Merovci zbulon detajet e pathëna për Rugovën, çfarë kishte parë ai te Presidenti?

Intervista

Merovci zbulon detajet e pathëna për Rugovën, çfarë kishte parë ai te Presidenti?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 janar 2018 Në ora: 19:37
Adnan Merovci dhe Ibrahim Rugova

Ishte njeriu më i afërt i Presidentit historik Ibrahim Rugova. Kush më mirë se Adnan Merovci do të mund të shpaloste detaje nga jeta e Presidentit?! Ai vjen  në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, për të treguar më shumë lidhur me rrugëtimin e përbashkët me ikonën e pavarësisë së Kosovës, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.

Bota sot: Kur keni filluar të punoni bashkë me Presidentin Rugova?

Adnan Merovci: Fundi i vitit 1989 dhe viti i Ri 1990 në rrethana të vështira, shqiptarët në Kosovë e “festuan”  tani me një parti që do t'i artikulonte kërkesat shekullore. Kjo ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Çdo ditë shkoja në ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që asokohe shfrytëzohej për aktivitetet e LDK-së, dhe takohesha me shumë njerëz duke u përpjekur që secili të ndihmoj aq sa mundet. Ishte kjo koha e kontributeve dhe vetë-angazhimeve , ku secili punonte pa interes.

Të premteve organizohej Konferenca për shtyp e RUGOVËS ku unë nga fillimi filmoja këto Konferenca dhe aktivitetet tjera me video kamerën time private.

Ditë pas ditësh, vërejta se RUGOVA po vinte dhe po kthehej nga banesa në Lakrishtë  në zyre, pa transport. Ndonjëherë në shoqëri me njerëz të rastit sepse ai vet nuk kishte veturë, as që kishte vozitur ndonjëherë. Fillimisht e voziste miku i tij Nail LUMA, me një Renault 4. Pastaj edhe me Mehmet KRAJËN me veturën e tij Opel Ascona.

Një ditë vendosa që duke e njohur RUGOVËN nga afër t'i ofroj vozitje nga Shoqata deri në Lakrishtë. E prita qëllimisht afër zyres dhe në dalje i thash:

“Kryetar, a mundem të ju vozis deri në banesë”?

Image

Ai ma ktheu:

“Adnan, nëse e ke rrugën andej, OK po vijë me ty, përndryshe mos e lako rrugën vetem për mue”.

RUGOVA kur pa se jam vetëm në makinë, u ulë në ulësen e parë duke mos dashtë që të ulet mbrapa.

Rrugës biseduam gjëra që lidheshin me LDK-në dhe kur parkova dhe dola jashtë makinës në Lakrishtë, më tha:

“Adnan flm për vozitje. Ditën e mirë”.

“Jo, Kryetar, do të ju përcjelli deri në banesë”, i thashë.

Ai pak i befasuar më tha: ”S’ka nevojë Adnan, jo, jo”.  Unë i thashë:  “Më falë por kam vendosur që të ju përcjelli deri në derë të banesës”.  I ndodhur në një situatë të tillë dhe duke e parë vendosshmërinë time vazhduam të ecim drejtë hyrjes së II-të në Lakrishtë. Tek hyrja më tha: “Adnan, mjaft tani do shkoj vetem, sepse nuk ka nevojë”.  “Jo, Kryetar do të vijë deri te dera e banesës”, i thashë.

Kur mbërrim te dera, shtypi zilen dhe derën e hapi znj. Fana (bashkëshortja e RUGOVËS) dhe Uka (djali i vogël) që asokohe ishte fëmijë. U përshëndetëm dhe unë u ktheva në hyrjen e pestë të Lakrishtës, ku asokohe banoja me qera.

Të nesermën në mëngjes i telefonova RUGOVËS dhe i thashë se po nisem të të marrë. Rrugës e takova në hyrje. Nuk më kishte pritur në banesë duke mos dashur që të mundohem. Kur ju afruam veturës sime Fiat 101 ngjyrë hiri, ja hapa derën e mbrapme. Ai më tha se don të ulet përpara që mos të mbetem vetëm. Kur ja hapa deren e veturës, më shikoi njëherë në sy dhe më tha:

“Adnan, ke vendosur të më futësh në protokoll, a?”.

Unë heshta. Mendoj se RUGOVA kuptoj se unë veç kisha vendosur që me këmbëngulësi ta shoqëroj tani e tutje.

Kështu ishte fillimi. RUGOVA, njohi dhe pranoi punën dhe angazhimin tim. Pra, unë u vetë-angazhova pa ndërmjetës, bile edhe pa kërkesë të RUGOVËS. Mendova dhe vendosa mos t'i ndahem duke u kujdesur për mbarëvajtjen e punës dhe zyres së tij.

Bota sot: Cilat ishin përshtypjet tuaja të para për Presidentin?

Adnan Merovci: Tek Presidenti RUGOVA unë pashë fatin dhe ardhmërinë e fëmijve të mi. Tek ai pashë artikulimin e kërkesave tona politike të shprehura dhe të plasuara si asnjëherë më parë.

Tek Presidenti RUGOVA pashë njeriun e qetë, të vendosur, të urtë por jo të butë.

Bota sot: Ju jeni një ndër njerëzit që i keni qëndruar afër Presidentit Rugova, cilat janë vlerësimet tuaja për Presidentin Rugova?

Adnan Merovci: Të flasësh tani për Presidentin RUGOVA është më lehtë nga fakti se kemi referencat edhe me të kaluarën edhe me të ardhmen pas ndërrimjetën e Presidentit RUGOVA. Unë po i përmendi vetëm 3 momente që janë relevante për vlerësimin e Presidentit RUGOVA: E para, ai theu përfundimisht mitin e serbëve mbi Kosovën. E dyta, ai ruajti qenjën njerëzore-shqiptare në Kosovë nga luftat në ish-Jugosllavi. E treta, ai orientoi definitivisht popullin tonë dhe synimet tona aty ku i kemi rrënjët kah perëndimi. Në aspektin njerëzor ka tri gjëra që e karakterizojnë Presidentin RUGOVA. Ai ishte njeri i urtë, i moralshëm, i fortë dhe shumë njerëzor. Ai ishte nacionalisti më i madh patriotik dhe ishte patrioti më i madh nacionalist. Presidenti RUGOVA ishte intelektual.

Bota sot: A do të ketë njerëz të tjerë në politikën e Kosovës sikurse ishte Presidenti Rugova?

Adnan Merovci: Sigurisht që jo. Presidenti RUGOVA kreu misionin e tij, na mbetet neve pas tij që të punojmë.

RUGOVA ishte një “peshk” shumë i madhë për një “lum” kaq të vogël siç është Kosova dhe shqiptarët. Lumejt e vegjël rrallë qesin peshq të mëdhenjë. Duhet pritur me dekada e shekuj që “lumi” ynë Kosova të qes një “peshk” si RUGOVA.

Bota sot: A mund të na shpalosni ndonjë detaj rreth Presidentit Rugova që deri më tani nuk e keni bërë publik?

Adnan Merovci: Po, RUGOVA duke qenë duhanpirës i tmerrshëm nuk ka preferur që t'i qes dikush cigare dhe t'i qetë dikujt cigare. Ai pirjen e duhanit ka dashtë ta bëjë me ritet e veta. Kjo nuk dmth që ska marrë dhe ska shkep ndonjëherë cigare.

Bota sot: Cila është këshilla më e mirë që ju e keni marrë ndonjëherë nga Presidenti Rugova?

Adnan Merovci: Mos të paragjykohen njerëzit. Njeriun duhet ta takosh, të flasësh me të, t’ja dëgjosh zërin, të mendosh pozitivisht për të dhe ta bësh atë të ndihet mirë. Kjo d.m.th që secili njeri ka pjesën e tij të mirë. Ne duhet të miremi me të mirat e njerëzve dhe t’i afirmojmë ato, kjo është mënyra më e mirë për t'i luftuar të kqijat.

Bota sot: Mesazhi juaj për vitin 2018?                                                                          

Adnan Merovci: Meqenëse po pyetem për mesazhin për vitin e Ri pas një interviste për Presidentin RUGOVA, edhe mesazhin tim po ja dedikoj Presidentit RUGOVA dhe ai është: “Besim, dashni, punë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat