Një zë që synon të kap majat në muzikë

Intervista

Një zë që synon të kap majat në muzikë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 qershor 2017 Në ora: 17:59
Floriana Imeri

Ndonëse e vogël ka lënë Kosovën dhe ka shtegtuar për në Gjermani me familjen e saj, këngëtarja e ëmbël Floriana Imeri kthehet me një imazh të ri prej këngëtare, duke rrëfyer për “ Bota Sot” shumë gjëra të bukura nga jeta e saj.

Ajo flet me shumë pasion për këngën, vendlindjen e saj, miqtë, bashkëpunuesit e këngës, njerëzit e dashur që atë e rrethojnë dhe për gjithçka çka preket e shihet. Ajo pretendon ti mbërrijë majat e suksesit pasi me zërin e saj magjepsës tani ka pushtuar shumë dashamirë të këngës.

Bota Sot: Floriana, na trego diçka për veten dhe rreth inkuadrimit tënd në botën e muzikës?

Floriana Imeri: Jam Floriana Imeri , kam lindur ne Kosovë në vitin 1992 në Drenas gjegjësisht në (Nekovc) dhe që nga mosha 2 vjeçare jetoj në Gjermani në Bietigheim afër Stuttgartit.Unë edhe pse jam rritur në Gjermani, për asnjë moment nuk e kam harruar vendlindjen time, Kosovën dhe njerëzit e mi dhe popullin tim. Që nga mosha 13 vjeçare kam filluar të merrem me muzikë fillimisht në ambiente familjare e pastaj nëpër organizime të ndryshme dhe kjo gjë siç duket më ka dhënë edhe më shumë jetë brenda vetes.

Bota Sot: Kur keni kënduar për herë të parë një këngë?

Floriana Imeri: Siç thashë edhe më parë që nga mosha 13 vjeçare kam filluar të këndojë dhe mendojë se aty i kam marrë hapat e parë. Sigurisht pra paraqitja ime e parë ka qenë pranë ambienteve familjare, shokëve e shoqeve e pastaj më përkrahjen e tyre dhe me lëvdata e tyre për zërin tim, kam vazhduar të prezantohem edhe me gjerë.

Bota Sot: Ju keni lancuar një këngë të re tani me videoklip? Mund t`na flsibni diçka për këtë?

Floriana Imeri: Po është e vërtetë. Pra këto ditë sapo ka dalur videoclipi im më i ri. Është një këngë ritmike argëtuese, mjaft e kapur për vesh dhe për shpirt andaj shpresojë që do ti pëlqejë  edhe publikut. Për këtë këngë kam bashkëpunuar me Arsim Bunjakun i cili e ka shkruar tekstin dhe e ka bërë muzikën, si dhe me Burim Krasniqin i cili ka bërë orkestrimin si dhe EMFCreativ që punoi me përkushtim për të dal sa më mirë videoclipi. Pra të gjithë së bashku, krijuam një këngë të mirë, që mendoj sado pak është një këngë e kompletuar, që do të dëgjohet çdo herë, e në çdo kohë.

Image
Floriana Imeri

Bota Sot: Do presim ndonjë bashkëpunim të ri nga ju?

Floriana Imeri: Po kam disa plane për të ardhmen. Tani jam duke punuar 2 këngë, njëra këngë është duke u përgatitur për një bashkëpunim, por megjithatë do të doja ta lija surprizë për adhuruesit e këngës.

Bota Sot: Floriana, ju keni marrë pjesë edhe në Voice of Germany, gjë që nuk është lehtë ta zgjosh në këmbë jo vetëm sallën por edhe jurinë? Na flisni pak për këtë eksperiencë?

Flroriana Imeri: Po është e vërtetë, në vitin 2014  unë kam marrë pjesë në “The Voice of Germany” dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Të them të drejtën ka qenë shumë e vështirë të depërtosh në mesin e shumë zërave të bukur që konkurroni aty, por kujtojë se me vullnet të mirë dhe me punë të palodhshme mund ti arrish të gjitha kulmet e sukseseve. Andaj pa modesti e them se aty kam arritur vetëm me punë dhe me përkushtimin tim, deri në 16 nga më të mirët e aducionit “ The Voice Of Germany”.

Bota Sot: Cila është kënga juaj më e dashur?

Floriana Imeri: Pasi që unë kam shumë dëshirë që të këndojë balada kënga "Më meriton" mendoj se është kënga që unë  e këndojë me shumë  dëshirë dhe që më flen në shpirt. Po ashtu mund të them se kjo këngë është pritur shumë mirë nga adhuruesit e mi dhe është duke u dëgjuar e pëlqyer mjaft shumë.

Bota Sot: Çfarë duhet të ngërthejë një këngë në vetë, që të mos vdes kurrë?

Floriana Imeri: Pyetje shumë me vend. Kujtojë se një këngë për të qenë e pavdekshme duhet të ketë vijën melodike, tekstin, aranzhmanin, dhe të ngërthejë në vete shpirtin e artstik. Po ashtu një këngë duhet të këndohet me zemër dhe ta përjetosh çdo tingull e çdo notë, dhe të ketë një mesazh nga brenda, sepse vetëm ashtu mund ta ruaj cilësinë e një këngë të kompletuar në mënyrë që të dëgjohet edhe më pas, gjeneratë pas gjenerate.

Bota Sot: Bashkëpunoni me ndonjë tekstëshkrues?

Floriana Imeri: Po bashkëpunoj me disa tekst shkrues si psh. Arsim Bunjaku , Besim Bunjaku , Shkelqim Mavraj. Për Musik dhe Orkestrim kam bashkëpunuar deri me tani me Burim Krasniqin, Naim Krasniqin, Record Studio Dreni, Xhevdet Gashin etj..

Bota Sot: Ju keni një stil unit, na thoni se kush përkujdeset për lukun tuaj?

Floriana Imeri: Me thënë të drejtën për lukun tim, përkujdesem vet dhe sigurisht që edhe familje ime motrat p.sh në të shumtën e rasteve më këshillojnë për shumë gjëra, mirëpo mos të harrojë të them se kam edhe një shoqe e cila studion designin në Stuttgart dhe shpesh herë më sugjeron se çfarë veshje më përshtatet më bukur me personalitetin tim dhe me imazhin që unë kam.

Bota Sot: A ndjeheni e plotësuar në jetën tuaj ?

Floriana Imeri: Po fatmirësisht ndjehem shumë e plotësuar pasi që kam familjen e shëndosh një bashkëshort që më mbështet në çdo hap tipin, dhe në të gjitha aspektet e jetës.

Bota Sot: Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Floriana Imeri: Një ditë e zakonshme, kur jam në vikend fillon me kafe me njerëzit e zemrës, kurse ditët tjera, me përgatitje për punë, dhe natyrisht me njerëz pozitiv rreth vetes.

Bota Sot: Merreni me gjë tjetër përveç muzikës?

Floriana Imeri: Përveç muzikës unë jam e punësuar në një ordinancë Stomatologjike, pasi edhe kam përfunduar shkollimin përkatës për këtë lëmi.

Bota Sot: Cilat janë projektet e tua të ardhshme? Ke plane?

Foriana Imeri: Projekti i ardhshëm do të jetë një bashkëpunim me një artist të njohur për të cilën thashë edhe më herë se po e lë si surprizë për publikun, dhe disa këngë solo që mendoj ti realizojë së shpejti.

Bota Sot: Mesazhi juaj?

Floriana Imeri: Mesazhi im për të gjithë është që gjithmonë të rri vetvetja dhe e buzëqeshur, sepse jeta është e bukur kur di ta jetosh atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat