuar AKR-ja, a keni ndryshuar strategji ?

Korab Sejdiu: Zgjedhjet e vitit 2014 e kanë zënë AKR-në të papërgatitur në kontekst të menaxhimit të brendshëm.  Rrjedhimisht, ka humbur mundësinë të jetë pjesë e Parlamentit.  Por  kjo nuk ka qenë tërësisht negative, sepse i ka dhënë mundësi AKR-së që të reflektojë, të riorganizohet dhe të gjejë zgjidhje për problemet me të cilat po ballafaqohet vendi. 

Bota sot: Keni diskutuar me partitë politike për mundësinë e koalicioneve, por keni vendosur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pse kjo zgjedhje?

Korab Sejdiu: Kemi biseduar shumë me LVV dhe me LDK.  Njëkohësisht, kemi shqyrtuar mundësinë e shkuarjes të vetëm në këto zgjedhje.  Mirëpo, bashkërendimi  i forcave politike ishte i vetmi opsion që ndëshkonte ata të cilët janë përgjegjës për degradimin e shtetit tonë.  Rrjedhimisht, biseduam me strukturën dhe elektoratin tonë, dhe ata ishin në favor të bashkërendimit me LDK.

Bota sot: Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar të bashkohet me koalicionin e juaj, cilat kanë qenë pikat e mospërputhjes suaj?

Korab Sejdiu: Nuk kam qenë i kyçur në diskutimet në mes të koalicionit tonë dhe VV, dhe rrjedhimisht, nuk kam informata lidhur me pikat e mospërputhjes. 

Bota sot: Në koalicion me LDK-në është edhe partia Alternativa, parti kjo që bën pjesë ish zv.presidentja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila, a paraqet problem bashkëqeverisja me të duke pasur parasysh raportet e kaluara të AKR-së me Kusari-Lilën?

Korab Sejdiu: Patjetër që jo.  Ne synojmë të qeverisim duke u bazuar në parime dhe politika specifike zhvillimore, e jo në baza personale.  Rrjedhimisht, nuk ka diçka që mund të pengojë bashkëpunimin dhe mundësinë e zbatimit të projekteve që kemi paraparë. 

Bota sot: Si e komentoni koalicionin e formuar në mes të PDK- AAK- NISMA, mendoni se është formuar nga “frika” e koalicionit tuaj?

Korab Sejdiu: Kisha thënë se është veprim i stimuluar nga panika.  Vendimi  ynë për bashkim, elektrizoi elektoratin  dhe rrjedhimisht, me gjasë i detyroi këto subjekte që të bëjnë këtë koalicion të panatyrshëm, me shpresën e vetme që të qëndrojnë në pushtet edhe pak kohë. 

Bota sot: A do të  zgjidhin zgjedhjet proceset e rëndësishme që kanë  mbetur në gjysmë?

Korab Sejdiu: Varet se kush del fitues dhe si formohet qeveria.  Nëse ne jemi fitues, atëherë, ne kemi zgjidhje konkrete dhe të shpejta për të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.  Këto procese nuk guxojnë të vazhdojnë të mbajnë peng zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve tanë. 

Bota sot: Në listat e partive politike  për deputetë janë edhe njerëz që janë nën hetime, sa është e dëmshme kjo?

Korab Sejdiu: Kjo nuk duhej ndodhur  dhe është fatkeqësi e madhe.  Kritika kyçe prej bashkësisë ndërkombëtare është mungesa e sundimit të së drejtës.  Përfshirja e njerëzve që janë nën hetime domosdoshmërish dërgon porosinë e gabuar tek partnerët tanë ndërkombëtarë dhe tek qytetarët tanë lidhur me drejtësinë në vend.

Bota sot: Pse nuk bëhet një ligj apo kod i mirësjelljes përmes së cilit të të vendosej që partitë politike të mos vendosin në listat e tyre personat nën hetime apo ata që janë me të kaluar kriminale?

Korab Sejdiu: Kjo është një çështje që nuk do duhej të ishte as në shqyrtim.  Është përgjegjësi morale për skenën politike që të ofrojnë përfaqësues të denjë të qytetarëve.  Por jemi duke jetuar në një vend ku ka filluar të mbizotërojnë anti-vlerat, dhe kjo duhet të ndalet urgjent.

Bota sot: Po mbahen zgjedhje, ndërkohë që reforma zgjedhore ka mbetur e bllokuar. A mund të ndikojë një gjë e tillë, në manipulimin e zgjedhjeve?

Korab Sejdiu: Manipulimi i zgjedhjeve nuk ka qenë kurrë çështje e legjislacionit të mangët.  Por, ka qenë moszbatim i ligjit.  Rrjedhimisht, shpresoj që ligji të zbatohet në zgjedhjet që po vinë dhe që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre dhe t’i ndëshkojnë shkelësit. 

Bota sot: Dy temat kryesore për të cilat edhe nuk kanë mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët koalicioni qeverisës LDK- PDK, kanë qenë asociacioni dhe demarkacioni, cili është qëndrimi i AKR-së sa i përket këtyre marrëveshjeve, a do t’i ratifikonit nëse do të hynit në pushtet?

Korab Sejdiu: Këto janë tema që janë komplikuar pa nevojë.  Nëse ne qeverisim, demarkacioni do të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.  Panelit shqyrtues do t’i  jepet detyrë e qartë sa i përket metodologjisë për t’u përdorur.  Kjo siguron që kjo çështje të mos jetë më në agjendë. Mali i Zi është treguar si partner bashkëpunues  dhe nuk besoj që do të jetë çështje problematike. 

Sa i përket asociacionit, ky është obligim ndërkombëtar që duhet përfunduar, por që në asnjë mënyrë nuk guxon të ketë kompetencat ekzekutive që kanë pretenduar t’i marrin.  Pra, nuk guxojmë në asnjë rrethanë që ky asociacion të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes. 

Bota sot: Çështja e liberalizimit të vizave është një çështje tjetër e rëndësishme e cila ka mbetur pa zgjidhje, kur mendoni se do të ndodh liberalizimi?

Korab Sejdiu: Liberalizimi i vizave do të ndodhë në atë moment kur ne tregojmë progres në sundim të së drejtës.  Përndryshe, do të mbesim të izoluar. 

Bota sot: Keni qenë kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e kaluara, a do të kandidoni përsëri?

Korab Sejdiu: Jo nuk do të jem kandidat në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës.

Bota sot: Si e keni parë qeverisjen e Shpend Ahmetit, sa i ka përmbushur nevojat e qytetarëve të Prishtinës?

Korab Sejdiu: Kryetari Ahmeti ka punuar dhe ka arritur suksese në disa sfera të caktuara, si QMF-të, shërbimet për qytetarë, etj.  Mirëpo, fatkeqësisht, inatet partiake e kanë penguar atë që të arrijë potencialin e plotë. 

Bota sot: Cilat kanë qenë arritjet dhe dështimet e Shpend Ahmetit gjatë qeverisjes së kryeqytetit?

Korab Sejdiu: Disa nga arritjet i përmenda më lart, mirëpo, urbanicidi mbetet problem kyç.  Edhe rrugët nuk janë duke u mirëmbajtur në nivel të duhur.  Për t’i përmendur disa. 

Bota sot: Aleanca Kosova e Re ka pasur nën qeverisjen e saj, disa komuna të rëndësishme, a keni krijuar ndonjë plan për ta fituar kryeqytetin e Kosovës?

Korab Sejdiu: Po ne kemi një program të shkëlqyeshëm për kryeqytetin.  Dhe ky program do të implementohet pavarësisht se kush është kandidati i ynë.  Mbetet që të vazhdojmë me zhvillimin e strukturës tonë në qytet, me qëllim që t’i  ofrojmë kandidatit të ardhshëm mbështetjen që i nevojitet për të fituar qytetin.  Për më tepër, kemi pesë asamblistë të shkëlqyeshëm  dhe dy drejtorë shumë të suksesshëm. 

Bota sot: Në rast se do t’i fitoni zgjedhjet parlamentare, çfarë do të ndryshonit fillimisht në Kosovë?

Korab Sejdiu: Pothuajse çdo gjë!  Por mbi të gjitha, mentalitetin.  Ne do të jemi në shërbim të qytetarit, e jo e kundërta si ka qenë deri më tani.  Sa i përket reformave, ne do të fokusohemi në zhvillim ekonomik dhe punësim, në sundim të ligjit, shëndetësi dhe arsim cilësor, si katër shtyllat kyçe programore.  Dhe,  programi i ynë në këto fusha është recept për përmirësim të dukshëm të mirëqenies së  qytetarëve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat