Sejdiu flet për rrëzimin e Qeverisë dhe aktakuzat e Speciales: PDK nuk ka nevojë t’i frikësohet askujt

Intervista

Sejdiu flet për rrëzimin e Qeverisë dhe aktakuzat e Speciales: PDK nuk ka nevojë t’i frikësohet askujt

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 janar 2018 Në ora: 08:16
Korab Sejdiu

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, i cili vepron në kuadër të Grupit Parlamentar me koalicionin LDK-Alternativa, Korab Sejdiu, ka thënë se Qeveria Haradinaj, nuk ka përmbushur as për së afërti premtimet. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Sejdiu ka thënë se ajo do të mbahet mend vetëm për numrin e madh të zëvendësministrave.

Ai po ashtu ka thënë se Qeveria nuk i ka numrat për miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin, duke qenë peng i Listës serbe me vet dëshirë, derisa ka hedhur kritika edhe ndaj PDK-së. Sejdiu në këtë intervistë, ka folur edhe për votën e tij në rast se opozita ngrit mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, si për mundësinë e aderimit në ndonjë parti politike.

Ndërkaq i pyetur për Gjykatën Speciale, Sejdiu ka theksuar se njerëz të cilët dyshojnë se mund të jenë të përfshirë, mund të kenë filluar përgatitjet paraprakisht. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë së Kosovës për këta tre muaj? A është përmbushur ndonjëri nga premtimet që kanë bërë gjatë fushatës liderët e koalicionit qeverisës PANA-Lista serbe?

Korab Sejdiu: Nuk e di se a ka diçka për të vlerësuar.  Pra, po flasim fillimisht për një vonesë kogja serioze në konstituim të Kuvendit.  E më pastaj, me themelim të qeverisë, u ballafaquam me një angazhim të deputetëve dhe qeverisë në zgjedhjet lokale, me ç’rast mungoi përkushtimi për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të shtyrë përpara proceset e rëndësishme që e presin Kosovën.  Tani, më në fund, kemi pranuar një mori projektligjesh, pjesa dërmuese e të cilave, janë projektligje nga Qeveria e kaluar, që janë kthyer në Qeveri me shpërbërjen e legjislaturës së kaluar.  Po e them tërë këtë për të treguar se nuk kam shumë aktivitet të Qeverisë për të vlerësuar, pra, thjeshtë mungojnë përpjekjet për të shtyrë procese dhe reforma përpara.  Unë nuk po shoh që ka përmbushje premtimesh, as për së afërti, dhe po e pres raportin e punës 100 ditore, me vlerësu nëse paska punuar diçka kjo Qeveri që nuk e paskemi vënë re.  Por, për një gjë është treguar shumë e aftë kjo Qeveri, e ajo është emërimi i zëvendësministrave.  Po pres a do të bëhen 100 para fundit të vitit!

“Bota sot”: Megjithëse nuk kemi parë ende hapa konkret, partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë përmendur mundësinë e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Si do të jetë vota juaj?

Korab Sejdiu: Edhe pse mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve ka një kosto të lartë për vendin, si financiare, ashtu edhe në pamundësimin e realizimit të projekteve që marrin kohë për realizim, kostoja e pasjes së një Qeverie interte, si po tregohet kjo aktualja, është shumë më e lartë.  Prandaj, sa më parë që i jepet fundi kësaj qeverie të ngathët dhe të pakoordinuar, aq më mirë do të jetë për vendin dhe qytetarët e Kosovës.  Rrjedhimisht, për ata që ia dëshirojnë të mirën vendit, nuk ka votë tjetër që mund të japin përpos votës pro mocionit për rrëzim të Qeverisë Haradinaj.

“Bota sot”: A besoni se Kuvendi do të miratojë Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi? A i ka numrat Qeveria dhe a do të varet miratimi i saj nga votat e Listës serbe?

Korab Sejdiu: Unë nuk po shoh që ekzistojnë votat e mjaftueshme për të kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit.  Ajo që ka bërë Qeveria është tërësisht e paarsyeshme, e besa edhe e papërgjegjshme, pra, t’ia dërgojë Kuvendit për miratim një Marrëveshje, së bashku me rekomandim për mos ta votuar, ku edhe vet anëtarët e shumicës parlamentare janë deklaruar se nuk do ta votojnë.  Kjo çështje kombëtare është tejet e rëndësishme për ta shndërruar në lojë politike të një Qeverie të paaftë për të shtyrë procese të mëdha për vendin përpara.  Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, kjo shumicë parlamentare me vetdëshirë e ka bërë veten peng të Listës Serbe, dhe rrjedhimisht Beogradit, prandaj për çdo vendim i duhet përkrahja e tyre, aq më tepër për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare ku nevojiten 2/3 e deputetëve.

“Bota sot”: Po nëse Marrëveshja kalon, sipas jush, a do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës?

Korab Sejdiu: Nëse kalon marrëveshja, përmbushet vetëm njëri nga kushtet.  Prandaj, nuk ka garancë se do të ketë liberalizim të vizave.  Mbetet edhe çështja e korrupsionit kronik në nivelet e larta të shtetit tonë.  Plus, kemi problematikën e mospajtimeve të brendshme në BE lidhur me atë se si duhet trajtuar Kosova dhe liberalizimi, sidomos kur ende kemi anëtarë të BE-së që nuk kanë njohur dhe nuk kanë ndërmend ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Thënë atë, është shumë e qartë se edhe nëse rezulton me liberalizim, prapë se prapë, liberalizimi nuk do të ndodhë shpejtë për arsye të procedurave të brendshme të BE-së. 

“Bota sot”: Ministrat e Haradinajt rrallë po shfaqen në Kuvend. Çka të bëhet me bojkotin e tyre? A mund të iniciohet ndonjë veprim për t’u sanksionuar ministrat dhe deputetët që bojkotojnë punën në Kuvend?

Korab Sejdiu: Po nuk është e befasishme. Nëse Qeveria është e papërgjegjshme, atëherë, nuk mund të pritet që Ministrat që e përbëjnë këtë Qeveri të jenë të përgjegjshëm.  Natyrisht, ka përjashtime, por në përgjithësi, ne kemi parë një papërgjegjësi të thellë të kabinetit qeveritar, por edhe të deputetëve, gjatë mbajtjes së seancave në Kuvend.  Nuk besoj se Kryeministri ka autoritet që t’i obligojë ministrat e kabinetit për asgjë, përfshirë pjesëmarrjen në seanca, pasi që Qeveria aktuale ka shumë shefa, dhe ku ka shumë shefa, nuk ka as punë, as disiplinë, e as rezultate.  Mbetet në ndërgjegjen e secilit të përmbushë obligimet që i ka si shërbyes i qytetarëve. 

“Bota sot”: PDK braktisi seancën ditë më parë për shkak të EULEX-it, për gjoja qasjen diskriminuese ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së. A ishte arsye e mjaftueshme, apo PDK po frikësohet nga diçka apo dikush?

Korab Sejdiu: PDK nuk ka nevojë t’i frikësohet askujt përpos vetvetes.  Për mendimin tim, ky ishte një veprim koti dhe sa për sy e faqe i PDK-së.  Adresa e përgjegjësisë se pse sot këtu kemi EULEX-in, Gjykatën Speciale, e shumë gjëra të tjera të dëmshme për Kosovën, është pikërisht PDK-ja.  UÇK dhe ushtarët e saj vlerësohen duke ndërtuar shtetin për të cilin ata luftuan, duke mos vjedhë, duke mos i barazuar veteranët e vërtetë me gënjeshtarë kriminel, duke u ofruar mbështetje institucionale invalidëve të luftës, dhe duke mos e shkatërruar shtetin në emër të sakrificës së tyre.  Ka kaluar tashmë koha e pallavrave. 

“Bota sot”: Cila është e vërteta për emërimin/betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë? A u betuan ata para presidentit të Kosovës dhe çfarë koncesione u bënë në këmbim të integrimit të tyre?

Korab Sejdiu: Kam thënë edhe më herët që të gjitha koncesionet e dhimbshme që janë bërë në marrëveshjen për drejtësi, janë bërë pikërisht, që gjyqtarët e prokurorët serbë të integrohen plotësisht në sistemin tonë të drejtësisë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhë.  Ne i kemi dhënë koncesionet e dhimbshme, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët serbë në katër komunat në veri të vendit prapë nuk duket se janë integruar në sistemin tonë të drejtësisë. Bëhet fjalë për koncesione të tmerrshme, si pranimi i vendimeve të gjykatave ilegale që kanë operuar të ndara nga sistemi kosovar i drejtësisë, themelimi i një gjykate të veçantë të apelit për veri, e kështu me radhë.  Pra, disa gjëra janë të vërteta, se janë dhënë koncesione të dhimbshme dhe të shumta për të integruar gjyqtarët dhe prokurorët në fjalë në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës;  se këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar me dekret të njëjtë sikur të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë në Republikën e Kosovës; por se këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar pa dhënë betim të njëjtë sikur që e jepin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kyçen në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Pra, këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar, duke nënshkruar deklarata që në asnjë vend nuk përmendin Republikën e Kosovës ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por ndër të tjera përmendet vetëm Kosova, legjislacioni i Kosovës dhe konkluzionet e dakorduara për proces të integrimit – pra nuk shprehet në asnjë mënyrë lojaliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në fjalë ndaj shtetit të Kosovës. Koha do ta tregojë nëse gjyqtarët dhe prokurorët në fjalë janë integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe nëse do të punojnë për këtë vend, pavarësisht të dhënave të paracekura që i ndava me ju.

“Bota sot”: A duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë nëse në të përfshihet nga njëra anë SHBA dhe nga tjetra Rusia?

Korab Sejdiu: Kosova nuk guxon të merr pjesë në dialog nëse në atë dialog përfshihet Rusia.  Në anën tjetër, përfshirja e SHBA-ve në dialog është e domosdoshme për të barazuar fuqinë negociuese në tavolinën e Brukselit.  Por çështja e diaolgut duhet ridefinuar shumë më thellë, se sa vetëm përfshirja e SHBA-ve.  Kërkohet njëristrukturim i tërësishëm, para se të vazhdohet. 

 “Bota sot”: Si një jurist (avokat), kush mendoni se do të jenë të akuzuarit e Gjykatës Speciale. A do mund të shkaktojë tensionim të situatës ngritja e aktakuzave?

Korab Sejdiu: Besoj se ngritja e aktakuzave do të ketë efektin e vet në shoqërinë tonë, përfshirë edhe skenën politike, edhe pse nuk besoj se do të ketë ndonjë tërmet të madh. Por, është herët të flitet për personat që do të akuzohen, pasi që ky është një sekret në të cilin ne nga Kosova nuk kemi qasje.  I kam vënë re përpjekjet e marketingut të disa matrapazëve me shpresë që të përfitojnë ndonjë klient nga e tërë kjo rrëmujë, por për hir të korrektësisë ndaj lexuesve tuaj, duhet theksuar se aktakuzat do të dihen kur të shpallen, dhe cila do tentativë për të pretenduar se dihen të akuzuarit, është thjeshtë mashtrim.  Natyrisht, mund të ketë njerëz të cilët dyshojnë se mund të jenë të përfshirë, dhe mund të kenë filluar përgatitjet paraprakisht.  Por, e vërteta lidhur me të akuzuarit do të mësohet më vonë. 

“Bota sot”: Aktualisht veproni si deputet i pavarur, a  do të vazhdoni si i pavarur edhe në të ardhmen apo do të aderoni në ndonjërën nga partitë politike?

Korab Sejdiu: Për momentin, unë do të vazhdoj të veproj si deputet pa përkatësi partiake, por brenda grupit parlamentar në të cilin kam qenë nga fillimi, pra LDK-Alternativa-dhe unë.  Gjatë kësaj kohe, unë do të fokusohem që të kryej obligimet dhe përgjegjësitë që kam si deputet.  Natyrisht, në këtë drejtim, kam marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjithë kolegët e mi, pavarësisht cilave parti apo grupe parlamentare i takojnë. Besoj kah fundi i këtij mandati, do të marr vendim nëse do të vazhdoj të merrem me politikë, dhe pastaj nëse po, atëherë do të përcaktohem se si do të rrugëtoj politikisht. 

“Bota sot”: Cilat do të ishin kushtet tuaja për aderim në ndonjërën nga subjektet politike?         

Korab Sejdiu: Po nuk është se kam ndonjë kusht.  Më shumë ka të bëjë me përshtatje ideologjike, dhe me atë se cilin subjekt e shoh që ka mundësi më të madhe për të kontribuar në përmirësimin e rrethanave, në të cilën gjendet Kosova dhe qytetarët e saj.  Pra, ku mund të kontribuoj më shumë që jeta e qytetarëve të përmirësohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat