Intervistë me vuthjanen Havaja Ahmetaj - Prelvukaj në Guci

Intervista

Intervistë me vuthjanen Havaja Ahmetaj - Prelvukaj në Guci

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 25 shtator 2017 Në ora: 20:12
Havaja Ahmetaj - Prelvukaj

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj: ”Mos i harroni trojet e vjetra të cilat i keni trashëguar nga të paret , sepse çdo pëllëmbë e kesaj toke, është e larë me lot e gjak , me vuajtje e skamje vetëm e vetëm mos me ua këthye shpinën dhe mos me i lënë këto troje në mëshirën e dikuj tjetër.

Meqënse është hera e parë që takohemi a mund të na thoni diçka rreth vehtes tuaj – jeta dhe puna juaj në këtë trevë shqiptare 

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : U linda në vitin 1962 në Vuthaj në nji familje atdhedashese, përparimtare, e cila si shumë familje tjera pati fatin të shpërngulet dhunëshëm nga këto troje disa herë dhe të këthehet përsëri.

Gjatë viteve 1918-1926 ,1931-1944 ata jetuan në Bushat dhe Shtoj të Shkodrës . Për familjen time viti 1962 ishte shumë i vështirë sepse në muajin maj të vitit 1962, organet e sigurimit e burgosen babain tim i cili ishte aktivist i dalluar për çrrenjosjen e analfabetizmit dhe nji nder mesuesit e parë vuthjan . Në shtëpi mbeti gjyshi, gjyshja, nëna, halla, dy motrat dhe në tetor të të njëjtit vit erdha unë në jetë. Babai vuajti dënimin dy vite e gjysmë në një nga ujëdhesat famëkeqe të Goli Otokut në Gergur. Si pasoj e kësaj mbeti pa punë. Dëshira dhe vullneti që kishte e bënë të niset në një rrugë drejt Kosovës që zgjati 35 vite me radhë, deri në penzionim. Punoi në Pogragje të Gjilanit pastaj në Istog. Gjatë kësaj periudhe arriti t’i shkolloj të gjithë fëmijët  5 vajzat dhe djalin. 

Unë mbarova katërklasë të shkollës fillore në Vuthaj ,pastaj vazhdova në Istog filloren dhe gjimnazin si dhe fakultetin juridik ne Univerzitetin e Prishtinës . Jetoj në Martinaj . Jam e martuar. Unë dhe bashkëshorti im Selimi, që është stomatolog i kemi tre fëmijë . Me gjithë vështirësitë, largësinë ,në mungesë të institucioneve të larta në gjuhën shqipe në Mal të Zi, fëmijët i kemi të orientuar drejt shkollimit në Kosovë  . Andi, diplomoi para nji viti në Fakultetin juridik në Prishtinë, Zani është student i vitit të  tretë arkitekture dhe Ora është studente e vitit të tretë në fakultetin juridik, poashtu në Prishtinë. Edhe, pse të dy jemi me profesione të mira dhe kudo që të shkonim ndoshta do të ishim më me perspektivë  , asnjëherë nuk e menduam të ikim nga ky vend, jetojmë dhe punojmë këtu , të bindur se edhe këtu jetohet . 

 Ju thoni se keni 30 vjet që punoni në Administratën komunale, dhe duket se keni një eksperienc të gjatë, e cila kap edhe ish Jugosllavin,  na tregoni diçka mbi pozicionimin e shqiptarëve në Administratën komunale(shtetrore) në Komunën e Plavës - Gucis 

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Kur flasim për këtë pyetje më duhet fillimisht t’i kthehem vetvetes, sepse ka të bëj edhe me pytjen tuaj , si u punosva dhe si më hoqën. Posa mbarova studimet u punësova në Prishtinë në Gjykatën për kundravajtje si praktikante nji vit ,pastaj u zgjodha gjykatase për kundravajtje dhe punova  4 vite me radhe deri sa më shkarkoi nga puna regjimi serb në janar të vitit 1991, si gjithë të tjerët .

U ketheva tek prindërit e mi në Vuthaj  dhe në fund të prillit 1991 u punësova si kryeshefe e administratës së përgjithëshme në Komunën e Plavës, në atë kohë si kuadër, pasiqë e kisha të mbaruar edhe provimin e judicaturës. 

Për 24 vite sa kam punuar në Komunën e Plavës kam qenë e angazhuar me referate të ndryshme kryeshefe e Administratës së përgjithshme,këshilltare e kuvendit, person i autorizuar për udhëheqjen e procedures kundravajtëse, Kryetare e Komisionit për ankesa etj. Dhe, ajo çka është më me rëndësi se përveç që kam kryer obligimet nga puna , zyra ku unë punoj ka qenë dhe është derë e hapur për qytetarët shqiptar për ndihmë juridike, këshilla dhe kryerje të punëve tjera  që ata kishin apo kanë nevojë.

Në Komunën e Plavës ishim të punësuar gjithsejt 20 shqiptar apo 15% në krahasim me punëtorët e tjerë .Ndërsa në organet tjera shteterore si në Gjykatë, Ente të shëndetësisë, Entin për Çështje sociale dhe inkuadrim , Polici nuk është i punësuar pothuajse asnjë shqiptar.  Asnjëherë nuk ishim as nuk jemi të kënaqur me këtë mos përfaqësim të popullatës shqiptare në organet shteterore dhe punësim të pakët të shqiptarëve .

Përveç punës suaj në Administratën komunale, ju keni botuar edhe një libër, “Reprizë kohe “ shkruar në vitin 2014. çfarë ju shtyu të shkruani edhe libër!
Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Me shkrime jam marr që nga fëmijëria. Jam rritë me poezi të  pavdekshme të shkrimtarëve tanë dhe botëror. Frymëzimi im gjithmonë ka qenë familja , kufiri famëkeq në mes të shtetit shqiptar që e ndau familjen time dysh për 30 vjet, jeta larg vendlindjes,fëmijëria si kohë e shenjtë në jetën e njeriut.

Të gjitha këto shkrime i kam përmbledhur dhe botuar në librin “Reprizë kohe ,, në vitin 2014. Edhe pse jetoj dhe punoj në vëndlindje , përsëri e kam frymëzim vendlindjen , dashurinë e pafund ndaj saj , vetëminë e saj, shtëpitë e mbyllura , tokat të lënura djerrë ,nostalgjinë për njerëzit tanë që ikën nga ky vend.
Me vret shpirtërisht , se si ja kethejnë shpinën çdo ditë këtij vendi –shpërngulen me familje  , se si  i bëjnë darsmat  të rinjtë tanë nëpër botë ,se si bëhet varrimi i njerëzve tanë  në  dhe të huaj .Të gjitha këto me bëjnë që akoma të shkruaj dhe besoj që se shpëjti do të dal nga botimi edhe libri i dytë.

Le ti kthemi Komunës së Gucisë , një Komunë kjo e ndarë nga Plava, ai ndihmojë deri diku kjo përqindjes së shqiptarëve të punësuar në Administratën Komunale?

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Në janarin e vitit 2015 , e zgjedhur si kuadër nga kryetarja e Komunës së Gucisë, unë kalova nga Komuna e Plavës në Komunën e Gucisë sepse me vendbanim i takoja territorit të Gucisë, së bashku me disa kuadro të tjerë . Këtu jam e emruar si Sekretare e Sekretarijatit për rregullimin hapsinor dhe patundëshmerinë.

Në Komunën e Gucisë, kemi startuar nji numër i vogëI punëtorëve në përgjithësi . Përqindja e të punësuarve shqiptar këtu për momentin është 25 % në raport me tjerët. Po sikurse të bashkëpunonin partitë shqiptare në mes veti  do të kishim më shumë të punësuar sepse 43 % e popullatës në Guci janë shqiptarë .
Po ndarja që ndodhi  Gucisë, i ka ndihmuar apo e ka dëmtuar ekonominë e 43% të shqiptarëve?

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Shqiptarët si komunitet në Plavë dhe Guci e kundërshtuan me këmbëngulje këtë ndarje në mes të dy Komunave , sepse u ndamë territorialisht vendbanimet me shqiptarë. Pjesa që ka mbetur me Komunën e Plavës e vendbanimeve shqiptare , është në numër më të vogël për të realizuar diçka ose kërkuar diçka më shumë .

 Sa shqiptare është sot kjo komunë me gjithë rrethinën e saj ? 

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Komuna e Gucisë në fakt është dhe duhet të jetë edhe më shume shqiptare , sepse nëse shfletojmë historinë këtu kemi të bëjmë vetëm me popullatën shqiptare . Nga trazirat shekullore nji pjesë dërmuese e shqiptarëve janë asimiluar, pjesa tjetër kanë emigruar . Tash, këtu jetojnë Shqiptarë, Boshnjak dhe Malazez.

Si të gjitha trevat shqiptare, edhe kësaj treve nuk i ka shpëtuar shpërngulja e ashpër, ose emigrimi i dhimbeshëm i shqiptarëve. Sa e ndjeni ju  si Komunë kontributin e mërgimtarëve tuaj nga SHBA, Kandaja, Australia, dhe Europa? 

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Mendoj se njerëzit tanë në mërgim janë shumë të lidhur me këtë trevë, megjithëse fatkeqsisht ky vend është boshatisur . Ne që jetojmë këtu çdo ditë e më shumë e ndijem mungesën e tyre, hasim në vështirësitë që vijnë si pasojë e shpërnguljes masive të popullatës shqiptare, kryesisht, por edhe të tjerët .Nji vend që çdo ditë ikin nga aty e humb perspektivën e saj, sidomos, tek rinia, tek e ardhmja e saj .
Mërgimtarët nga ky vend qoftë në SHBA apo Evropë, dhe kudo që ata janë vendosur, gjithmonë e kanë treguar vehten me kontributet e tyre . Qoftë, me ndihma sociale, bursa për studenta, investime të ndryshme : Urën e Gjonbalajve, Shtëpinë e kulturës në Martinaj , Shtëpinë e kulturës në Vuthaj, tri shtëpi për familje me kushte të rënda për jetë , si dhe ativitete të ndryshme kulturore , pastaj edhe finansimet e tyre në prona private që i posedojnë ata janë me kontributet e tyre këtu .Por, kontributi i tyre më i madh është dhe do të jetë lidhja sa më shumë dhe këthimi në vëndlindje ,ose prezenca e familjeve të tyre qoftë edhe gjatë pushimeve sesionale kontribon shumë.

Çfarë prisni nga mergimtarët tuaj ?
Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Të vinë sa më shumë  në Plavë e Guci. E kam fjalën për ata që kanë krijuar nji jetë më të mirë, kan pasuri dhe kanë mundësinë të ndihmojnë, financojnë këtu, kuptohet si investitor do të kenë edhe në profitin e tyre nga puna ndërsa rinia që është këtu dhe nuk largohet nga shtëpia e tyre, mbasi ajo do të punësohej sado pak edhe në mënyrë sesionale.

Vetëm ardhja i tyre , sa më shpesh së bashku me familjet e  tyre i jep më shumë gjallëri dhe më shumë kuptim jetës këtu, sepse është shumë vështirë të jetojshe në nji vend ku shumica e shtëpive janë të mbyllura, gjatë gjithë vitit, shkollat kan mbrritur fatkeqësisht deri me dy-tre nxenes , një vend që lulëzonte dhe gumëzhinte nga shqiptarët, tani është një trevë ku rinia çdo ditë mendon të ik me arsye e pa arsye dhe rrallë kush mendon për këtë.
 Meqënse, këtë intervistë besojë se do ta lexojnë edhe mërgimtarët e kësaj treve në diasporë, cili është  mesazhi juaj ?

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Respekt për të gjithë ata që kanë arrite në nji largësi kaq të madhe , përtej oqeanit, në nji kontinent tjetër, të gjinden, në nji fromë apo tjetër së bashku me familjet e tyre pranë vendlindjes së tyre. Ndërsa, atje ku kan ngritur jetën e tyre le të ngritën edhe  profesionalisht , ti shkollojnë sa më shumë fëmijët dhe falë gjeturisë se bashkëvendasve tanë çdo ditë hasim në emra të njohur nga çdo lemi në institucione botërore. Mesazhi im do të ishte :”Mos i harroni trojet e vjetra të cilat i keni trashëguar nga të paret , sepse çdo pëllëmbë e kesaj toke, është e larë me lot e gjak , me vuajtje e skamje vetëm e vetëm mos me ua këthye shpinën dhe mos me i lënë këto troje në mëshirën e dikuj tjetër .

Havaja Ahmetaj - Prelvukaj : Shumë faleminderit Zoti Sina , më vjen mirë që u njohëm dhe faleminderit për vizitën që i bëtë këtyre trojeve shqiptare.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat