Anëtari i VV-së tregon arsyen pse mandati i Vetëvendosjes nuk është në dorën e Thaçit

Intervista

Anëtari i VV-së tregon arsyen pse mandati i Vetëvendosjes nuk është në dorën e Thaçit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 korrik 2017 Në ora: 08:06
Adnan Rrustemi

Adnan Rrustemi, anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një intervistë për “Bota sot”, thotë se zgjedhjet e 11 qershorit e nxorën si fituese të madhe Lëvizje Vetëvendosje, ndërsa ‘mendësia qeverisëse e instaluar nga PDK-ja mori ndëshkimin masiv  të merituar në këto zgjedhje’. Ai ka vlerësuar më tutje edhe procesin e zgjedhjeve, çertifikimin e rezulateve dhe votimin e diasporës. Sa i përket mandatarit, Rrustemi thotë se Vetëvendosjes i takon ligjërisht dhe se, kjo nuk është në dorën e Presidentit Thaçi e as nuk varet nga vullneti i tij.

Bota sot: Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Adnan Rrustemi: Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit nxori një fitues të madh dhe një humbës të madh. Fituese është padyshim Lëvizja VETËVENDOSJE!, përreth së cilës u mblodhën qytetarët që po kërkonin dhe prisnin ndryshime në mënyrën e qeverisjes dhe politikat që duhet ndjekur qeveria e ardhshme dhe Albin Kurti si i nominuar për Kryeministër, sikurse vërtetoi se angazhimi politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e kaluar ishte edhe i drejtë, por përfaqësonte edhe pritjet dhe interesat e qytetarëve. Në anën tjetër, mendësia qeverisëse e instaluar nga PDK-ja mori ndëshkimin masiv  të merituar në këto zgjedhje.

Bota sot: A ka pasur manipulime në zgjedhje?

Adnan Rrustemi: Zgjedhjet në përgjithësi  ishin të qeta dhe demokratike. Në ditën e zgjedhjeve dhe në vendvotime procedurat e votimit ka qenë në përputhje me ligjin. Megjithëkëtë, procesi i organizimit është përcjellë më mangësi të ndryshme, eliminimi i të cilave do ta bënte edhe me më integritet procesin, por edhe procesi i votimit do të ishte më i saktë, më i drejtë dhe pjesëmarrja më e gjerë. Këto  shqetësime në përgjithësi kanë të bëjnë me vështirësitë dhe pengesat për pjesëmarrjen në zgjedhje të mërgatës, informimi dhe edukimi i mangët i votuesve, numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, organizata vëzhguese fantome, prania e personave të paautorizuar përreth qendrave të votimit, trajnimi i dobët i komisionerëve dhe numri i madh i rinumërimeve të kutive. Këto shqetësime dhe aspekte tjera duhet të adresohen nga KQZ-ja dhe institucionet tjera, që në zgjedhjet e ardhshme të mos na përsëriten.

Bota sot: Pse u vonua në certifikimin e rezultateve?

Adnan Rrustemi: Vonesat me shpalljen dhe certifikimin e rezultateve kanë ngjallur shqetësime, duke e bërë me të drejtë të padurueshëm pritjen e përmbylljes së procesit. Në përgjithësi, vonesat kanë ardhur nga numri i  madh i kutive të rinumëruara, e të cilat janë pasojë e trajnimit të dobët të komisionerëve, por edhe të mospërputhjeve të votave të kandidatëve me votat e partive të tyre. Më pastaj procedurat e ankesave kanë ndikuar po ashtu në zgjatjen e periudhës deri në certifikim. Jashtë këtyreve, ne kemi një sistem të numërimit të votave në nivel të vendvotimit, që në njërën anë ofron rezultate fillestare të shpejta, por nuk garanton saktësi, ndërsa kemi  futje të dhënave dhe tabulim të rezultateve shumë të cetnralizuar në një vend të vetëm në shkallë vendi, që ndikon në vonesa të shumta derisa të përmbyllet çdo aspekt. Është mëse e nevojshme që aspekti i numërimit të votave të rishikohet, qoftë duke u ndryshuar mënyra e rinumërimit, duke e bërë numërimin në qendra komunale të numërimit, apo ngritjen e kapaciteteve të KQZ-se që disa prej aktiviteteve që realizohen në QNR të përmbushen në nivel lokal.

Bota sot: Çfarë ndodhi me votimin e diasporës?

Adnan Rrustemi: Votimi i mërgatës është përcjellur me shumë vështirësi dhe pengesa. Fillimisht, votuesit nga mërgata në fazën e regjistrimit janë përballur me vështirësi të shumta. Që nga mungesa e informimit për mënyrën dhe kushtet e regjistrimit, periudhës së shkurtër, pastaj rënies së serverit dhe kthimit mbrapsht të kërkesave e imeileve të bashkatdhetarëve për të marr pjesë në zgjedhje, kanë bërë që shumë votuesve nga mërgata, praktikisht të ju mohohet e drejta kushtetuesve për të votuar. Përtej kësaj, periudha e votimit ishte edhe më shqetësuese, ngase për shkak të periudhës së shkurtër nuk arritën që të dërgojnë fletëvotimet as të paktën ata që tashmë kishin arritur që të regjistrohen, duke bërë kështu që vetëm rreth 4000 votues të arrijnë që të votojnë nga rreth 14000 sa ishin regjistruar. Numri i vogël i votave nga mërgata nuk e shpreh as përafërsisht as numrin e bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, por as interesimin dhe gatishmërinë e tyre. Prandaj, institucionet shtetërore duhet ta marrin me prioritet pjesëmarrjen e mërgatës në zgjedhje, duke ua mundësuar që të votojnë edhe në ambasada e konsullata, përveçse përmes postës.

Bota sot: Sipas juve, a ka shkuar mirë procesi i zgjedhjeve?

Adnan Rrustemi: Në përgjithësi ka shkuar mirë, por mbetet shumë për t’u bërë që të sigurohemi që procesi zgjedhor nuk është i cënueshëm, por edhe pjesëmarrja në zgjedhje të jetë më e lartë dhe vullneti i votuesve të garantohet. Megjithkëtë, duhet ta theksojmë që në komunat me shumicë serbe, vecanërisht në pjesën veriore të Republikës, Lista Serbe dhe strukturat paralele të Serbisë kanë ushtruar presion dhe kontroll mbi votuesit serbë, dukë e deformuar kështu vullnetin e votuesve serbë, me synimin që votat të shkojnë vetëm për Listën Serbe që po ndjekë politikat e Serbisë këtu.

Bota sot: Sipas juve, a duhet presidenti Thaçi t’ua jap Vetëvendosjes mandatarin?

Adnan Rrustemi: Në një demokraci kushtetuese dhe parlamentare, çështja e mandatarit, sikurse asnjë çështje tjetër nuk i lejohet vullnetit të individit, kushdo që të jetë ai. Edhe në këtë rast, mandatari i dytë nuk është as në dorën e  Hashim Thaçit e as nuk varet nga vullneti i tij. Kjo është çështje kushtetuese dhe është detyrim kushtetues i tij që ta përmbush procedurën, duke i dhënë subjektit të radhës mandatin për krijimin e Qeverisë. Kjo është edhe e drejtë dhe ajo çfarë presin qytetarët e Republikës, përvecse edhe kushtetuese.

Bota sot: A e shihni si fitore të Vetëvendosjes rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Adnan Rrustemi: Pa dyshim që fituesja e vetme në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje! Nga këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje! ka më shumë se dyfishim votash në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Përballë koalicioneve është bindshëm subjekti i parë në dhjetë komuna, ndërsa pothuajse në secilën komunë tjetër e ka dyfishuar rezultatin dhe është e para përballë partive tjera pjesë të dy koalicioneve. Tanimë Lëvizja Vetëvendosje! ka 32 mandatë me diferencë diku rreth 10 deputetë më shumë se PDK dhe LDK si parti të përveçme.

Bota sot: A është e gatshme KQZ-ja për zgjedhjet lokale?

Adnan Rrustemi: Tanimë, zgjedhjet lokale janë shpallur dhe KQZ-ja ka filluar përgatitjet. Janë emëruar komisionet komunale zgjedhore dhe janë përcaktuar aktivitetet dhe detyrimet për tërë ciklin zgjedhor. Por, i mbetet KQZ-së që sa më parë, të analizojë procesin e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe nxjerrë mësimet për pengesat dhe mangësitë e ngritura në zgjedhjet e kaluara, me qëllim të mos përsëriten dhe kështu procesi zgjedhor i 22 tetorit të jetë sa më gjithëpërfshirës, i drejtë dhe me integritet.

Bota sot: Sipas juve a mund të ndikoj rezultati i zgjedhjeve të para në ato lokale?

Adnan Rrustemi: Pa dyshim, që ky vullnet masiv për ndryshim i këtyre zgjedhjeve, do të reflektohet, madje do të thellohet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke bërë që një numër i madh komunash të qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje! Besimin që Lëvizja ka marrur në këto zgjedhje, do ta përmbushë edhe në nivel të qeverisjes lokale, duke u ofruar qytetarëve alternativën dhe kandidatët më të mirë që do të qeverisin me përkushtim, profesionalizëm e përgjegjësi, për t’i kthyer kështu komunat në shërbim të qytetarëve – kërkesave e nevojave të tyre, e mbi të gjitha në funksion të zhvillimit e mirëqenies së gjithmbarshme! Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! në zgjedhjet lokale do të jetë edhe më e thellë, sikurse humbja e partive që kanë qeverisur do të thellohet edhe më shumë.

Bota sot: Po flitet shpeshherë se nëse dështon krijimi i qeverisë, vendi mund të shkoj prapë në zgjedhje. Sipas juve a duhet të shkoj vendi në zgjedhje pa reformë zgjedhore?

Adnan Rrustemi: Kushtetuta parasheh procedurat dhe afatet për krijimin e Qeverisë dhe presidenca duhet t’i përmbushë me përgjegjësi këto. Kështu që pas dështimit për të krijuar Qeverinë nga PAN, atë do ta krijoj Lëvizja Vetëvendosje!, duke i dhënë një qeverisje për ndryshim qytetarëve. Në të kundërtën, Kushtetuta e parasheh se në rast të dështimit të krijimit të Qeverisë vendi shkon pashmangshëm në zgjedhje të reja dhe organizimi i tyre është obligim për KQZ-në. Sa i përket reformës zgjedhore, në Kosovë nuk ka pasur vullnet politik të njëmend për ta përmirësuar e plotësuar ligjin, por më tepër e kanë përdorur qeveritë e deritanishme për të justifikuar mbetjen e tyre në pushtet, apo pretendimet për të  fuqizuar pushtetin autoritar në institucione të caktuara apo brenda partive të tyre. Zgjedhjet e 11 qershorit e dëshmuan se zgjedhjet e lira mund të organizohen edhe me këtë ligj dhe se manipulimi e vjedhjet industriale në të kaluarën nuk kanë qenë për faj të ligjit, por për shkak të vjedhjeve të organizuara. Prandaj, reforma zgjedhore duhet të jetë një ndërmarrje e përbashkët, ku përfshihen shoqëria civile dhe qytetarët për të pasur një ligj që i përgjigjet kontekstit, nevojave dhe specifikave të Republikës së Kosovës dhe jo individëve të caktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat