"Koalicioni ynë do ta realizojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës"

Intervista

"Koalicioni ynë do ta realizojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës"

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 qershor 2017 Në ora: 17:34
Flutra Bektashi

Flutra Bektashi kandidate për deputete nga radhët e koalicionit LDK- AKR- Alternativa- Lëvizja për Drejtësi, ka treguar planin e koalicionit  të tyre për zgjidhjen e demarkacionit, asociacionit,  zgjidhjen e papunësisë në vend si dhe ndryshimin që do t’i bëhej  Kosovës nëse ata do të fitonin.

Bektashi në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se kandidati i tyre për Kryeministër është personi më i qëlluar për ta udhëhequr qeverinë e Kosovës.

Bektashi e cila është kandidate nga Alternativa, në intervistë ka treguar se pse kanë vendosur të bëjnë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si arsyen se pse nuk kanë formuar koalicion me Vetëvendosjen.

Bota sot: Jeni  kandidate për deputete nga radhët e një partie që nuk ka shumë kohë që është formuar, sa do të arrini ta bindni qytetarin për votë?

Flutra Bektashi: Alternativa është parti e re e bazuar në vlera demokratike, pro evropiane, në vlera të një shoqërie ku sundon ligji dhe vetë Alternativa është e kompozuar nga intelektualë me përgatitje akademike, të cilët të vetmen objektiv e kanë prosperitetin, ekonominë dhe barazinë. Gjatë këtyre ditëve të fushatës po shihet qartë se fryma të cilën ne po e përçojmë anë e kënd Kosovës po pritet shumë mirë nga qytetarët. Ne po bëjmë çmos të kthejmë besimin e humbur të qytetarëve në vetë shtetin. Po shihet qartazi se qytetarët janë për ndryshime, e këto ndryshime janë të mundura vetëm me bashkimin e individëve me ide përparimtare dhe të guximshme që shtyllë të programit kanë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe sundimit të ligjit.

Bota sot: Pse keni vendosur që angazhimin tuaj ta bëni në Alternativë?

Flutra Bektashi: Sepse Alternativa ofron të vetmen alternativë që qytetarit të Kosovës t’ia kthejë dinjitetin dhe besimin që Kosova mund të jetë shtet demokratik.

Bota sot: Çfarë do të mund t’i dhuroni Kosovës ju nëse do të fitoni mandatin  si deputete e ardhshme?

Flutra Bektashi: Nëse sovrani më jep besimin që të jem deputete e Parlamentit të Kosovës, unë do të jem mbrojtëse e Kushtetutës së Kosovës dhe mbrojtëse e Ligjit. Do mundohem që me punën time çdo qytetari t’i jepet mundësia për një jetë normale e cila ju takon me Kushtetutë dhe norma elemetare të Kombeve të Bashkuara, e ku secili individ  pa marrë parasysh gjininë, moshën, etninë,  do jetë i barabartë para ligjit.

Personalisht do fokusohem në mbrojtjen e të drejtave të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë sonë, personave me aftësi të kufizuara dhe të personave me varshmëri nga narkomania.  

Bota sot: Keni nënshkruar koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si ka ardhur deri tek ky vendim?

Flutra Bektashi: Në prill të këtij viti Alternativa ka marrë vendim që të angazhohet në një front të përbashkët dhe të gjerë politik që ka program të qartë dhe së bashku të shkohet në zgjedhje me qëllim që të përfundohet një keq-qeverisje 18 vjeçare. Koalicioni ynë ka pasur bisedime edhe me Lëvizjen Vetëvendosje për ndonjë marrëveshje eventuale parazgjedhore,  mirëpo vendimi i Vetëvendosjes ishte të shkojë vetë në këto zgjedhje.

Bota sot: Sipas një sondazhi gjerman kandidati për Kryeministër nga koalicioni juaj, Avdullah Hoti, është i pari,  mendoni se do të votojnë njëjtë edhe qytetarët më 11 qershor?

Flutra Bektashi: Nuk kam kurrfarë dyshimi se zoti Avdullah Hoti është personi më i qëlluar për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës, duke marrë parasysh profesionalizmin e madh të cilin e disponon, sinqeritetin të cilin është duke e shprehur para qytetarëve të Kosovës dhe si një person me një të kaluar shumë të pastër personale e profesionale. Zoti Avdullah Hoti në krahasim me dy kandidatët e tjerë për kryeministër ka kredibilitetin më të madh ndërkombëtar.

Bota sot: Keni bërë fushatë në vende të ndryshme të Kosovës, në cilën komunë ka më shumë përkrahje koalicioni juaj?

Flutra Bektashi: Qartazi po shihet që koalicioni LDK - Aletrnativa -AKR- Lëvizja për Drejtësi sipas rrjedhës së deritanishme ka gjetë përkrahje të madhe në çdo komunë të Kosovës, pa dallim. Nëse kësaj i shtojmë numrin e madh të kandidatëve për deputetë me thirrje akademike kjo vetëm sa forcon bindjen e qytetarit se ata e kanë shumë lehtë të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Bota sot: Me cilat problemet ballafaqohen më shumë qytetarët e Kosovës,  për të cilët kanë kërkuar edhe ndihmën tuaj?

Flutra Bektashi: Qytetarët e Kosovës ballafqohen me shumë probleme por ajo për çka ata janë më së shumti  të brengosuar janë: papunësia e madhe dhe varfëria e skajshme, korrupsioni dhe kapja e shtetit si dhe mungesa e ligjit.

Bota sot: Cili është plani juaj për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë?

Flutra Bektashi: Koalicioni ynë ka plan të qartë të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit e ku janë të përfshira këto pika kyçe: që brenda 4-6 viteve norma e papunësisë të jetë njëshifrore, që çdo familje ta ketë së paku një të punësuar, paga minimale në sektorin privat të jetë 210 euro bruto.

Sektori privat të jetë gjeneratori i investimeve dhe të promovohen iniciativat private, të nxitet konkurrenca e lirë dhe të kemi treg të hapur.

Bota sot: Marrëveshjet demarkacioni dhe asociacioni kanë mbetur pa zgjidhje, cila do të ishte zgjidhja nëse do të hynit në qeveri?

Flutra Bektashi: Ne si koalicion kemi qëndrim të përbashkët sa i përket demarkacionit dhe asociacionit. Demarkacioni do të zgjidhet me konsensus të gjerë politik, ndërsa Asociacioni të zgjidhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Bota sot: Liberalizimi i vizave është një çështje tjetër e rëndësishme që ka mbetur pa zgjidhje, çfarë do të bënte koalicioni juaj në këtë aspekt, cili është plani?

Flutra Bektashi: Koalicioni ynë do mirret shumë seriozisht me të gjitha kushtet që në të ardhmern Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë sa më shpejt në mënyrë që të zhbllokohet procesi për liberalizimin e vizave. Koalicioni ynë është i vetmi formacion politik në Kosovë me kredibilitet kombëtar e ndërkombëtar që do jetë në gjendje ta realizojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Bota sot: Çfarë do të ndryshonte fillimisht në Kosovë nëse do të fitonte koalicioni juaj?

Flutra Bektashi: Do të fitonim fillimisht do ta ndryshonim sundimin  e Ligjit, zhdukjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, krijimi i vendeve të reja të punës, barazia sociale, gjinore dhe etnike, si dhe integrimi i Kosovës në familjen e madhe Evropiane si shtet me vlera demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat