Abdixhiku tregon katër arsyet që iu bashkua LDK-së, ky është synimi i tij si deputet

Intervista

Abdixhiku tregon katër arsyet që iu bashkua LDK-së, ky është synimi i tij si deputet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 qershor 2017 Në ora: 07:24
Lumir Abdixhiku

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka treguar arsyet e tij pse ka vendosur të i bashkohet LDK-së.

Duke folur për kryeministrin Isa Mustafa, ai ka thënë se Mustafa ka treguar, si pak udhëheqës të tjerë në vend, aftësi të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme. Ai madje ka komentuar edhe koalicionin PDK-AAK-Nisma, për të cilin thotë se është koalicion i interesave vetanake në dëm të atyre të Republikës.

Bota sot: Përse zgjodhët t`i bashkoheshit LDK-së?

Lumir Abdixhiku: Ju bashkova LDK-së për katër arsye thelbësore. E para, sepse hapi derën për mendime e kontribuues të jashtëm me qëllim të ndërtimit të mëtutjeshëm të alternativës politike për mbrojtje e ndërtim të Republikës. E dyta, sepse është e vetmja forcë politike që ka mundësi të bëjë çkapjen e shtetit nga zaptuesit rahagjokës dhe ta kthejë të njëjtën në binarë të euroatlantikes. E treta, sepse ka një histori të madhe brenda vetes, të gjeneratve të shumta kontribuuesish intelektual që kanë formësuar e ndërtuar këtë shtet që kemi në vete. Është privilegj të jem pjesë e një rrugëtimi të tillë në të ardhmen. E katërta, dhe jo më pak e rëndësishmja, sepse ndajë bindjet e njëjta orientuese e programore në politikë, ekonomi e organizim shoqëror.

Bota sot:A  keni marrë oferta nga subjektet tjera, nëse po nga cilat?

Lumir Abdixhiku: Unë s’kam vënë veten në pazar politik. Do të ishte e pandershme ndaj vetes dhe secilit partner. Diskutimi im ka qenë i ndërtuar në relacion vetëm me LDK-në. Kemi folur mbi parimet e bashkëpunimit, orientimin në të ardhmen dhe vijat e kuqe që s’bashku do t’i kemi në këtë rrugëtim. Kemi gjetur mirëkuptim të plotë mbi parimet si këto. Produkti final i këtyre diskutimeve është shkrirë edhe në një listë unike, edhe në një program të fortë, por edhe në një pozicion politik që synon dërgimin e kapësve në opozitë për një kohë të gjatë.

Bota sot: Sa mendoni se është e përgatitur LDK-ja për zgjedhjet e 11 qershorit?

Lumir Abdixhiku: LDK-ja është unike si rrallëherë më parë. Ka një listë të pasur njohësish të të gjitha fushave me kredibilitet e duar të pastra; diçka që kundërshtarët politik nuk e kanë. LDK ka edhe një program të ndërtuar vetëm për këto zgjedhje. Mbi të gjitha, ka vizion të qartë, joeksperimental, se ku duhet të jetë Republika e Kosovës. Në këto zgjedhje po mundohemi ta përcjellim këtë mesazh tek votuesit tanë; ata të përcaktuar deri më tani, dhe të papërcaktuarit e tjerë.

Bota sot: Si e vlerësoni rolin e z. Isa Mustafa në gjithë këtë proces?

Lumir Abdixhiku: Z.Mustafa ka treguar, si pak udhëheqës të tjerë në vend, aftësi të jashtëzakonshme në unifikim të interesave të partisë, hapje substanciale me rinim të saj, si dhe vullnet e gadishmëri për të ndërtuar një rrugëtim afatgjatë, drejt së ardhmes, për LDK-në. Vendimi për moskandidim i tij dhe vendosja e platfromës poltiike në duar të “brezit të Republikës” është kontribut i madh dhe i rëndësishëm për LDK-në.

Bota sot: Sa do të jetë efektiv bashkimi i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj se në këto zgjehdje ne po hymë me një koalicion që unifikon elektoratin tradicional të LDK-së. Afërsia programore dhe orientimi në politika të njëjta politike e ka bërë këtë bashkim më natyral. Deri më tani kemi ndërtuar një sinergji të jashtëzkaonshme si në tubime ashtu edhe në organizmime të tjera të përbashkëta me degë e nëndegë nëpër të gjithë Kosovën.

Bota sot: Cili do të jetë kontributi juaj si deputet?

Lumir Abdixhiku: Do të doja të lë një shenjë, një kontirbut të dhënë, në fushë të ekonomisë, mirëqenies së qytetarëve kosovarë në arsim, shëndetësi e përkujdesje të dinjitetshme, si dhe në përfaqësim më të dinjitetshëm të Republikës jashtë e brenda. Do të provoj t’i ushtroj politikisht të gjitha bindjet e artikuluara nëpër vite si pjesë e aktiviteti publik që kam pasur deri më tani. Mbi të gjitha, do të provoj të lë shenjë të një politikani më ndryshe nga rrjedhat e deritanishme që kanë formësuar politikën tonë. Besoj këtë ja kemi borxh një gjenerate të re ksoovarësh.

Bota sot: Disa herë është përmendur emri juaj si kandidat për kryeministër, a keni pas një propozim të  tillë?

Lumir Abdixhiku: Unë jam futur në LDK si anëtar i thjeshtë. Nuk jam në këtë rrugëtim vetëm për një palë zgjedhje. Jam për të qëndruar gjatë në LDK. Do të provoj të jap kontributin tim për aq sa mundem, bashkë me shumë breza e kntibuues të tjerë që janë në LDK. Do të provoj të marr besimin qytetar nga ata që ndajnë bindjet e njëjta me mua për të qenë përfaqësues i tyre në legjislaturën e ardhshme. Përtej këtyre rreshtave nuk kemi pasur e as që duhet të kemi ndonjë diskutim.

Bota sot: Cili është mendimi juaj për koalicionin PDK-AAK-NISMA?

Lumir Abdixhiku: Besoj se është koalicion i interesave vetanake në dëm të atyre të Republikës. Janë pa ide, pa kredibilitet, e mbi të gjitha të rrezikshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. Besoj se është koalicion që s’ka alternativë për zgjidhjen e problemeve në vend, në fakt është shkaktari i të gjitha problemeve në vend. Besoj se çdo ditë vazhdimi i kapjes është ditë e rrënimit e degradimit të Republikës. Prandaj këto zgjedhje janë referendum. Referendum për vazhdimin e ndërtimit të Republikës mbi shtyllat e saja të lirisë, pavarësisë e demokracisë, apo vazhdim i kapjes, varfërimit e humbjes së gjithçkaje që breza të tërë kontribuuesish në Kosovë kanë ndëratur me mund shumë. Jam i bindur që qytetarët kosovarë do të dinë të bëjnë dallimin këtë herë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat