Ministri i Tahiri paralajmëron nisjen e reformave në sistemin e drejtësisë

Intervista

Ministri i Tahiri paralajmëron nisjen e reformave në sistemin e drejtësisë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 7 nëntor 2017 Në ora: 19:13
Abelard Tahiri

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka shpjeguar në detaje se si i ka nisur reformat në sistemin e drejtësisë. Objektiva kyçe e punës së tij është që sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit.

Kurse në pyetjet për vrasjet e pasluftës, ministri i drejtësisë ka thënë se kjo është çështje e përgjegjësisë ligjore të institucioneve të drejtësisë, për të hetuar dhe për t’u dhënë përgjigje supozimeve të tilla derisa ka garantuar se këtyre institucioneve do ti sigurojnë punë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.

Bota sot:  Z. Tahiri në çfarë gjendje e keni gjetur sistemin e drejtësisë në Kosovë pasi keni marrë detyrën?

Abelard Tahiri: Ministria e Drejtësisë është njëra nga dikasteret më të rëndësishme qeveritare. Natyrisht se gjatë periudhës paraprake është punuar mjaftë për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.

Po ashtu është bërë avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale në reformimin e sistemit gjyqësor, dhe konstituimin e profesioneve të lira ligjore. Është punuar në përmbushjen e prioriteteve që kanë dalë nga proceset integruese me BE-në dhe në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Megjithatë, gjendja ka nevojë të përmirësohet në shumë aspekte dhe ka hapësirë për të bërë më shumë punë, që reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, të përkthehen me rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, krijimin e sigurisë juridike dhe realizimin efektiv të të drejtave dhe detyrimeve për subjektet e së drejtës në rrugët e përcaktuara ligjore dhe në instancë me të lartë punën për krijimin e Shtetit të së Drejtës.

Bota sot:  A mendoni se ky sistem ka nevojë për reforma dhe cilat janë ato?

Abelard Tahiri: Sundimi i ligjit është përcaktues për cilësinë dhe qeverisjen e mirë. Objekiva kyqe e punës sime është që sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit.

Si Ministri, do të angazhohemi për reformimin e vazhdueshëm të organit të akuzës dhe fuqizimin e tij, si parakusht për luftimin efikas dhe efektiv të kriminalitetit. Jem i të përkushtuar për një prokurori të pavarur dhe të paanshme, me qellim që, pa kompromis, t’i luftojë të gjitha format e kriminalitetit, duke mbrojtur vlerat me vitale të qytetarit dhe të shoqërisë.

Me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, do të angazhohemi në zbatimin e reformave të nevojshme për zhvillimin e një sistemi gjyqësor që do të jetë transparent, duke siguruar funksionalizim te plotë të reformës gjyqësore në pajtim me ligjet e aplikueshme, krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike të gjykatave me qëllim të plotësimit të nevojave që dalin nga reforma.

Po ashtu, në fokus të punës time është edhe sigurimi i parakushteve dhe administrimin më efikas të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale. Do të vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve të reja infrastrukturore në Shërbimin Korrektues dhe sprovues të Kosovës dhe rindërtimi i atyre ekzistuese, me ngritjen profesionale të stafit korrektues dhe sprovues dhe ndërmarrja e masave në risocializimin e të dënuarve.

Gjithashtu, nga prioritet e mia do të jenë edhe fuqizimi i profesioneve të lira ligjore për shkarkim e punës së gjyqësorit, orientimi i donacioneve të jashtme në drejtim të fuqizimit të sistemit të drejtësisë, forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe zhvillimi dhe avansimi i statistikave të sistemit të drejtësisë.

Ndërsa, jemi duke i kushtuar kujdes të veçantë zbatimit të aktiviteteve që janë në funksion të objektivave dhe prioriteteve programore të Qeverisë. Këtu hyjnë përmbushja e obligimeve që dalin nga Agjenda Evropiane në fushëveprim të MD, prioritetet e përfshira në Planin e Veprimit për zbatimin e Programit të Qeverisë, Planin Vjetor i Punës, procesin e liberalizimit të vizave dhe dokumentet tjera përkatëse.

Bota sot: Në opinion flitet shumë për ndikimin e politikës në gjykata, prokurori dhe organe të tjera, sa mendoni se qëndrojnë ato që thuhen dhe çfarë do të bëni për ta ndryshuar gjendjen?

Abelard Tahiri: Tani keni parasysh, se mes fjalëve apo përceptimit publik dhe realitetit fatkeqësisht ka dallim të madh. E ripërsëris së të shumtën e rasteve perceptimi e sfidon edhe realitetin, për të mos thënë se krijon edhe avantazh ndaj tij.

Megjithatë, pikërisht shqetësimi i qytetarëve është shqetësimi imi si Ministër, prandaj kam vendosur që krahas reformave shumë dimensionale që kemi para vetës, ti kushtojmë rëndësi të madhe vendosjes së parimeve të transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, prokurorial dhe në profesionet e lira ligjore.

Në këtë linjë, depolitizimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, nuk ka alternativ. Është e papranueshme ndërhyrja në punën e pavarur dhe profesionale të institucioneve të drejtësisë nga kushdo, dhe për këtë unë do të avokoj pareshtur që të denoncohet cili do person që tenton të ushtrojë ndikim në punën e këtyre institucioneve.

Bota sot:  Çfarë po ndodhë me ndryshimin e kodit penal?

Abelard Tahiri: Në adresim të nevojës për të avancuar dhe forcuar sundimin e ligjit dhe konsolidimin e mëtejmë të institucioneve gjyqësore të pavarura dhe efiçiente, për luftimin e dukurive negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar, sigurimin e qasjes së drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim, përcaktimin e veprave penale që ndërlidhen me konfiskimin dhe sekuestimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, parandalimin dhe luftimin e krimnalitetit në të gjitha format e tij, jemi duke e udhëhequr procesin e rishkimit të dispozitave konkrete të Kodit Penal dhe Kodit të procedurës Penale.

Jemi duke zhvilluar proces gjithëpërfshirës më të gjithë akterët dhe presim që në fund të këtij muaji të finalizohet puna në Kodin Penal për të vazhduar pastaj me Kodin e Procedurës Penale.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Burgjet e Kosovës?

Abelard Tahiri: Shërbimi Korrektues i Kosovës, është në përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe aktualisht jemi të fokusuar në eliminimin e praktikave të paligjshme brenda burgjeve dhe të ngrisim nivelin e përgjegjësisë që të parandalojmë ikjet eventuale të personave në vuajtje të dënimit me burg.

Po ashtu, njëkohësisht jemi duke punuar në ofrimin e kushteve më të mira për të burgosurit, si dhe të kujdesemi për respektimin e të drejtave të tyre fundamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare.

Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare.

Bota sot: Ditë më parë ishim dëshmitarë të ikjes së një të burgosuri nga QKUK-ja, çfarë keni për të thënë lidhur me këtë rast?A mendoni se “arratisja”, e këtij të burgosuri vetëm sa përforcon kritikat për gjendjen në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Abelard Tahiri: Besoj e keni parë edhe reagimin e menjëhershëm timin si Ministër si dhe jeni njoftuar me masat që kemi ndërmarrë përkitazi me këtë rast. Kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit. Pastaj, janë ndërmarrë masat ligjore për suspendimin e të tre zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në mënyrë që t’i hapet rrugë një hetimi të pavarur mbi rastin e arratisjes së një personi që ishte në vuajtje të dënimit në Dubravë, përderisa ishte arratisur nga QKUK-ja, ku ishte për trajtim.

Do te këtë hetim të pavarur dhe nuk kam asnjë paragjykim për askënd, por do të jem i pa kompromis që përgjegjësia të shkojë në adresën cilado qoftë ajo.

E kam thënë dhe e përsërisë, që Papërgjegjësia do të ndëshkohet. Nuk do lejoj asnjë shkelje pa e adresuar aty ku e ka vendin.

Bota sot: Rasti shumë i përfolur për lirimin e Enver Sekiraqes dhe kthimin prape në burg. Çka mund të na thoni për ketë pasi që ka pasur reagime të shumta se ai nuk është dashur të lirohet nga burgu?

Abelard Tahiri: Është çështje e përgjegjësisë së institucioneve gjyqësore dhe nuk mund të komentoj asnjë vendim të gjykatës jo vetëm në këtë rast por edhe në rastet tjera, sepse unë besoj në pavarësinë e gjyqësorit  por ajo çfarë mund të them është se drejtësia në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të bëjë kompromis me shkelësit e ligjit.

Bota sot: Ju keni kërkuar hetim më të hollësishëm për vdekjen e Astrit Deharit. Na tregoni çka saktësisht keni kërkuar?

Abelard Tahiri: Ministria e Drejtësisë, në pajtim me Rekomandimet e miratuara në seancën e jashtëzakonshme të datës 21 dhjetor 2016 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkitazi me rastin “Dehari”, si dhe në zbatim të obligimeve në raport me përmbajtjen e këtyre rekomadimeve, i kam shprehur Kryeprokurorit të Shtetit, gatishmërinë time të plotë, si titullar i Ministrisë së Drejtësisë, që të ofrojmë ndihmën e nevojshme institucionale dhe financiare për realizimin e ekspertizës eventuale shtesë brenda dhe jashtë vendit (në njërin nga vendet e BE-së dhe SHBA-ve), siç përcaktohet në pikën 4 të kësaj rezolute.

Prandaj, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme institucionale dhe financiare, tashmë Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndarë mjete financiare për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe mirëpres zbardhjen sa më pare të së vërtetës për këtë rast.

Bota sot:  Vrasjet e pas luftës. Pothuajse  asnjëra nga vrasjet nuk është zbuluar, na thoni ju si ministër i Drejtësisë a do të kërkoni hetim edhe për këto vrasje?

Abelard Tahiri: Edhe kjo është çështje e përgjegjësisë ligjore të institucioneve të drejtësisë, për të hetuar dhe për t`ju dhënë përgjigje supozimeve të tilla dhe çfarë është e rëndësishme nga ana ime si Ministër, t’ju sigurojmë punë të pavarur dhe të paanshme dhe profesionale këtyre institucioneve.

Bota sot: Po bëhen një vit që kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka nisur në drejtim të Prokurorisë 4 letra, për të kërkuar zbardhjen e shumë rasteve kriminale të gjatë dhe pasluftës në Kosovë, sa mendoni se janë marr parasysh këto kërkesa?

Abelard Tahiri: Sigurisht se në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor, Presidenti i Republikës së Kosovës ka materializuar vullnetin e tij politik për të zbardhur cilindo pretendim apo supozim mbi rastet eventuale të ndodhjes ose jo të krimeve gjatë dhe pasluftës në Kosovë dhe besoj që këto letra janë duke u trajtuar seriozisht nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Bota sot: Si e vlerësoni marrëveshjen për drejtësinë e arritur në bisedimet në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit? A vazhdon Kosova të ketë problem më strukturat paralele serbe të drejtësisë në Kosovë?

Abelard Tahiri: E kam cilësuar si një nga ditët më të veçanta të punës time si Ministër i Drejtësisë, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi, gjegjësisht për integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në sistemin e Kosovës, përmes dekretimit të tyre nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe në pajtim me rendin kushtetues e ligjor të shtetit tonë.

Për vite të tëra, integrimi i pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë në sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimi i institucioneve të drejtësisë në tërë territorin e vendit ka qenë sfidë për institucionet e Kosovës dhe vendosja e sistemit unik të drejtësisë përmes funksionimit të gjykatave dhe prokurorive, në të gjitha komunat e saj, në harmoni të plotë me ligjet ekzistuese të vendit është arritje dhe sukses i sistemit të drejtësisë.

Bota sot:  Më herët është folur se gjykatësit që do të integrohen në sistemin juridik të Kosovës, kanë të kaluar kriminale, si do t`u përgjigjeshit ju këtyre deklaratave?

Abelard Tahiri: Ajo ç’farë është e rëndësishme në raport me gjyqtarët që tashmë ushtrojnë këtë funksion, është se ata janë rekrutuar dhe verifikuar sipas procedurave ligjore në kuptim të kompetencës profesionale por edhe në kuptim të përshtatshmërisë etike nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat