Kandidatja e LDK-së tregon me cilat parti mund të bëjnë koalicion paszgjedhor

Intervista

Kandidatja e LDK-së tregon me cilat parti mund të bëjnë koalicion paszgjedhor

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 tetor 2017 Në ora: 11:42
Fiknete Betja

Profesoresha e ekonomisë dhe kandidatja për asamble në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta në një intervistë për “Bota sot” ka folur rreth zgjedhjeve lokale dhe kandidimit të saj për Prishtinën. Ajo ka deklaruar se LDK-ja do ta fitojë Prishtinën pa balotazh, ndërsa i vetmi koalicion që do të bëjë LDK-ja do të jetë ai me qytetarët. Bejta qeverisjen e Shpend Ahmetit e vlerëson si të dobët.

E nderuar, si e vlerësoni fushatën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit?

Fiknete Bejta: Tani Fushata e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit është duke u zhvilluar me një qasje korrekte në bashkëbisedim me qytetarët  janë krijuar rrethana shumë pozitive. Vlerësoj se kjo fushatë më shumë ka pasqyruar përkushtim ndaj qytetarit me paraqitjen e një oferte serioze për kërkesat e qytetarëve është fjala për LDK-ën apo me konkretisht Lidhjen për Prishtinën.

Sa jeni të fortë si LDK përballë kundërshtarëve tuaj, përkatësisht Vetëvendosjes?

Fiknete Bejta: Fuqia jonë përballë kundërshtarëve politik që janë pjesë e kësaj gare  është se ne  si LDK kemi  projektin ambicioz dhe  të realizueshëm  për Prishtinën, e them me përgjegjësi të plotë sepse me një plan ambicioz dhe me një ekip shumë të profesionalizuar dhe kompetent që e kemi ne, si LDK do marrim vlerësimin më pozitiv nga qytetari. Vetëvendosja është në disavantash në këtë garë zgjedhore për shkak të mospunës së saj në kryeqytet.

Kur jemi në këtë pikë, si e vlerësoni qeverisjen e z. Ahmeti?

Fiknete Bejta: Qeverisja e Shpend Ahmetit në kryeqytet ka qenë një qeverisje e dobët e karakterizuar vetëm me propaganda dhe demagogji por pa ndonjë rezultat  konkret nga ato të gjitha që i ka premtuar gjatë mandatit tw shkuar. Rezultatet për katër vite kanë qenë më shumë kozmetike se sa që kanë ndikuar në jetën e qytetarëve të Prishtinës. Nuk ka ndërtuar asnjë shkollë, ka ngecje në implementimin e çerdheve sipas projektit publiko- privat, nuk ka arritur t`i realizojë asnjë projekt kapital, ka pas mungesë të projekteve në turizëm e kulturë, mungesë të përkrahjes së bujqësisë nuk ka mirëmbajte të parqeve e rrugëve dhe nuk ka realizuar as 30 % të premtimeve të fushatës se 2013.

Keni qenë mjaft të zëshëm si LDK në Prishtinë por edhe asamblistët e LDK-së po ashtu, sa janë marr parasysh vërejtjet tuaja?

Fiknete Bejta: Unë nuk kam qenë asambleiste, por ansambleistët që kanë përfaqësuar subjektin tim politik në mënyrë të shkëlqyer i kanë mbrojtur interesat e qytetarëve  në Komunën e Prishtinës. Ndikimi ka qenë i vogël, pasi që ekzekutivi e ka shkelur rregulloren e punës së Komunës  dhe nuk e ka përfillur rolin e Kuvendit Komunal duke mos i marrë për bazë vendimet dhe kërkesat që kanë dal nga ky institucion apo nga shumica në kuvend. Shumë seanca janë bojkotuar nga partia në pushtet ndërsa kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk i ka raportuar siç është paraparë me ligjin për qeverisjen lokale.

Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Komunës së Prishtinës?

Fiknete Bejta: Nuk kisha pasur dëshirë të fokusohem në qeverisjen aktuale sepse nuk e di sa ka nevojë t’ia shpjegoj qytetarit problemet që i përjeton çdo ditë. Edhe unë çdo ditë i përjetoj të njëjtat probleme si qytetare pa dallim nga të tjerrët në këtë qytet. Qëllimi ynë është të kemi një qasje të re ndaj menaxhimit të qytetit, sepse është shumë i rëndësishëm në funksionalizimin e jetës së qytetarëve. Në Prishtinë, kemi probleme maratonike si janë mungesa e parkingjeve, mungesa e ngrohjes në disa pjesë të qytetit, nuk ka hapësira sportive për të rinj, mungesa e ujit, kanalizimit, problemet në arsim, ndriçimi publik, mbeturinat. Janë këto probleme që më së shumti ndikojnë tek jeta e qytetarit por edhe papunësia edhe pse thuhet që nuk është kompetencë e komunës, por ne mendojmë se komuna ka mekanizma që do ta lehtësonte këtë problem shumë  të madh të shoqërisë.

Në cilën fushë do të jetë kontributi juaj nëse fitoni votat e qytetarëve për të qenë asambleiste?

Fiknete Bejta: Unë jam profesoreshë e ekonomisë, vitet e fundit kam punuar si trajnere për ndërmarrësi dhe zhvillim të projekteve kryesisht me kategoritë e margjinalizuara dhe të rinjt, duke u nisur nga  kjo kam vullnet dhe mundësi profesionale  të kontribuoj në zhvillimin e ekonomisë. Ne kemi një projekt që përmes tij synojmë të nxisim vetëpunësimin tek të rinjtë, ky projekt do të realizohet në formë të skemës Vauocher ku do te financohen start-up dhe veçanërisht idetë inovative në biznes.

A keni bërë plan për ndonjë koalicion paszgjedhor me ndonjërën nga partitë?

Fiknete Bejta: LDK nuk ka Koalicion parazgjedhor me asnjë subjekt politik, të vetmin koalicion me qytetarët e Prishtinës, por nuk e mohojmë bashkëpunimin me të gjitha partitë politike të cilat në qendër e kanë interesin e qytetarëve.

Sa është e mundshme që LDK të kthejë elektoratin e dikurshëm në Prishtinë?

Fiknete Bejta: Muajt e fundit kemi parë  një entuziazëm sidomos tek të rinjtë për  tu angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, jam e bindur nga takimet e shumta me qytetar se elektorati i LDK nuk është larguar por vetëm ka pauzuar për një kohë nga pjesëmarrja në proceset zgjedhore. Ata kanë parë se nga absetnimet nuk përfaqësohen por vetëm se nuk do të dëgjohet zëri i tyre në institucione.

A e parashihni shkuarjen në balotazh me Shpend Ahmetin?

Fiknete Bejta: Nga terreni shoh gjasa reale që LDK do të fitojë Prishtinën pa balotazh por edhe nëse shkohet në balotazh epërsia do  të jetë e madhe në favor të kandidatit të LDK-së zotit Abrashi.

Sa dëgjohet zëri i të rinjve në Komunën e Prishtinës  dhe cili do të jetë kontributi juaj në këtë fushë?

Fiknete Bejta: Këtë e tregon Lista e LDK për asamble ku ka të përfshirë të rinj që vijnë nga Forumi Rinor i degëve të LDK-së në Prishtinë. Rinia e përkrahur jo vetëm në nominim, por edhe duke ju dhënë prioritet në planin e LDK-së për Prishtinën. Ne si LDK kemi disa projekte për të rinjtë e Kryeqendrës dhe më gjerë duke përfshirë subvencionimin e Start-up dhe dhënia e bursave për nxënësit dhe studentët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat