Qeverisjen Bekim Jashari do ta bëjë të veçantë transparenca dhe llogaridhënia

Intervista

Qeverisjen Bekim Jashari do ta bëjë të veçantë transparenca dhe llogaridhënia

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 26 shtator 2017 Në ora: 15:18
Bekim Jashari

Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën kombëtare  “Bota sot”, Bekim Jashari, njëri prej anëtarëve të familjes së Komandantit legjendar, Adem Jashari, ka folur rreth fotografisë së shumë përfolur në ballë të odës së familjes Jashari, në të cilën shihet Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe Senatori Bob Dole. Në këtë kontekst, ai ka thënë se familja Jashari ka qenë gjithmonë e angazhuar në aktivitete për çlirimin e vendit që nga paslufta e dytë botërore.

Në anën tjetër, Bekim Jashari e konsideron të rëndësishëm kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Skenderajt. Ai ka theksuar se  me kandidimin e tij i është përgjigjur kërkesës së qytetarëve të Skenderajt. Jashari ka përshëndetur tërheqjen e disa partive nga gara për Skenderajn, por me gjithë këtë ai është shprehur vazhdon të garojë si i pavarur.  

Bota sot: Perse vendoset të hynit ne garë për kryetar komune në Skenderaj?

Bekim Jashari: Konsideroj që kandidimi im për Kryetar të Komunës është vetëm përgjigje e kërkesës së qytetarëve të Skenderajt. Pse vendosa ti përgjigjem qytetarëve të mi, lidhet me dashurinë dhe ndjenjën e borxhit ndaj vendit tim.

Bota sot: Si e vlerësoni  qeverisjen e deritashme ne Komunën e Skenderaj?

Bekim Jashari: Duke u bazuar nga parimi se “çdo gjë është realtive”, edhe përgjigja ime në këtë pyetje është relative. Besoj që ka pas mundësi të punohet shumë më mirë.

Bota sot: Si e komentoni tërheqjen e PDK-së dhe partive tjera nga gara për te parin e Skenderajt?

Bekim Jashari: Unë edhe në fillim kam përshëndet tërheqjen e disa partive politike nga gara për Kryetar të Skenderajt. Por, unë vazhdoj të jem Kandidat i Pavarur.

Bota sot: Çka do te bëni më mirë se qeveritë paraprake në komunën tuaj?

Bekim Jashari: Edhe programi im qeverisës është i ndërtuar mbi bazën e parimeve të llogaridhënies dhe transparencës. Kështu që, ajo çka do ta bëjë të veçantë qeverisjen Bekim Jashari nga qeverisjet tjera është transparenca dhe llogaridhënia.

Bota sot: Si e vlerësoni krijimin e institucioneve në nivelin qendror?

Bekim Jashari: Konsideroj që unifikimi sjell rezultate – varësisht nga qëllimi, andaj unë dua të besoj se ky unifikim ka qëllimin e mirë, rrjedhimisht edhe të kemi rezultate të mira.

Bota sot: A mendoni se përben rrezik për Kosovën përfshirja e Listës serbe në institucione duke marrë parasysh edhe kushtet e saj?

Bekim Jashari: Unë dua që ti besoj institucioneve tona, edhe përfshirja e minoriteteve konsideroj që është pozitive – pasi që, përfaqësimi i minoriteteve është i bazuar në normat ndërkombëtare dhe të vendit tonë, të cilin kemi ndërtuar.

Bota sot: Cili është qëndrimi juaj për demarkacionin e Kosovës me Malin e zi? A po humb Kosova toke?

Bekim Jashari: Toka e Kosovës është e shenjt. Unë përsëri, po e them se jam i prirur që ti besoj institucioneve tona.

 Bota sot: Një video e publikuar me parë ka treguar se në ballë të odës tuaj në kohë lufte ka qëndruar një fotografi ku shihet edhe presidenti tashmë i ndjerë Rugova. Na tregoni më shumë për ketë fotografi dhe të tjera ku komandanti Adem Jashari është parë përkrah Ibrahim Rugovës?

Bekim Jashari: Familja jonë ka qenë gjithmonë e angazhuar në aktivitete për çlirimin e vendit që nga paslufta e dytë botërore. Për kohën që ju flisni për fotografinë në fjalë, ka qenë koha e fillim viteve ’90 ku i tërë populli ka qenë në atë lëvizje legale kundër një regjimi siç ne e kemi pas. Derisa erdhi koha dhe u pa që me llafe nuk çlirohet atdheu.

Sa për fotografinë tjetër, në qoftëse është fjala për fotografinë që është zhvilluar në aeroportin e rinasit në Tiranë është shpjeguar edhe më herët që ka qenë e rastit gjatë një konference për media.

Bota sot: Me herët është përfol se Murat Jashari do të kandidoj për president të vendit, na thoni sa qëndron kjo?

Bekim Jashari: Çfarë mund të them unë – si anëtar i Familjes Jashari, është fakti se populli i Kosovës ka besim dhe mbështetet në Familjen tonë. Por që nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim – edhe pse besoj në kapacitetin njerëzor, profesional dhe kombëtar të djalit të axhës tim – Muratit.

Bota sot: A është Kosova vendi për të cilin ju keni ëndërruar dhe për të cilin familja Jashari është flijuar?

Bekim Jashari: Kosova do të bëhet, për këtë duhet të besojmë dhe punojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat