Nuk janë 60 mijë veteranë, fryrja e listave dëmtoi imazhin e luftëtarëve të vërtetë

Intervista

Nuk janë 60 mijë veteranë, fryrja e listave dëmtoi imazhin e luftëtarëve të vërtetë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 gusht 2018 Në ora: 08:02
Xhevdet Qeriqi

Përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave të veteranëve dhe invalidëve të luftës, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se kërcënimet dhe dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj përbëjnë një lajm të keq, pasi kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një sistem të brishtë të drejtësisë, që është i paaftë për t’i luftuar dukuritë negative.

Xhevdet Qeriqi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka potencuar se për numrin e veteranëve të vërtetë më së miri ka folur ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së,  Sylejman Selimi.

Ai ka bërë me dije se gjendja e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk është e mirë, pasi secili prej tyre është i pakënaqur dhe i zhgënjyer me listat.

Ndërsa, idenë e presidentit Thaçi për shkëmbim të territoreve, Qeriqi ka konsideruar si një ide e rrezikshme, e cila nuk duhet të diskutohet.

“Bota sot”: Javë më parë u publikua një aktakuzë për veteranët e rrejshëm, ndërsa lidhur më këtë ka dhënë dorëheqje edhe prokurori i cili e kishte ngritur këtë aktakuzë. 19 mijë veteranë të rrejshëm, cili është komenti i juaj?

Xhevdet Qeriqi: Ne e kemi parë që para disa dite është publikuar një aktakuzë për veteranët e rrejshëm, ne jemi ata të parët që i kemi kundërshtuar listat e veteranëve të cilat i ka nxjerrë Komisioni qeveritar, për arsye se këto lista kanë qenë të fryra nga ana e këtij komisioni, po ashtu edhe kemi protestuar para qeverisë kundër fryrjes së këtyre listave me veteran të rrejshëm. Dorëheqja e prokurorit z. Blakaj, të them të drejtën na ka shqetësuar, deklarimet e tij i cili thotë se ka qenë i kërcënuar për ta quar këtë rast përpara, mendoj që jo vetëm për neve si veteranë të luftës, por kjo duhet të jetë shqetësuese për secilin qytetar të këtij vendi. Të kërcënohet një prokuror dhe të detyrohet të jap dorëheqje është një lajm shumë i keq, i cili e dëshmon se kemi të bëjmë me një sistem të brishtë të drejtësisë që është i paaftë për t’i luftuar dukurit negative.

“Bota sot”: Kush fshihet prapa gjithë kësaj?

Xhevdet Qeriqi: Se kush fshihet prapa këtij më së miri do ta tregonte z. Blakaj, se kush dhe për çfarë e ka kërcënuar, për arsye se ai ka deklaruar se ka qenë i kërcënuar dhe do të ishte mirë që ta sqaronte për opinionin, se kush ishin ata njerëz.

“Bota sot”: Flitet për shifra të ndryshme, sa ushtarë kishte UÇK-ja, sipas jush?

Xhevdet Qeriqi: Një gjë dua ta them se ky numër që ka dalë nga ky Komision qeveritar, e që flitet për një numër rreth 60.000 mijë veteranë nuk përkon me realitetin. Se sa ka qenë numri i veteranëve të vërtet më së miri e ka treguar ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm,  Sylejman Selimi. Po i dëgjoj disa deklarata të disa zyrtarëve, se luftën e kanë ndihmuar në forma të ndryshme, ky numër prej 60.000 mijë vetave, mendoj se nëse bëhet fjalë për ndihmë për luftën për çlirim. Numri është më i madh sepse të gjithë qytetarët e këtij vendi e kanë ndihmuar dhe përkrahur në forma të ndryshme, mirëpo mos të harrojmë se ligji e përcakton çartë se kush mund të jetë veteran luftëtar, pra ky ligj e thotë se veteran luftëtar është ai person i cili ka qenë i inkuadruar direkt në luftë, i armatosur dhe i uniformuar dhe që ka shërbyer deri në përfundim të luftës. Ky komision ka bërë shkelje të ligjit për veteranët edhe këto shkelje i ka evidentuar edhe prokurori Blakaj në aktakuzën e tij.

“Bota sot”: Z. Qeriqi cila është zgjidhja e gjithë këtij skandali?

Xhevdet Qeriqi: Përderisa po shihet se kemi të bëjmë me një sistem të brishtë të drejtësisë, nuk shoh një zgjidhje. Ajo çka mund të them është se po keqpërdoret buxheti i shtetit duke përfituar pensione njerëz pa asnjë meritë pa qenë fare në luftë.

“Bota sot”: Në vazhdimësi jeni në kontakt me veteranët e vërtetë, cila është gjendja e tyre sot?

Xhevdet Qeriqi: Po, është e vërtet se çdo ditë jam në kontakt dhe kam takime të përditshme me kolegët e mi të luftës, gjendja e tyre nuk është aspak e mirë, secili prej tyre është i pakënaqur, i zhgënjyer me këto lista. Morali i luftëtarit të vërtet është thyer, nuk e kanë më atë krenarinë që kanë luftuar, pra shihet çartë se është dëmtuar imazhi i luftëtarit të vërtet. Sa i përket gjendjes ekonomike dhe shëndetësore ende ka shumë luftëtar të cilët po përballen me këto probleme.

“Bota sot”:  A është kjo Kosova që e keni menduar?

Xhevdet Qeriqi: Jo vetëm ne si luftëtar, por besoj secili qytetar i këtij vendi e ka ëndërruar një Kosovë më ndryshe. Mendoj se nuk e kemi merituar si popull të jemi në këtë gjendje, duke pasur parasysh që kemi përjetuar shumë vuajtje të përbashkëta. Sot, gjeneratat e reja të këtij vendi janë të pashpresë se do të mund të kenë një vend pune, të gjitha kategoritë e kësaj shoqërie po përballen me shumë probleme të mëdha. Në anën tjetër, institucionet e vendit shumë pak merren me zgjidhjen e këtyre problemeve, jemi vendi më i izoluar në Evropë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Xhevdet Qeriqi: Sa i përket gjendjes politike aktuale në vend, mendoj se kemi të bëjmë me një politikë tërësisht të çorientuar e cila nuk ka asnjë plan për rimëkëmbjen e ekonomisë të vendit dhe nuk ka asnjë plan për ta quar përpara Kosovën, nuk kanë asnjë strategji, për t’i sjellë investimet e huaja, të cilat do ta ringjallnin ekonominë, mungojnë projektet apo planet se si të thithen donacionet të ndryshme, po ashtu mungon një strategji e diplomacisë së jashtme, të cilat do ta anëtarësonin Kosovën në organizata të ndryshme botërore, ku do të kishte shumë dobi vendi i ynë.

“Bota sot”: Së fundi, presidenti Hashim Thaçi ka propozuar idenë për shkëmbim territoresh. A duhet të ndodh një gjë e tillë?

Xhevdet Qeriqi: Ne të gjithë jemi dëshmitarë, për bisedimet të cilat ka kohë që kanë nisur në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Kosova asgjë nuk ka përfituar nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të gjithë jemi dëshmitarë se krejt këto bisedime po bëhen se çka të fitojnë serbët brenda Kosovës, asnjë nga këto marrëveshje nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

Serbia prapë është duke lobuar kundër Republikës së Kosovës. Është duke bërë pengesa dhe bllokada të përditshme për mos anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme botërore. Kemi disa marrëveshje të nënshkruara e të cilat janë shumë të dëmshme për vendin. Dua ta përmendi vetëm një; Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila është shumë e rrezikshëm për vendin, me të cilën do të kemi probleme serioze si shtet, në momentin e funksionimit të saj do të vërehen problemet me të cilat do të përballemi si shoqëri.

“Bota sot”: Çfarë mund të ndodhë nëse kemi shkëmbim territoresh?

Xhevdet Qeriqi: Këtë idenë për shkëmbim të territoreve, e cila po përmendet kohëve të fundit, e shoh si një ide shumë e rrezikshme për vendin, andaj mendoj që kjo ide nuk duhet as të diskutohet e lërë më të bisedohet. Republika e Kosovës i ka kufijtë e vet me të cilët është njohur ndërkombëtarisht nga shumë vende të botës, kështu që çdo veprim apo tentim për të negociuar për këtë temë duhet ta kundërshtojmë të gjithë, sepse nuk do të përfitojmë asgjë nga kjo. Është Komisioni shtetëror i cili mund të merret për përcaktimin e kufirit në mes të Republikës të Kosovës dhe asaj të Serbisë, por me asnjë kusht të diskutohet për një shkëmbim territoresh. Besoj dhe jam i bindur që secili qytetarë i Republikës të Kosovës e kundërshton idenë e Thaçit për shkëmbim territoresh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat