FSK do të jetë një aset i jashtëzakonshëm për rajonin

Intervista

FSK do të jetë një aset i jashtëzakonshëm për rajonin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 nëntor 2018 Në ora: 09:59
Burim Ramadani

Së fundmi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro ndryshimit të projektligjit për FSK-së. E në një intervistë për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka treguar se kur do të formohet ushtria e Kosovës, duke thënë se FSK do ta merr mandatin ushtarak që nga hyrja në fuqi e ligjeve, por që nuk do të ndryshojë gjithçka brenda ditës por që tranzicioni do të bëhet me planin afat-gjatë. Ai po ashtu ka treguar se ushtria e Kosovës do të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë, derisa ka komentuar dhe qëndrimin e Listës Serbe kundër formimit të ushtrisë, duke thënë se ajo po e humbet mundësinë që të promovojë të drejtat e serbëve të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni votimin e ndryshimeve të Projektligjit për FSK-në?

Burim Ramadani: Konsensusi për FSK e ka përforcuar procesin e tranzicionit. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me mbështetjen e deputetëve në nivel kaq të lartë, të papërsëritshëm në tema tjera. Në komunikimet edhe me shtetet partnere, është vlerësuar shumë lart fakti që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përveç deputetëve serb, kanë mbështetur pa asnjë rezervë kalimin e draft-ligjeve në lexim të parë.

Kjo ka dëshmuar tri gjëra tejet të rëndësishme: Së pari, që procesi ka qenë i koordinuar brenda Kosovës në të gjitha kategoritë e shoqërisë. Së dyti, që trupi elektoral dhe subjektet politike, njëjtë sikurse Qeveria, vlerësojnë rëndësinë e kompletimit të Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Dhe, së treti, që është punuar në mënyrë metodike dhe sistematike në përçimin e saktë dhe korrekt të mesazhit politik dhe institucional.

“Bota sot”: Çka pas ndryshimeve të Projektligjit për FSK-në?

Burim Ramadani: Pas miratimit të ligjeve të reja, do të fillojë tranzicioni i FSK-së për në mandat ushtarak dhe mbrojtës.

Ministra për FSK-në do të kthehet në Ministri të Mbrojtjes dhe do të ketë përgjegjësitë dhe autorizimet për politikat e mbrojtjes. Po ashtu, do të ketë riorganizim të strukturës së Ministrisë, për t’iu përshtatur mandatit të ri institucional.

Në raport me FSK-në, ky institucion kredibil, multi-etnik dhe profesional do të avancojë në mandat e mision, në detyra e autorizime, në numër, doktrinë dhe pajisje.

Në këtë aspekt, besoj shumë se sipas Planit Afat-Gjatë, FSK do të arrijë të përmbush kapacitetet e plota operacionale brenda 10 vjeçarit, derisa do të ruajë dhe promovojë kredibilitetin, multi-etnicitetit dhe profesionalizmin.

“Bota sot”: Kur sipas jush do të formohet ushtria e Kosovës? Shpesh janë dhënë deklarata se mund të zgjasë me vite të tëra...

Burim Ramadani: FSK do të merr mandatin ushtarak dhe mbrojtës që prej momentin kur ligjet hynë në fuqi, ndërsa nga ai moment do të fillojë tranzicioni sipas Planit Afat-Gjatë.

Ndërtimi i kapaciteteve merr kohë dhe nuk do të ndryshojë gjithçka brenda një dite. Do të ketë nevojë për ndryshime në doktrinë, sistem të armatimit dhe pajisje. Të gjitha këto nuk do të mund të ndodhin sa hap e mbyll sytë.

Po ashtu, FSK do të ruajë kapacitetet aktuale që ka, për shkak se këto kapacitete janë të nevojshme për sigurinë e Kosovës.

“Bota sot”: A keni mbështetjen e vendeve euroatlantike për formimin e ushtrisë?

Burim Ramadani: Gjithçka është në bashkërendim të plotë. Të gjitha shtetet që e njohin shtetin e Kosovës e njohin edhe institucionin ushtarak të Kosovës. Për më tepër, ne kemi komunikim edhe me shtetet që deri më tash nuk kanë vendosur ta njohin shtetësinë e Kosovës.

Puna që është bërë, sidomos gjatë vitit 2018, në Dokumentim, Informim dhe Bashkëpunim me shtetet veç e veç dhe me NATO-n ka qenë një angazhim shkollor i argumentimit të arritjeve dhe planeve.

“Bota sot”: Sa ka Kosova buxhet për ushtri, armatim dhe gjëra tjera?

Burim Ramadani: Kosova do të ketë buxhet të mjaftueshëm për të mbështetur FSK-në për të kryer detyrën e saj, sipas Ligjit dhe Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, nuk do të ketë disbalancim të programeve buxhetore.

Ne kemi planin 10 vjeçar, i cili parasheh që gjatë kësaj periudhe Kosova të rris buxhetin në mënyrë graduale për programin e mbrojtjes dhe FSK-në.

“Bota sot”: Çfarë po bëhet për ngritjen e kuadrove profesionale, element ky mjaft i rëndësishëm për një ushtri të mirëfilltë?

Burim Ramadani: Kuadri profesional i FSK-së është model në rajon, sikurse është edhe vet FSK-ja si institucion. Kemi mbështetje të pa-rezervë edhe nga shtetet partnere në edukimin dhe avancimin e kuadrit profesional të FSK-së.

Në 6 shtete partnere, kadetët e FSK-së përfundojnë Akademitë Ushtarake, duke përfshirë këtu edhe Akademitë më të njohura në botë.

“Bota sot”: Sa trupa parashihet t’i ketë ushtria e Kosovës?

Burim Ramadani: Numri i ushtarëve aktiv të FSK-së  do të jetë 5000, ndërsa komponenta rezervë do të ketë 3000. Është paraparë që kjo është e mjaftueshme në bazë të kërkesave dhe nevojave për sigurinë e Kosovës.

“Bota sot”: Në Serbi ka pasur reagime të shumta në lidhje me formimin e ushtrisë së Kosovë duke thënë se është kërcënim për rajonin. Cili është komenti juaj për këtë?

Burim Ramadani: Nga tranzicioni i FSK-së do të përfitojë edhe rajoni. Së pari, shtetet e rajonit do të kenë një partner kredibil nga Kosova. Së dyti, marrëdhëniet tona me shtetet e rajonit janë të shkëlqyeshme. Shpresoj se një ditë do të kemi marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Së treti, po jetojmë në kohën e Mbrojtjes së mençur, që nënkupton shkëmbim të kapaciteteve profesionale mbrojtëse. Prandaj, FSK do të jetë një aset i jashtëzakonshëm për rajonin. Së katërti, Kosova dhe as FSK nuk kanë as koncept dhe as synim të kërcënimit ndaj dikujt. Përkundrazi, modeli i FSK-së është model demokratik, i trajnuar dhe zhvilluar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s.

Deklarimet dhe veprimet e institucioneve të Serbisë janë të paqëndrueshme dhe të padrejta. Më së shumti, veprimet e tyre kanë ndikuar keq në mirëqenien e familjeve të serbëve të Kosovës.

Kjo që ndodhi gjatë kohës së fundit është me të vërtetë për të keqardhje në secilin rast të presionit për largimin e pjesëtarëve serb nga FSK..

Por, ne vazhdojmë ta theksojmë edhe më tutje se FSK-ja është forcë multi-etnike dhe profesionale, e ndërtuar mbi standardet e NATO-s, e cila assesi nuk paraqet rrezik për rajonin apo ndonjë shtet tjetër.

“Bota sot”: Sa mendoni se edhe Lista Serbe do të bindet dhe të jetë pro formimit të ushtrisë?

Burim Ramadani: Unë mund t’i kuptoj qëndrimet politike, por nuk i mirëkuptoj ato kur janë të paqëndrueshme. Lista Serbe po e humbet një mundësi të mirë që të promovojë të drejtat e serbëve të Kosovës duke dalë kështu kundër tranzicionit të FSK-së.

Do të prisja që synimi i tyre të jetë përfaqësimi i interesit të serbëve të Kosovës dhe jo qëndrimeve politike të paargumentuara të jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat