Profesori universitar paralajmëron rrezikun nga Lista serbe për Kosovën

Intervista

Profesori universitar paralajmëron rrezikun nga Lista serbe për Kosovën

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 nëntor 2017 Në ora: 17:43
Fadil Maloku

Sociologu dhe ish anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku në një intervistë për “Bota sot” ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve lokale. Ai ka thënë se këto zgjedhje gjithmonë dalin jashtë pritshmërive dhe se rezultati i vërtetë mund të shihet vetëm pas raundit të dytë, pas balotazhit. Madje për praktikën e balotazhit ka thënë se është vetëm një produkt nga administrata e UNMIK-ut. Maloku duke folur për raportet e tij me partitë politike thotë se janë në betejë paqësore.

“Bota sot”: Si e vlerësoni procesin e zgjedhjeve lokale?

Fadil Maloku: Zgjedhjet, gjithnjë në traditën dhe etnopsikologjinë sociale të një vendi, janë një eveniment determinues për të ilustruar shkallën e emancipimit të tij politik. Në rastin tonë, zgjedhjet nacionale dhe këto lokale, padyshim që shënojnë një avancim të emancipimit tonë social e politik.

“Bota sot”: Sipas juve, a duhet të hiqet praktika e balotazhit?

Fadil Maloku: Balotazhi, në rastin tonë është një "produkt" i traditës copy paste nga ish administrata e UNMIK-ut, të cilin jam shumë i bindur që duhet mënjanuar në reformën që duhet të bëhet në të ardhmen e afërt. Them kështu, edhe për arsye se ka kosto të pajustifikueshme ekonomike;  krijon konfuzion dhe apati si tek trupat elektorale, qytetarët dhe partitë politike; demotivon qytetarin rreth përcaktimit të programeve, liderëve dhe partive politike; si edhe zhveshë më tepër votuesit nga ndikimet; familjare, ato mëhallash e farefisi. Natyrisht, balotazhi ka edhe përparësitë e veta; politike e kulturore; ngase, akti i shkuarjes së shumicës së komunave në balotazh, dëshmon edhe një fakt të ri social, për shëndetin, kulturën e emancipimin politik të votuesit në Kosovë. Tjetër, vota në raundin e parë që në fakt ishte votë jo inteligjente, u shkapërderdh me naivet dhe me premtime banale në shumë istikame e rrjete klienteliste, familjare, mahallash, rajonesh, etj. Në balotazh, koncentrimi i energjisë bëhet ekskluzivisht në dy blloqe.

“Bota sot”: A e keni pritur një rezultat të tillë të zgjedhjeve?

Fadil Maloku: Zgjedhjet lokale, gjithnjë kanë pritje tjera. Jo vetëm ke ne, por në shumicën e vendeve të tranzicionit. Asnjëherë nuk duhet përzier as motivet, as pritjet, e as rezultatet e nivelit nacional me ato lokal. Krahasimi i zgjedhjeve nacionale me ato lokale, është i gabuar, edhe për shkak se; artikulimi i votës nacionale, ishte ndërlidhur kryekëput me; karizmat e lider-shipëve të tri blloqeve që u krijuan ad hoc; pastaj, me premtimet për kauzat e interesave të natyrës shtet ndërtuese; si edhe me linjat dhe istikamet e rrjeteve partiake (më shumë) e ideologjike (më pak).

“Bota sot”: A po humbet Kosova shumë nga buxheti me organizimin e zgjedhjeve në kohë të shkurtër?

Fadil Maloku: Mendimi im është se po...

“Bota sot”: Sipas juve a sollën ndryshime zgjedhjet lokale nëpër komuna?

Fadil Maloku: Ndryshimet, kujtoj duhet parë  vetëm pasi të kryhet balotazhi..

“Bota sot”: A kanë humbur partitë politike bastionet e tyre?

Fadil Maloku: Sinqerisht, isha shumë kureshtar që bastionet të paktën të reduktohen.... e në zgjedhjet tjera edhe të zhduken tërësisht. Jo për shkak të inatit të dikujt, po shkaku se istikamet e bastioneve janë mentalitete provinciale, obskurante që dinë shumë herë të vonojnë proceset tjera të karakterit dhe interesit nacional...Logjikën dhe mentalitetin provincial, unë sinqerisht e shoh nesër edhe si një pengesë kogja serioze për bashkim kombëtar...! Aktivizimi, apo mbetja "gjallë", e këtij mentaliteti do e vonoj pa mëdyshje kursin e bashkimit kombëtar...

“Bota sot”: A duhet parë këto zgjedhje si një fitore të minoritetit serbë?

Fadil Maloku: PO fakti, që serbët (paramendojeni!) fituan apo do qeverisin dhjetë komuna (Ju lutem!) ka një domethënie të rëndësishme në raportet e ardhme politike! Paramendojeni, në një të ardhme jo fortë të largët të ndërlidhen (me asociacionin po pretendojnë ta bëjnë këtë!) edhe me mekanizmin juridik, çfarë na pret? Unë them ndarja! Ata këtë e kanë synim. Kështu, kjo qeveri duhet ta ketë gjithnjë këtë fakt parasysh...se prej shpalljes së pavarësisë, në biseda me Serbinë janë bërë koncesione të mëdha...!

“Bota sot”: Meqë ishit edhe vet anëtar, si e vlerësoni punën aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?

Fadil Maloku: KQZ-ja, edhe sa kam qenë anëtar i saj, e që më vonë Presidentja e "zarfit", padrejtësisht më largoj (shkaku se nuk pranova koncesione të reja jashtë Kushtetutës), kam thënë se është tej mase e politizuar! Nuk munden përfaqësuesit e deleguar atje të mbeten të zhveshur nga përkatësia, dhe ndikimet e origjinës partiake! Tjetër, ku institucion ka paradokse të llojit të vetë. Atje, përfaqësimi i minoriteteve, është në raport kundërthënës, që nuk mund ta hasësh askund në asnjë vend. Paramendone, atje përfaqësimi minoritar është dyzet përqind, ndërkaq shqiptar është gjashtëdhjetë përqind! Reforma e ardhshme zgjedhore, duhet ta mënjanoj këtë absurd dhe defekt banal! Ndryshe, do bëhet në të ardhmen shumë pengesë serioze për demokratizimin e vendit.

“Bota sot”: Si qëndrojnë aktualisht raportet tuaja me partitë politike?

Fadil Maloku: Raporti im me të gjitha partitë aktuale politike, është raport i një ndergjegjeje publike, me ecurit, proceset dhe zhvillimet e shoqërisë. Ato kanë rrugëtimin e tyre social, unë kam rolin e prokurorit publik dhe në favor të qytetarisë dhe gjeneratave të reja. Pra, jemi ne "beteja" paqësore, anipse, ato herë pas here tentojnë ta prishin këtë "marrëveshje" te heshtur dhe xhentile!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat