“Rezultati në PISA, reflektim i gjendjes në sistemin e arsimit në Kosovë”

Intervista

“Rezultati në PISA, reflektim i gjendjes në sistemin e arsimit në Kosovë”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 2 shkurt 2018 Në ora: 11:14
Dukagjin Pupovci

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsimin e Kosovës, ka folur për gjendjen aktuale të arsimit në Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Pupovci ka thënë se rezultati i dobët i nxënësve tonë në PISA, është reflektim i gjendjes në sistemin e arsimit, por edhe në shoqëri.

Sipas Pupovcit, rritjet e pagave në sektorin publik janë shndërruar në instrument të qeverisë për t’i  kontrolluar masat. Ai ka thënë se pagat duhet të ndërlidhen me licencimin  mësimdhënësve.

Pupovci, ka folur po ashtu për kërkesën e tij që kryeministri Ramush Haradinaj të raportojë para Kuvendit për shkarkimin e Bordit të Agjencisë për Akreditim. Ai ka thënë po ashtu se buxheti për fushën e arsimit, duhet të rritet, meqë buxheti i tanishëm është i pamjaftueshëm.

Bota sot: Si e shihni gjendjen aktuale të arsimit në vend?

Dukagjin Pupovci: Ekziston një perceptim i përgjithshëm se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është aspak e kënaqshme. Me vite shohim se si universitetet ankohen për maturantët që nuk janë të përgatitur për studime, ndërsa punëdhënësit për të diplomuarit që nuk kanë shkathtësi të duhura për ushtrimin e profesionit. Para një viti, e morëm edhe një konfirmim ndërkombëtar për gjendjen jo të mirë të arsimit, nga rezultati i testit PISA. Mendoj se një ndër arsyet kryesore për këtë gjendje në arsimin parauniversitar është dështimi që të ndërtohet një sistem i mirëfilltë që bazohet në përgjegjësi dhe llogaridhënie. As sot nuk ekzistojnë mekanizma për sigurimin e cilësisë së mësimdhënies në shkolla, e as ndonjë formë këshillimi për mësimdhënës, e të mos flasim për mungesën e mjeteve të konkretizimit. Ndërkaq, në arsimin e lartë kemi pasur një degradimi të skajshëm përmes politizimit, tolerimit të formave të ndryshme të shkeljes së integritetit akademik dhe masivizimit të pakontrolluar të këtij sektori. Kjo ka bërë që institucionet tona të arsimit të lartë të ngecin në raport me institucionet simotra nga vendet tjera të rajonit, me përjashtim të Shqipërisë.

Bota sot: Pse dështoi Kosova në ranglistën e PISA-s?

Dukagjin Pupovci: PISA mat aftësitë e nxënësve të moshës 15 vjeç për t’i zbatuar njohuritë e tyre në situata të jetës së përditshme. Prandaj, rezultati i dobët i nxënësve tonë është reflektim i gjendjes në sistemin e arsimit, por edhe në shoqëri. Në fakt, rezultati i nxënësve është kombinim i shumë faktorëve, ku bëjnë pjesë: mësimdhënia, vlerësimi, kushtet infrastrukturore, planprogramet, tekstet mësimore, disiplina në shkollë, gjendja sociale, familja, rrethi shoqëror e shumë e shumë të tjera. Prandaj, çdo mangësi në njërën nga këto fusha ndikon edhe në suksesin e nxënësve. Për shembull, nëse tek nxënësi nuk kultivohet shprehia e të lexuarit, atëherë ai, jo vetëm që do të ketë probleme me të kuptuarit dhe interpretimine drejtë të asaj që lexon, por dotë ketë vështirësi për të shënuar arritje në çdo fushë të jetës. Me siguri se shkolla ka përgjegjësinë më të madhe pse nxënësit tonë kanë dalë aq keq në lexim, por nxitja për lexim duhet të bëhet edhe nga familja dhe rrethi shoqëror.

Bota sot: Çka duhet të bëjnë institucionet përgjegjëse për të përmirësuar nivelin e arritshmërisënë këtë listë?

Dukagjin Pupovci: Nuk është qëllimi që të përmirësohet rankimi në testin PISA, sa për të thënë se jemi më mirë se ky ose ai shtet, por të përmirësohet sistemi i arsimit, në atë mënyrë që të prodhojë cilësi. E kuptoj se është mirë që nxënësit të sensibilizohen që të japin maksimumin e vet në test, në mënyrë që rezultati të reflektojë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre. Por, çdo gjë tjetër përtej kësaj ka të bëj me ndryshime që duhet bërë për ta përmirësuar gjendjen e arsimit në Kosovë. Në dhjetorin e vitit 2016 Qeveria e Kosovës ka aprovuar një plan strategjik pesëvjeçar, i cili prek të gjitha fushat e rëndësishme për cilësinë e arsimit, duke filluar nga mësimdhënia deri tek pajisja e shkollave me teknologji të informacionit. Ky plan dhe politikat tjera duhet të zbatohen me konsekuencë, duke vlerësuar rezultatet dhe duke bërë modifikime të nevojshme në rrugë e sipër. Kuptohet, zbatimi konsekuent kërkon shumë punë, përkushtim dhe ca mjete financiare.

Bota sot: Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyçi ka paralajmëruar provim shtetëror për studentët që janë në prag të diplomimit si reformë të re për arsim. A është e nevojshme një praktikë e tillë dhe a do të ketë efekt ajo?

Dukagjin Pupovci: Ligji për profesionet e rregulluara parasheh provimin shtetëror për ushtrimin e disa profesioneve specifike, si: mësimdhënës, jurist, arkitekt, mjek, farmacist, veteriner, e kështu me radhë. Bëhet fjalë për një listë të kufizuar që është konform praktikave më të mira ndërkombëtare.  Mendoj se mjafton që shteti të kufizohet në profesionet e rregulluara, ashtu si parasheh ligji. Nuk praktikohet askund që shteti të organizojë provime për të diplomuarit nga fushat që nuk janë të rregulluara, si, për shembull: shkencat kompjuterike, shkencat politike, biznesi, menaxhmenti, turizmi, gazetaria, arti, e kështu me radhë. Përveç kësaj, nuk duhet harruar se në arsimin e lartë, çdo vit diplomojnë rreth 15,000 studentë nga mbi 340 programe të akredituara dhe Kosova, si vend i vogël që është, nuk ka kapacitete akademike dhe logjistike të organizojë provime shtetërore për një numër kaq të madh kandidatësh dhe programesh. Mendoj se problemi i cilësisë në arsimin e lartë duhet të zgjidhet përmes respektimit konsekuent të kritereve të akreditimit dhe inspektimit të rregullt të institucioneve të arsimit të lartë, që të sigurohet se ju përmbahen kushteve të akreditimit.

Bota sot: Ministri Bytyçi, ka thënë se mund të realizohet edhe projekti i reduktimit të gjashtë universiteteve të Kosovës në vetëm dy. A konsiderohet ky një hap i ngutshëm?

Dukagjin Pupovci: Sa kam kuptuar unë, ekziston një grup i punës që është duke bërë një analizë të gjendjes. Mendoj se kjo është një nismë e mirë dhe duhet pritur se cilat do të jenë përfundimet dhe rekomandimet e grupit të punës. Arsimi i lartë në Kosovë ka probleme me sigurimin e stafit akademik të kualifikuar dhe këto probleme janë akoma më të shprehura në gjashtë universitetet publike që operojnë jashtë Prishtinës. Duhet ta dimë se stafi akademik është përcaktuesi kryesor i cilësisë së një institucioni, prandaj nuk bën që vazhdimisht të mbyllen sytë duke pretenduar se kemi njerëz të kualifikuar, sepse kjo nuk ka të bëjë me realitetin. Nga ana tjetër, kemi përsëritje të programeve në universitet publike, për shembull katër fakultete juridike dhe mijëra juristë të papunë. Mendoj se ka vend për racionalizim, por kjo duhet të bëhet pas analizës së gjendjes.

Bota sot: Çka do të bëhet me të diplomuarit dhe studentët e universiteteve që mbyllen? A duhet t’iu njihet atyre diploma?

Dukagjin Pupovci: Gjithsesi. Ato janë institucione të akredituara dhe diplomat e fituara njihen. Kjo është praktikë në gjithë botën.

Bota sot: MASHT ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ, i cili i bënë të barabarta diplomat e atyre studentëve që janë kualifikuar për mësimdhënës nga institucionet private dhe atyre publike. Me çfarë kriteri duhet të vlerësohen ata që konkurrojnë për një pozitë pune?

Dukagjin Pupovci: Ka qenë një periudhë kur institucioneve private u është lejuar të ofrojnë programe për përgatitjen e mësimdhënësve. Kuptohet, nuk është e drejtë që tani ato diploma të mos njihen, sepse programet kanë funksionuar me licencë të shtetit. Prej vitit 2011, vetëm institucionet publike mund të ofrojnë programe për mësimdhënës. MASHT ka një udhëzim administrativ me kritere relativisht të përgjithësuara, ndërsa komunat, që janë punëdhënësit e mësimdhënësve, e zbatojnë në mënyra të ndryshme. Për shkak të pasaktësive shpesh ndodhin abuzime me rastin e punësimit.  Prandaj, duhet punuar në hartimin e udhëzimeve me kritere dhe procedura më të qarta, duke e monitoruar zbatimin e tyre nga komunat. Kjo do të siguronte punësimin meritor që ndikon në cilësinë e mësimdhënies.

Bota sot: z.Pupovci, ju keni akuzuar Qeverinë për ndërhyrje në punën e Rregullatorit shtetëror dhe keni kërkuar që kryeministri Ramush Haradinaj, të raportojë para Kuvendit për shkarkimin e Bordit të Agjencisë për Akreditim. Pse nuk u ndërmor asgjë në këtë drejtim, sipas jush, nga deputetët e opozitës?

Dukagjin Pupovci: Ende nuk e kam të qartë pse është shkarkuar Bordi i AKA në momentin kur pati filluar t’i bëj disa hapa pozitivë drejt sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Mbase ka qenë dëshirë e Qeverisë që ta ketë një përbërje, e cila gëzon besimin e saj, por kjo nuk është rruga e duhur për të siguruar pavarësinë e një institucioni siç është Agjencia e Akreditimit. Kjo Agjenci, me të gjitha mangësitë e veta, është anëtare e Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë (ENQA) dhe, si e tillë, duhet të jetë e pavarur nga politika ditore. Ndërhyrjet e shumta politike në të kaluarën kanë bërë që Agjencia, shpesh, të merr vendime për akreditim edhe në ato raste kur ka pasur dyshime serioze për cilësi ose nuk janë plotësuar kushtet ligjore. Mendoj se nuk ka pasur nevojë edhe për një ndërhyrje të këtij lloji dhe uroj që kjo të ketë qenë e fundit.

Është obligim ligjor të raportohet në Kuvend nëse shkarkohen më shumë se 3 anëtarë të Bordit të AKA përnjëherë dhe këtë raportim, sipas Ligjit, duhet ta bëjë ministri. Nuk ka nevojë në këtë rast për ndonjë mocion të veçantë nga deputetët, por, nëse raportimi nuk ndodhë, atëherë besoj se dikush do ta ngrehë këtë çështje në Kuvend.

Bota sot: Pse sipas jush, anëtarët e Bordit të Agjencisë duhet të zgjidhen nga Kuvendi?

Dukagjin Pupovci: Sipas Ligjit, anëtarët e Bordit të AKA emërohen nga ministri dhe ratifikohen nga Kuvendi. Mendoj se kjo është rruga e duhur, e cila po ndiqet në këtë rast.  Tanimë, Komisioni Parlamentar për Arsim e ka shqyrtuar vendimin e ministrit, i ka dhënë komentet e veta dhe besoj se Kuvendi, së shpejti, do ta merr një vendim.

Bota sot: Si duhet të bëhet vlerësimi i mësimdhënësve?

Dukagjin Pupovci: Ligji për arsimin parauniversitar i vitit 2011 parasheh që të bëhet vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, si pjesë e procesit të licencimit të tyre. Deri sot një vlerësim i tillë nuk është bërë, edhe pse janë nxjerrë rregulloret përkatëse me të cilat parashihet që një pjesë të vlerësimit e bën drejtori i shkollës, ndërsa pjesën tjetër Inspektorati i Arsimit. Procedura parasheh që mësimdhënësi të monitorohet nga inspektorët gjatë një ore mësimore dhe të prezantojë portofolion e punës së vet pedagogjike. Unë mendoj se ka hezitim të fillohet me këtë lloj vlerësimi, pasi askush nuk dëshiron të përballet me situata të vështira kur një numër i mësimdhënësve duhet të largohen nga sistemi, ndërsa pagat duhet të lidhen me nivelet e licencës.

Bota sot: Pse nuk po njihen diplomat e studentëve që përfundojnë nivelin Master në Universitetet e rajonit dhe anasjelltas?

Dukagjin Pupovci: Procedurat e njohjes në Kosovë janë relativisht të thjeshta, por probleme ka me njohjen e diplomave nga universitetet private të Shqipërisë edhe pse nuk ka ndonjë pengesë ligjore që ato të njihen. Sa po kuptoj unë, ka dyshime në cilësinë e cila qëndron pas atyre diplomave. Për shembull, një universitet privat në Tiranë i ka dhënë 282 doktorata për dy vjet, që është larg mbi kapacitetet e secilit institucion në Rajon.  Tjetri ka pasur një aferë me dhënien e diplomës një shtetasi italian i cili asnjëherë nuk ka qenë në Shqipëri, dhe, më vonë është mbyllur, ndërsa ka qindra diploma nga ky institucion që presin për njohje në MASHT.  Shembuj të tillë të këqij keni edhe nga vendet tjera të Rajonit, përfshirë edhe Kosovën, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. 

Kriteret në arsimin e lartë kanë degraduar gjithandej dhe kjo më së shumti i dëmton ata që i kanë fituar diplomat me meritë, sepse të tillë ka edhe në institucionin më të keq të mundshëm. Natyrisht, Kosova e ka shumë të vështirë t’i thotë Shqipërisë se atje nuk ka cilësi, pasi as këtu nuk jemi shumë më mirë, prandaj edhe kërkohen rrugë që të shmanget obligimi i njohjes. Mendoj se ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri duhet të bisedojnë për këtë çështje, sepse me degradimin që po i bëhet arsimit të lartë në të dy anët e kufirit, shkaktohen dëme të pariparueshme.

Bota sot: Po paralajmërimet për grevë nga SBASHK-u nëse mësimdhënësve nuk u rritet paga më shumë se 4 për qind, si i komentoni?

Dukagjin Pupovci: Rritjet e pagave në sektorin publik janë shndërruar në instrument të qeverisë për t’i  kontrolluar masat. Premtimet, zakonisht, bëhen në kohë fushate, pastaj plotësohen në një masë më të vogël ose nuk plotësohen fare. Rritjet e deritanishme të pagave nuk kanë ndikuar aspak në përmirësimin e performancës së mësimdhënësve, pasi kanë qenë rritje lineare, pavarësisht angazhimit dhe rezultateve. Në fakt, pagat duhet të ndërlidhen me licencimin, ndërsa licencimi, ashtu si parasheh ligji, me vlerësimin e mirëfilltë të performancës. Një skemë e tillë do të ishte stimuluese për mësimdhënësit që vazhdimisht të përmirësohen, ndërsa ata të cilët nuk punojnë si duhet do t’i largonte nga sistemi. Përndryshe, e kuptoj mllefin e SBASHK-ut me vendimin që pagat e zyrtarëve të lartë të rriten 100%, ndërsa të mësimdhënësve 4%. Megjithatë, SBASHK-u duhet të shoh pak se cili është niveli i pagave në shtetet e tjera të Rajonit në raport me koston e jetesës dhe pagën mesatare në ato shtete, e të mos ju besoj premtimeve joreale që jepen nga subjektet politike në kohë fushate.

Bota sot: A duhet të rritet buxheti për të pasur rezultate pozitive në fushën e arsimit?

Dukagjin Pupovci: Kosova shpenzon rreth 16% të buxhetit të shtetit për arsim që është, përpjesëtimisht, më shumë se shumica e shteteve të Rajonit. Megjithatë, ne kemi buxhet më të vogël se shtetet tjera dhe numër shumë më të madh të të rinjve, prandaj edhe ky buxhet është i pamjaftueshëm. Vetëm për zbatimin e planit strategjik të arsimit, të aprovuar nga qeveria në dhjetor 2016, mungojnë rreth 90 mililonë euro për periudhën 5 vjeçare. Kjo nuk është ndonjë shumë e madhe – 2 km më pak autostradë në vit. Por, deri tani nuk ka pasur vullnet politik që të hiqet dorë nga ndonjë investim tjetër për të siguruar mjetet e nevojshme për arsim, ndërkohë që janë bërë rritje të paplanifikuara të pagave. Kjo ka bërë që për paga të shpenzohen rreth 80% e buxhetit, që nuk lë shumë hapësirë për nevojat tjera: infrastrukturë, mjete konkretizimi, libra, etj. Kjo do të jetë arsyeja që shkollat tona nuk janë të pajisura si duhet me mjete konkretizimi, mungojnë bibliotekat ose kanë pak libra, e kemi një kompjuter për 45 nxënës, e kështu me radhë. Kuptohet, të gjitha këto ndikojnë në rezultatet e nxënësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat