Vetëvendosje tregon planin për demarkacionin dhe dialogun me Serbinë

Intervista

Vetëvendosje tregon planin për demarkacionin dhe dialogun me Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 qershor 2017 Në ora: 08:21
Shqipe Pantina

Kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, thotë se e mira e qeverisë së fundit ishte që nuk zbatoj dy marrëveshje të dëmshme për vendin. Ajo ka folur më tutje për planet e Vetëvendojes për demarkacionin, ushtrinë e diaogun me Serbinë. Pantina tregon poashtu nëse i është premtuar ndonjë post ministror nga Vetëvendosja.

Bota sot: Si e vlerësoni qeverisjen e fundit?

Shqipe Pantina: Qeveria më e keqe që ka pas Kosova qysh nga paslufta. Ashtu siç u krijua mbi bazën e një pabesie që LDK i bëri VLAN,  pa parime, pa program të qartë ashtu edhe përfundoj mbi baza pabesie që kësaj radhe PDK i bëri LDK, pa arritur të përmbush asnjë nga zotimet elektorale të partive që e bënë qeverinë. E vetmja e mirë e kësaj qeverie është se nuk arriti të i zbatoj dy marrëveshjet e dëmshme që u ndalën falë rezistencës së qytetarëve të vendit e të cilës rezistencë i priu opozita.

Bota sot: Cili është plani i Vetëvendosjes për demarkacionin?

Shqipe Pantina: Zgjidhjen tonë për demarkacionin me Malin e Zi e kemi paraqitur në 6 pika kohë me parë. Marrëveshja aktuale duhet të tërhiqet nga qeveria e ardhshme për të u ri negociuar me Malin e Zi dhe për të korrigjuar gabimet që janë bërë gjatë procesit të demarkimit. Ne kemi marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe duam të i ruajmë këto marrëdhënie të mira dhe për këtë ka interes edhe Mali i Zi prandaj mendojmë se do këtë vullnet për të u ri negociuar.

Bota sot: Cili do të jetë veprimi i Vetëvendosjes karshi dialogut me Serbinë?

Shqipe Pantina: Fillimisht ne duhet të zhvillojmë dialog me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë dhe të ndijojmë integrimin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike dhe po ashtu si komunitet shumicë të garantojmë liritë dhe të drejtat e tyre. E me Serbinë duhet të bisedohet për të pagjeturit, për dëmet e luftës dhe para se gjithash për njohjen reciproke.

Bota sot: A ishte zgjidhja më e mirë rrëzimi i Qeverisë?

Shqipe Pantina: Kjo qeveri ka qeverisur shumë më gjatë se sa është dashur dhe për këtë kohë vetëm dëme i ka bërë vendit dhe nuk i soli asnjë të mirë. Qeveria kishte marrë në thua qysh ditën që u krijua dhe në fund përfundoi ashtu siç e meritoi.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për dy koalicionet kundërshtare?

Shqipe Pantina: Janë koalicione të lidhura vetëm për interesa të ngushta pa parime dhe pa program dhe të krijuara nga paniku i humbjes e jo ngase kanë një vizion apo program se si duan ta nxjerrin vendin nga kriza ku vet e kanë sjellë. Ju i shihni edhe tani përkundër faktit se kanë hyrë bashkë jo vetëm që nuk kanë koordinim por shpesh bien ndesh njëra me tjetrën e veçanërisht partitë e koalicionit PDK, AAK, Nisma dhe një grumbull partishë tjera që as emrin nuk po ua mbaj mend. Prandaj me 11 qershor qytetarët kanë dy zgjidhje, ose LVV ose krejt këto tjerat bashkë.

Bota sot: A u është premtuar nga Vetëvendosja ndonjë post ministror?

Shqipe Pantina: Vetëvendosja është e fokusuar në promovimin e programit tonë zgjedhor dhe deri më tani ne e kemi diskutuar dhe vendosur vetëm për pozitën e Kryeministrit e që është Albin Kurti.

Bota sot: Nëse Vetëvendosje merr qeverisjen, pas sa kohësh Kosova do të ketë ushtrinë?

Shqipe Pantina: Vetëvendosje synon krijimin e një ushtrie të mirëfilltë dhe profesionale prandaj krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është një ngjarje që shënohet brenda një ditë, jave apo muaji, por është një proces i tërë i cili do edhe përgatitje edhe buxhet. Por besojmë se kjo do bëhet brenda mandatit të parë qeverisës të VV.

Bota sot: A keni pas takime me LDK-në për një koalicion parazgjedhor?

Shqipe Pantina: Takimi i vetëm me LDK i mbajtur pas rënies së qeverisë tashmë është bërë publik. Takime tjera zyrtare nuk ka pasur.

Bota sot: A ndiheni të "penalizuar", për shkak se nuk lidhët koalicion parazgjedhor?

Shqipe Pantina: Përkundrazi kjo na bënë edhe më të fuqishëm sepse qytetarët tash e kanë edhe me të qartë se se kë duhet të zgjedhin për të qeverisur për 4 vitet e ardhshme.

Bota sot: Cilat janë gjasat që Vetëvendosja t'i fitoj këto zgjedhje?

Shqipe Pantina: Ne besojmë në fitoren tonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat