Zëvendëskryeministri Hoxhaj: Të kushtëzohet BE-ja nëse s’ndodh liberalizimi

Intervista

Zëvendëskryeministri Hoxhaj: Të kushtëzohet BE-ja nëse s’ndodh liberalizimi

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 17:05
Enver Hoxhaj

Njeriu i dytë në Qeveri dhe në PDK, Enver Hoxhaj, konsideron se Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj Bashkimit Evropian nëse deri në fund të vitit nuk merret vendimi për liberalizimin e vizave.

Madje, zëvendëskryeministri Hoxhaj thotë se, nëse s’ka vendim sivjet, Kosova duhet të vendosë politikën e kushtëzimit në raport me BE’në.

“Jam për atë që ne duhet ta kultivojmë një politikë të kushtëzimit nëse BE i diskriminon qytetaret e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë.

Ai thotë se udhëheqësit e vendeve të BE’së prej vitit 2016 kanë deklaruar në Prishtinë e Bruksel se posa të miratohet demarakcioni me Malin e Zi do të ketë lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës.

Hoxhaj ka folur edhe për problemet pozitë-opozitë rreth dialogut dhe për PDK’në. Ka thënë se javën e ardhshme do të ulen me partitë opozitare për të ratifikuar një Rezolutë dhe një ekip për dialogun me Serbinë.

Për zgjedhjet në PDK, Hoxhaj ka thënë se është normale të ketë mendime e qëndrime të ndryshme brenda degëve nëpër rajone të Kosovës. Ai shprehet edhe se Kadri Veseli do të jetë serish kandidat për kryetar, derisa ende nuk duhet nëse do të ketë pretendentë të tjerë.

Lëshuat një deklaratë në të cilën thoni se nëse BE-ja nuk e vendos në agjendë dhe nuk ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën, të mos vazhdojmë dialogun. Ky qëndrim i juaji po vjen për shkak se BE’ja mund të mos marrë fare sivjet vendim për liberalizim të vizave, apo keni informata tjera për këtë proces?

Hoxhaj: Deri më tani ne kemi pasur informata ku Komisioni Parlamentar, Komisioni Evropian e Parlamenti Evropian kanë dalë me deklarata se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Tash, situata e brendshme në secilin vend anëtar dhe konteksti i brendshëm brenda BE’së nuk është arsye të ndikojë nëse do të ketë liberalizim të vizave në dhjetor apo jo. Nëse ndodh kjo nuk kemi pse t’i besojmë BE-së për asnjë premtim në raport me Kosovën dhe Serbinë. Nëse BE’ja s’i mban premtimet e veta, do ishte absurde t’i besojmë kur thotë se Serbia do të njohë Kosovën. Kështu që, asnjëherë s’ka pas një situatë ku kredibiliteti i BE-së ka qenë në pikëpyetje siç mund të jetë në nëntor dhe dhjetor.

A është i çuditsh[m ky veprim i BE-së, kur dihet se shumica e vendeve të saj kanë ritheksuar se të vetmin kriter që ka ajo për liberalizim është ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi? Çka ndodhi tani që ka hezitim, janë probleme tjera në Kosovë, apo është konteksti i BE-së?
 

Hoxhaj: Prej 2016’tës kur ka dalë raporti i parë për vlerësimin e kritereve të përmbushura nga Prishtina, disa shtete anëtare, qoftë përmes kryeministrave ose ministrave të jashtëm, kanë thënë se Kuvendi i Kosovës po e mban vendin e izoluar. Kanë thënë ratifikojeni demarkacionin dhe ne do ta shpërblejmë Kosovën, ndërsa tash kam përshtypjen se s’ka të bëjë shumë me kontekst të brendshëm evropian, sepse ka pasë vende të cilat për nga numri i banorëve dhe aspekti i sigurisë kanë qenë më problematike se çdo vend tjetër në Ballkan, qoftë Ukraina, Gjeorgjia, apo Moldavia, me të cilat e kemi marrë udhërrëfyesin dhe kemi nis liberalizimin e vizave njëkohësisht. Por kjo më shumë ka të bëjë me një paragjykim evropian ndaj Kosovës dhe më shumë ka të bëjë me kushtet që kanë vënë evropianët ndaj Kosovës, sesa me kriteret që na kanë vënë dhe i kemi plotësuar. Në këtë drejtim na mbetet që t’i mbrojmë interesat e shtetit të Kosovës dhe duhet te dimë se si të sillemi në raport me BE-në, por unë shpresoj që edhe ma tutje kryeqytetet e vendeve kryqe do ta formësojnë këtë zhvillim si pozitiv për Kosovën.

Cilat kanë qenë veprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit në këtë proces dhe çfarë duhet tash e tutje të bëhet deri në mes të dhjetorit që ky proces të ketë sukses ose të ketë ndërgjegjësim të BE-së për ta vendosur në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën?

Hoxhaj: Veprimi kryesor ka qenë përmbushja e kritereve te cilat janë vlerësuar prej Komisionit Evropian, ndërsa veprimet tjera janë se duhet të lobojmë te disa shtete anëtare, me disa kryeqytete, dhe atyre t’u themi se nëse nuk mbahet ky premtim edhe kredibiliteti i BE’së është në pikëpyetje. Unë jam për atë që ne duhet ta kultivojmë një politikë të kushtëzimit nëse BE i diskriminon qytetaret e Kosovës. Por, duhet të kemi edhe argumente pse do duhej të ndodhë, por në rrafshin faktik punët që janë pritë nga ne veçse kanë ndodh. Tash e tutje është vullnet i BE’së jo i Kosovës. Natyrisht ne duhet te luftojmë deri në minutat e fundit që të jemi në agjendë dhe vendimi të merret në vitin 2018, ndërsa kur mund të udhëtojmë, pastaj është çështje teknike.

Njëra prej arsyeve pse Kosova e ka mbajtur drejtimin nga BE-ja është besimi. A mundet të lëvizë qëndrimi euroatlantik, të paraqitet zhgënjim, nëse BE-ja bën një veprim të tillë? 

Hoxhaj: Mendoj se aktualisht jemi në situatë të tillë në Ballkanin Perëndimor ku më shumë vende që janë  i besojnë BE-së sesa vetë shtetet anëtare por kjo ka të bëjë me krizën e cila ka përcjellë bashkimin evropian prej 2008’tës. Ka të bëjë me ndryshimin e kulturës në këto tri-katër vitet e fundit, s’ka dallim mes vendeve të pasura të BE-së dhe vendeve të tjera. Tërë kjo situatë ka krijuar një lloj politike të frustrimit dhe popullizmit në BE. Historia dhe kultura jonë është evropiane dhe orientimi ynë mbetet evropian. Por mesazhi i keq për shqiptarët është se edhe në raport me Shqipërinë në 2018 s’ka qenë fer, meqë nuk i hapi negociatat por i shtyu për vitin 2019. Kjo flet për njëfarë albanofobie, të cilët duhet ta themi me emër dhe mbiemër.

Kthehemi te problemet e Kuvendit te Kosovës dhe dialogut. LDK dështoi me votimin e një rezolute që sipas tyre do të ndalonte Thaçin te flasë për kufijtë. Si e sheh zgjidhjen PDK’ja për këtë situatë?

Hoxhaj: Ne kemi marrë pjesë, edhe pse ka qenë seanca e thirrur nga LDK’ja, e cila s’ka pasur qëllim madhor, edhe pse provonte ta godasë PDK dhe ish-kryetarin e saj, presidentin aktual Hashim Thaçin. Por, tek ne ka pasur vullnet politik të merremi vesh për dialogun, temë strategjike, që ka të bëjë me përmbylljen e shtetësisë. Javën e ardhshme jemi të gatshme të ulemi me ato subjekte politike, ta bëjmë një rezolutë, ta miratojmë dhe ta bëjmë një ekip që duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialog. Në të njëjtën kohë. vitin e ardhshëm. janë zgjedhjet në BE, ato mund ta ndryshojnë me të madhe kulturën dhe politike evropiane. Prandaj, për neve është më se e domosdoshme të nxirret më e mira e mundshme deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Natyrisht, që BE e ka pengu anëtarësimin e Serbisë në BE përmes Kosovës dhe ne do duhej ta përdornim këtë politikë në favor tonë. Nuk do të ndodhë që BE’ja do ta presë në pafundësi Kosovën. Nga ajo që kemi pa në seancat e fundit, po bëhet luftë për pushtet, dhe mënyra si u votu në seancën e fundit u pa që LDK dhe VV iu intereson pushteti dhe jo çështjet e rëndësishme shtetërore.

Bazuar në qëndrimet e VV'së dhe LDK'së refuzuese ndaj dialogut, si po e shihni zgjidhjen? A mund të provokohen zgjedhje apo pozita mund të shkojë edhe pa opozitën në bisedimet për dialogun?

Hoxhaj: Arritja e marrëveshjes në procesi i dialogut s’ka të bëjë vetëm me një arritje marrëveshjeje. Ajo tejkalon mandatin që mund ta ketë një qeveri. Ne jemi të interesuar ta arrijmë një marrëveshje të mirë, Kosova s’do të pranojë marrëveshje të keqe, por duhet te evitojmë edhe një situatë ku mund të kemi dialog pa marrëveshje. Mënyra si jemi sjellë muajt e fundit më shumë i ka konvenuar Serbisë. Ajo cdo dit provon ta kontestojë shtetësinë e Kosovës.

A mundemi të konstatojë se, pavarësisht qëndrimit bllokues të opozitës, në një moment ju do të thoni se mund të shkoni edhe pa opozitën në Bruksel, për shkak të përgjegjësisë që ka pozita në këtë rast?

Hoxhaj: Ne do të jemi të pakufishëm me durimin tonë dhe do të provojmë që t’i bëjmë edhe opozitën pjesë të dialogut.

Tash po ju pyes si zëvendëskryetar të PDK’së. Cila është përgjigjja juaj për zgjedhje dhe rrëzim të qeverisë?

Hoxhaj: Zgjedhje nuk ka. S’mund të presin zgjedhje në vitin 2018, kur çdokush pret që Kosova të kthjellet  në një vetëdije shtetërore për dialogun.

Aktualisht jeni në zgjedhje brenda PDK-së. Çka është duke ndodhur në terren? Po shohim disa probleme në degën e PDK-së në rajonin e Drenicës. Cfarë realisht po ndodh në ato degë?

Hoxhaj: Ne jemi parti e madhe, qëndrimet e anëtarëve për temat e ndryshme mund të ndryshojnë…  Presim që në çdo degë të ketë risi. Jemi të hapur për çdokënd dhe personat që janë aktualisht në parti kanë mbështetje, ide, përkushtim, mund të vazhdojmë me tutje.

Përveç Veselit, a mund të jetë dikush tjetër pretendent për pozitën e kryetarit?

Hoxhaj: Mendoj se është herët të flasim se kush do të jetë kandidat për kryetar të PDK-së. Zoti Veseli ka përkrahjen në kryesi dhe te strukturat e partisë, por se kush do të jetë pretendent do të shihet në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat