Vetëvendosje nuk i beson Thaçit, Kurteshi tregon me kënd planifikon të bëjë koalicion VV-ja

Intervista

Vetëvendosje nuk i beson Thaçit, Kurteshi tregon me kënd planifikon të bëjë koalicion VV-ja

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 korrik 2017 Në ora: 07:50
Sami Kurteshi

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e konsideron të suksesshme rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit. Kurteshi, i cili më herët ishte Avokat i Popullit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kundërshtimit të koalicionit PAN derisa ka theksuar se ka një disponim shumicë në LVV për një koalicion qeverisës me koalicionin LAA. Kurteshi po ashtu ka thënë se mund të përsëritet situata e vitit 2014 në rast se Presidenti Thaçi bën shkelje kushtetuese.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Sami Kurteshi: Zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, sipas informatave të deritanishme, ishin zgjedhjet me më së paku shkelje ligjore. Në lokalitetet serbe të Kosovës ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga Serbia  mbi qytetarët dhe qytetaret për të votuar për të ashtuquajturën “Lista Serbe”. Ky presion nga Serbia është bërë pjesërisht edhe me bekimin dhe me lejen e institucioneve të Kosovës. Kjo dëshmon edhe njëherë më shumë për dështimin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovë

Kur është fjala te rezultatet, nga votuesja dhe votuesi kosovar është dhënë sinjal i qartë për ndryshime. Këtë ndryshim e ka theksuar dhe thekson vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje! Pritjet e qytetare/ëve dhe zotimet e LVV janë në përputhshmëri të plotë. Në aspektin statistikor, LVV ka rritur numrin e votave mbi 100 %, kurse të ulëseve në Kuvend 100%. Të gjitha partitë e tjera, kanë humbur votues dhe ulëse në Kuvend, dhe në rastin më fatlum kanë mundur të ruajnë numrin e njëjtë të ulëseve në Kuvend (Nisma).

Rritja e tillë  e LVV domethënë pritje për ndryshime të udhëhequra nga LVV dhe njëkohësisht dënim për gjithë mënyrën e deritanishme të qeverisjes nga partitë ekzistuese, të cilat për 17 vite, duke përjashtuar qytetarin nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja politike, më shumë kanë sunduar sesa qeverisur, duke e katandisur Republikën e Kosovës në gjendjen shoqërore, ekonomike, politike në të cilën gjendemi sot. Këtë e vërtetojnë sidomos rënia drastike në vota dhe rrjedhimisht me ulëse në Kuvend e PDK dhe LDK. Qytetari/ja e Republikës së Kosovës këto dy parti i konsideron fajtorët kryesorë për këtë gjendje të krijuar. Me të drejtë! Këtë e ka dëshmuar me votën e 11 qershorit.

“Bota sot”: Keni fituar mandatin e deputetit për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit. A e keni pritur këtë?

Sami Kurteshi: Po, qytetaret dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë vlerësuar punën dhe angazhimin e LVV dhe në këtë kuadër edhe punën time politike me votën e tyre.

Unë jam angazhuar dhe angazhohem vazhdimisht për aktivizmin e qytetar, për ndërgjegjësimin e tyre, për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe të vendimmarrjes në jetën publike. Rritja e dyfishuar e LVV është rezultat i kësaj pune të aktivisteve dhe aktivistëve të LVV me qytetarët. Dyfishimi i ulëseve në Kuvend është vetëm rrjedhim logjik.

 “Bota sot”: Vazhdoni të jeni kundër koalicionit me PAN, apo keni ndryshuar qëndrim?

Sami Kurteshi: Jo, LVV nuk ka ndryshuar qëndrim në këtë pikë. Dhe as që shihet në horizont ndonjë ndryshim qëndrimi në këtë drejtim në LVV. Natyrisht, kjo vlen vetëm derisa boshtin politik të koalicionit PAN e përbën PDK.

LVV vazhdon të mbetet e hapur për partitë që kanë përbërë opozitën e suksesshme 3 vjeçare për ndalimin e cenimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial nga koalicioni PKD-LDK në periudhën 2014-2017. Po ashtu, LVV mbetet e hapur për të gjithë ato deputete dhe ata deputetë të PDK dhe të partive të tjera politike që pajtohen me programin qeverisës të LVV.

 “Bota sot”: Po sa i përket bashkëpunimit me koalicionin LAA?

Sami Kurteshi: Po. Ka një disponim shumicë në LVV për një koalicion qeverisës me koalicionin LAA, bazuar në parimet demokratike, pas bisedimeve që do të mundësonin një pajtueshmëri të shëndoshë qeverisëse, për ndarjen e punëve dhe të përgjegjësive.

Natyrisht, koalicioni LAA u ka mbetur borxh qytetarëve për bërjen publike të një programi qeverisës, të cilin nuk e ka dhe nuk ka mundur ta bëjë për shkak të mospërgatitjes politike si dhe nxitimit theqafjes për të krijuar koalicione parazgjedhore, me të vetmin qëllim - mbetjen në pushtet. Këtë injorancë dhe uri pushtetore e ka vërejtur qytetari i thjeshtë në masën e duhur për ta dënuar me mosdhënien e votës, edhe pse në masë më të vogël se PDK-në.

“Bota sot”: A do të pranonte VV-ja që të jetë pjesë e qeverisë por të mos e ketë postin e kryeministrit?

Sami Kurteshi: Nuk mund të bisedohet për emra të përvetshëm derisa nuk ka një program të shkruar qeverisës, një zotim nga ana LAA për të cilin mund të fillohet diskutimi për pajtim apo përafrim programor. Vetëm kur ata e dinë se çfarë duan saktësisht dhe, nëse nuk është i vetmi kusht mbetja në pushtet me çdo kusht, atëherë mund të bisedohet për ndarjen e punëve dhe përgjegjësive qeverisëse.

Në çdo rast, përgjegjësinë kryesore do ta ketë LVV, bazuar në parimin demokratik të shumicës, bazuar në parimin e transparencës programore, bazuar në parimin e mbështetjes plebishitare për ndryshime. LVV është përcaktuar qartë për ndryshimin, për një shtet zhvillimor, për një shtet social dhe për shtetin e së drejtës ligjore, me masa konkrete qeverisëse të bëra publike.

Ndryshimin mund ta bëjë dhe udhëheqë vetëm LVV në krye me të nominuarin për kryeministër Albin Kurtin, që është “zotuar me mendje dhe është betuar me zemër” për këtë.

“Bota sot”: Sa janë gjasat sipas jush që qeveria të formohet deri me 10 korrik?

Sami Kurteshi: Nuk di të them saktësisht asgjë në këtë drejtim, sepse nuk di çfarë do të thotë 10 korrik saktësisht. Pse kjo datë? A është një datë e caktuar nga ndonjë institucion kompetent?

Nëse mendohet se atë ditë do të vendoset për qeverinë e re në Kosovë, sipas mendimit time gjasat janë minimale, për të mos thënë është edhe teorikisht e pamundur.

“Bota sot”: A mendoni se mund të përsëritet skenari i vitit 2014, që të kemi bllokadë institucionale?

Sami Kurteshi: Jo, përveç nëse i ashtuquajturi President bën shkelje kushtetuese, ashtu si ka bërë në vazhdimësi.

“Bota sot”: Po që vendi të shkojë sërish në zgjedhje?

Sami Kurteshi: LVV do të bëjë të gjitha përpjekjet dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme dhe të lejueshme politike në një shoqëri demokratike për të mos lejuar përsëritjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.  Sepse kjo do të ishte një zhvatje krejtësisht e paarsyeshme e buxhetit edhe ashtu skajshmërisht të varfëruar nga vjedhja dhe plaçkitja që i është bërë nga partitë politike në pushtet tani e 18 vjet.

“Bota sot”: Vetëvendosje ka shënuar rritje të numrit të votave në këto zgjedhje. Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale?

Sami Kurteshi: Nga zgjedhjet lokale presim që trendi i rritjes së ndërgjegjësimit të qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës në kuptimin e aktivizmit qytetar, të vazhdojë. Kjo është garancë e sigurt për fitoren e radhës të LVV. Vetëm kjo e shpëton Kosovën nga zhvatja, nga plaçkitja, nga krimi i organizuar institucional, nga cënimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial, ndërsa qytetarit i kthen dinjitetin njerëzor e kombëtar të nëpërkëmbur nga partitë politike të cilat kanë sunduar Kosovën në 18 vitet e kaluara.

“Bota sot”: A do të kandidojë Shpend Ahmeti për kryetar të Prishtinës?

Sami Kurteshi: Për këtë duhet ta pyesni Shpendin. Bazuar në deklaratat e deritanishme publike, besoj se po.

Vota për LVV në këto zgjedhje ka dëshmuar qartë edhe kërkesën për një qeverisje komunale në krye me Shpend Ahmetin.

“Bota sot”: A do të ketë bashkim kombëtar nëse Vetëvendosje qeverisë vendin?

Sami Kurteshi: Si synim politik programor LVV e ka bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar është proces, është më shumë se një akt i vetëm e përmbarues. LVV do të punojë në krijimin e mundësive dhe të rrethanave për bashkimin kombëtar. Bashkimin kombëtar e bën populli me referendum. Kjo është rruga e vetme demokratikë e vendimmarrjes në një shoqëri të lirë e demokratike.

“Bota sot”: Si do të veproni me demarkacionin dhe asociacionin si qeveri e Kosovës?

Sami Kurteshi: Këto janë dy çështje të cilat qeveria e udhëhequr nga LVV do t´i vë në binarë të duhur dhe të drejtë institucionalë përmes angazhimit politik institucional dhe komunikimit të sinqertë me fqinjët, me popullin dhe me të gjithë aktorët vendimmarrës në Republikën e Kosovës. Asnjë veprim i njëanshëm në dëm të askujt, duke respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe dinjitetin njerëzor e kombëtar të të gjithëve. Natyrisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë fjalën e fundit në këto proces.

“Bota sot”: Po për liberalizimin e vizave kur mendoni se do të bëhet?

Sami Kurteshi: Liberalizimi i vizave është një proces që varet prej shumë faktorëve. LVV do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të domosdoshme për të mundësuar një orë e më parë lëvizjen e lirë, të dinjitetshme të qytetarëve të Kosovës në botë. Programi qeverisës i LVV është programi i vetëm politik që bën të mundur liberalizimin e vizave në afatin më të shkurtë të mundshëm. Sepse ky është një  program që është në përputhje të plotë me filozofinë politike të BE dhe shteteve demokratike në botë.

 “Bota sot”: Kur mund të shpresohet në formimin e ushtrisë së Kosovës?

Sami Kurteshi: Një datë të saktë sigurisht nuk ka. LVV nuk do kërkojë leje as nga Serbia dhe nga askush tjetër për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Kjo do të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me miqtë e Kosovës që Kosovën e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Cili është mesazhi për qytetarët që të votuan dhe si do t’i përfaqësosh ata si deputet?

Sami Kurteshi: LVV dhe unë personalisht do të përpiqemi të ndërtojmë një shtet zhvillimor, social dhe shtet të së drejtës ligjore. Ne do të angazhohemi për një shtet që është në shërbim të qytetares/it dhe jo ta sundojë atë. Ne do të angazhohemi dhe luftojmë pandërprerë për zhdukjen e krimit të organizuar institucional, të korrupsionit, të nepotizmit, vjedhjes dhe zhvatjes së pasurisë shoqërore dhe private. Do të angazhohemi për punësim, për arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe zhvillim të shëndoshë, të qasshëm dhe të drejtë për të gjithë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat