Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit tregon çka don SHBA nga Kosova dhe Serbia, ja cila është frika e Merkelit

Intervista

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit tregon çka don SHBA nga Kosova dhe Serbia, ja cila është frika e Merkelit

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 19:52
James Hooper

Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se Shtetet e Bashkuara po i trajtojnë tani marrëdhëniet me Serbinë dhe me Kosovën si çështje të një rëndësie strategjike. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i tha gazetarit Ilir Ikonomi, se rregullimet territoriale janë çështje taktike dhe se SHBA po e hedhin vështrimin më larg, në mënyrë që palët të mos mbeten në pozicionet e tyre të vjetra. Zoti Hooper komentoi rreth një deklarate të bërë nga Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, i cili tha se nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, SHBA nuk do ta pengonin një rregullim territoresh.

Zoti Hooper, Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëheshin pengesë për një marrëveshje që çon në rregullime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çfarë nënkupton kjo sipas jush?

James Hooper: Kjo nënkupton se SHBA tani po i trajtojnë marrëdhëniet me Serbinë dhe me Kosovën si çështje të një rëndësie strategjike për Amerikën. Mendoj se SHBA duan një rezultat të negociuar. Ato e kuptojnë se kjo do të përfshinte veriun e Kosovës, se mund të ketë disa rregullime të nevojshme kufijsh. Por ato duan marrëdhënie më të mira me Kosovën, që gjithmonë kanë qenë të mira, por edhe me Serbinë. Lufta e NATO-s në Kosovë krijoi probleme aftagjata për SHBA në marrëdhëniet me Serbinë, prandaj është e kuptueshme që SHBA do të dëshironin që këto marrëdhënie të ktheheshin në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, edhe pse SHBA do të donin përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk do të thotë aspak se kjo do të bëhet në kurriz të Kosovës. Fjala është tani për një përpjekje, për të krijuar një marrëdhënie të tillë, në të cilën Kosova do të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Deri kohët e fundit Uashingtoni kishte hedhur poshtë çdo mundësi për rregullime territoriale në Ballkan. Çfarë ka ndodhur?

James Hooper: Po të shikosh çështjet territoriale, për mua këto janë çështje taktike. Mendoj se SHBA po e shikojnë tani këtë si një marrëdhënie strategjike me Serbinë dhe me Kosovën. Ato po i ofrojnë Serbisë dhe Kosovës marrëdhënie më të mira me SHBA, me Perëndimin dhe me Evropën. Thelbi i një marrëveshjeje të tillë nuk ka të bëjë thjesht me veriun e Kosovës, por me një marrëdhënie më të mirë me SHBA, me Perëndimin dhe me Evropën. Pjesë e kësaj do të ishte një stabilitet më i madh për Kosovën përmes anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, një stabilitet më i madh për Serbinë përmes shpejtimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Po kështu do të kishim një marrëdhënie më të mirë të Kosovës me Bashkimin Evropian. Për mua, çështja nuk është nëse serbët do të fitonin një kilometër më shumë apo kosovarët një pjesë më shumë territori në Serbinë jugore. Për këtë arsye SHBA qëllimisht po i shmanget përsëritjes të së njëjtës gjëje që kanë thënë më parë për çështjen e shkëmbimeve territoriale, sepse kjo i mban palët në nivel taktik dhe në pozicionet e vjetra.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, thotë se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan. A mund të shohim një përplasje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rreth kësaj çështjeje?

James Hooper: Ajo që e shqetëson zonjën Merkel është destabilizimi. Mendoj se amerikanët në këtë rast e vënë theksin tek pozitivja ndërsa zonja Merkel tek rreziqet, por mendoj se këto mund të zgjidhen mes SHBA dhe Gjermanisë. Kjo do të kërkonte bisedime serioze mes tyre, por në fund të fundit për këtë punë janë aleatët.

Sa i mundur do të ishte një rregullim apo shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë?

James Hooper: Pikëpamja ime është se nëse do të arrihej një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe që përfundon me hyrjen e Kosovës në OKB, gjë që do të ishte një hap gjigand për Kosovën, për rajonin dhe për Serbinë, atëherë do të ishte plotësisht e mundur të mendohej për disa korrigjime kufijsh në mënyra konstruktive, që do të përfshinin veriun. Këtu flasim për rezultate që sjellin stabilizim. Është e vështirë të medojmë për rezultate stabilizuese, nëse korrigjime të tilla do të shkaktonin largimin e një numri të madh njerëzish nga shtëpitë e tyre. Nëse e shikon çështjen nga pikëpamja strategjike, atëherë është e lehtë ta kuptosh. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania hoqi dorë nga pretendimet për Alsasë-Lorenën në Francë. Por shihni marrëdhëniet e tyre sot! Gjermania dhe Franca që kanë qenë armiq të vjetër, kanë sot ndër marrëdhëniet më të ngushta në botë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat