Qeveria mund të bie si rezultat i akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale

Intervista

Qeveria mund të bie si rezultat i akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 26 nëntor 2018 Në ora: 08:01
Haki Abazi

Publicisti Haki Abazi, e konsideron si jo të mirë situatën politike në Kosovës, sidomos sa i përket dialogut me Serbinë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Abazi ka thënë se, Kosova është çliruar nga Serbia por nuk është çliruar nga njerëzit që bartin mendësinë e pushtimit, kapjes së shtetit, atyre që urrejnë qytetarët pse nuk i votojnë dhe pse nuk i përkrahin idetë e tyre të çmendura.  Ai ka theksuar se Qeveria mund të bie si rezultat i akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale, derisa njëri prej të akuzuarve mund të jetë edhe Kadri Veseli. Sipas Haki Abazit ideja për korrigjim të kufijve e Presidentit Thaçi është jashtë diskutimit, pasi Amerika dhe vendet Evropiane e sidomos Gjermania nuk lejon një gjë të tillë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Haki Abazi: Kosova është duke u përballur me fenomenin e kapjes së shtetit në formën më kaliske në kuptimin e plotë të fjalës. Kosova është çliruar nga Serbia por nuk është çliruar nga njerëzit që bartin mendësinë e pushtimit, kapjes së shtetit, atyre që urrejnë qytetarët pse nuk i votojnë dhe pse nuk i përkrahin idetë e tyre të çmendura. Kjo ka qenë arsyeja që edhe Serbia e ka shtypur dhe ka përdorur metoda represioni ndaj qytetarëve shumicë shqiptare. Shqiptaret e Kosovës nuk e kanë pranuar Serbinë asnjëherë që nga aneksimi i Kosovës dhe raporti me Serbinë ka sjellë deri tek refuzimi i plotë i Serbisë. Tani është situatë e njëjtë, një grusht njerëz që e refuzojnë drejtësinë, janë mbi drejtësinë, përdorin gjykatën kushtetuese, manipulojnë sektorin e sigurisë, punojnë për interesa të ngushta, janë pasuruar nga privatizimet dhe keqpërdorimet e buxhetit, nuk japin llogari, janë jo transparente, keqpërdorin buxhetin e  shteti për të blerë votat, bëjnë përçarjen e qytetarëve në baza regjionale dhe politikë, kanë sjellë polarizim të skajshëm, përdorin gjuhë urrejtëse dhe nuk kanë hezituar të jenë edhe pjesëtarë të krimit të organizuar në të kaluarën. Kjo nuk i bën këta që janë në pushtet aspak më ndryshe se sa masat e jashtëzakonshme që Serbia kishte vendosur dikur mbi Kosovën. Shpresojë që qytetarët nuk do të detyrohen që këta njerëz që e kanë kapur shtetin dhe po e dështojnë shtet ndërtimin t`i nderojmë me dhunë dhe se ndryshmi me mjete demokratike do të jetë i mundur së shpejti.

“Bota sot”: Takimet e fundit të presidentit Thaçi me presidentët e ndryshëm si Vladimir Putin dhe ai francez Emaunel Macron, a po dëshmojnë se ai po arrin ta zgjerojë idenë e tij për korrigjim të kufijve?

Haki Abazi: Takimet e Thaçit janë të rralla dhe shumë selektive, nuk me habit fakti që është takuar me Macron e as Putin, pyetja është pse nuk mund të takohet me Angela Merkel, Tereza May, Donald Trump e as me shtete tjera. Është e qartë që Thaçi është njeri i afërt i interesave Franceze që nga ndarja e veriut të Kosovës, Privatizimit të Telekomit që nga fillimi për Monako, aeroportit të Prishtinës për konsorciumin Limak Lyon A, prioritet në bankë TEB-Parie Bank, tentimin për të privatizuar Brezovicën për një konsorcium Francës që dështoi dhe shumë aspekte tjera. Shtrohet pyetja pse nuk ka asnjë kompani gjermane më peshë në tregun dhe ekonominë kosovare dhe pse Gjermani është një ndër donatorët dhe përkrahësit kryesore të pavarësisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës. Ajo që është po ashtu shumë e qartë ka të bëjë me marrëdhëniet historike tradicionale Francezo- Serbe dhe Ruse. Nuk është sekret që qarqe të caktuara në Francë kanë sabotuar edhe aksionet e NATO-s kundër Serbisë duke vonuar bombardimet e parapara, Veriu i Kosovës është mbrojtur nga Francezët si pjesë e ndarë e Kosovës për të cilën gjë është pajtuar Thaçi si duket që nga Rambujeja për kundër shpërblim për të vendosur pushtet politike por ndaj aseteve ekonomike që mandej janë privatizuar dhe keqpërdorur që 20 vite. Trekëndëshi Rusi- Beograd- Paris ka siguruar që Thaçi të jetë në pushtet dhe e ka mbrojtur edhe nga drejtësia ndërkombëtare dhe çmimi i kësaj është paguar nga Kosova dhe qytetaret e vendit. Asnjë gjë e mire nuk ka ardhur nga takimet Thaçit me Macron dhe Putin përkundrazi, njohjet janë ndalur anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk po ndodhë. Kjo tregon që janë rrjete interesi që caktojnë këto takime, por këto janë për konsum të brendshëm dhe jo për progresi dhe agjendën shtet formuese.

“Bota sot”: Çka duhet të bëjë opozita që ta ndalë Presidentin Thaçi?

Haki Abazi: Opozita duhet të shkaktojë zgjedhje dhe të fitojë zgjedhjet por gjithashtu duhet të zgjerojë debatin dhe diskutimet publike për fazën e ardhshme, prioritetet dhe reformat të cilat duhet të merren për të kthyer shtet ndërtimin në binarë dhe për ta kthyer Kosovën në agjendën euroatlantike. Ndryshimi nuk do të thotë gjithmonë pozitivitet duhet treguar plan dhe strategji se si do të dilet nga gropa e zezë ku është futur vendi tanimë.

“Bota sot”: Cili mendoni që do të jetë vazhdimi  i dialogut Kosovë- Serbi?

Haki Abazi: Ky dialog ka qenë farse që nga fillimi. E kam thënë që dialogu është duke blerë kohë që Serbia të ri pozicionohet si hisedare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe takimeve në Vjenë. Thaçi ka lejuar një gjë të këtillë. Lista e atyre që i kanë ndihmuar Thaçit është e gjatë por është me rendësi të kuptohet që Blerim Shala, Edita Tahiri, Enver Hohaj, Hajredin Kuqi janë njerëzit që mbajnë përgjegjësinë për rezultat katastrofale që ka sjellë i ashtuquajturi dialog që nga fusnota e deri tek kontrolli dhe marrëveshjet për menaxhimin e sektorëve brenda territorit të Kosovës, sidomos atij energjetik në veri duke tentuar që ndarjen e veriut sipas skenarit të vitit 1999 ta bëjnë realitet të pranueshëm për qytetaret e Kosovës. Ky dialog është kot, diskreditues dhe keqbërës për Kosovën dhe kështu siç është tani nuk duhet të ndodhë e vazhdoje fare. Çështjet bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të zgjidhën në bazë të përcaktimeve të legjislacionit dhe reformave të shteteve për integrim evropian. Serbia nuk ka se si të shkojë drejt BE-së pa pranuar dhe respektuar rregullat për fqinjësinë.

“Bota sot”: A është presidenti Thaçi njeriu adekuat që duhet ta udhëheq dialogun?

Haki Abazi: Jo. Nga ajo që kam shkruar më lart dhe vështrimet në 20 vitet e fundit dhe rolin e tij dëmtues të proceseve ai më se paku është president i unitetit përkundrazi ai është shkelës i kushtetutës , interesit të vendit dhe njeriu më destruktiv në historinë e re të Kosovës.

“Bota sot”: Si i vlerësoni deklarimet e fundit të kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi për shkarkim të dy anshëm?

Haki Abazi: Kjo është një armiqësi e vjetër dhe nuk habitem por Haradinaj ka bërë një gabim strategjik duke hyrë në koalicion me PDK-në e Thaçit, por mund të këtë një fitore taktike duke e u lidhur me Veselin për te shpëtuar veten dhe Veselin nga kurthet e Thaçit. Thaçi është i interesuar që të dërgojë njerëzit tjerë në Gjykatën Speciale dhe nga lista që ka mbetur sigurisht që Veseli është një prej tyre për të arritur kuotën e gjykatës. E gjithë beteja me Thaçin është se kush do të shkonte eventualisht në Gjykatën Speciale dhe e dimë nga e kaluara që ata që kanë më pak pushtet politik brenda partive të dala nga lufta është potencialisht në rrezik më të madh.

“Bota sot”: Mund të ndikojë ideja e korrigjimit për prishje të koalicionit qeverisës?

Haki Abazi: Korrigjimi i kufijve është jashtë diskutimit, Amerika dhe vendet Evropiane e sidomos Gjermania nuk lejon një gjë të tillë por edhe qytetarët e Kosovës me 29 Shtator në mënyrë masive i kanë thanë jo idesë për korrigjim. Qeveria mund të bie si rezultat i akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale. Kjo përplasje është rezultat i informacioneve të hershme nëse kjo gjë do të ndodhë dhe se kush është në ato lista dhe në cilat faza mund të kërkohet nga shteti i Kosovës të dorëzohet. Natyrisht që Thaçi e di që Haradinaj nuk do të hezitonte ta dorëzonte Thaçin ashtu siç Thaçi e kishte dorëzuar apo kishte kontribuar arrestimit të tij dy herë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e opozitës ne Kuvend, cilët mendoni se janë satelitet e qeverisë Haradinaj ?

Haki Abazi: Opozita e vërtet LDK dhe VV është duke vepruar shume mirë dhe me mençuri, ndërsa PSD që mbanë mandatet e vjedhura nga LVV natyrisht që po luan lojën e ndytë, ashtu siç janë nuk pritet ndonjë gjë tjetër nga ata.

“Bota sot”: Shkaktarët kyç që ndikojnë se do ndikojnë në mos lëvizjen e lirë të qytetarëve?

Haki Abazi: Krimi dhe korrupsioni është arsyeja kryesore për mos lëvizjen e lire të qytetarëve. Shtetet e BE e kane kuptuar që qëllimi i udhëheqësve të Kosovës është zbrazja e Kosovës nga të rinjtë që ata të mos votojnë kundër tyre dhe kjo është arsyeja pse BE nuk është duke realizuar këtë ambicie politike të udhëheqësve të tanishëm edhe pse e drejta e qytetarëve të Kosovës për lëvizje nuk është me vogle se qytetaret tjerë të rajonit edhe pse e vërteta është se Kosova ka nivel shume të  ulët të të hyrave për kokë banori në krahasim me fqinjët.

“Bota sot”: Cilat janë gabimet që u benë gjate procesit të dialogut me Serbinë?

Haki Abazi: Nuk ka pasur strategji dhe objektiva, por ajo që është e tmerrshme dhe e pafalshme është se praktikisht dialogu për herë të parë që nga rënia e murit të Berlinit po bëhet pa ndërmjetësues neutral ndërkombëtarë. BE e njeh Serbie si shtet por jo Kosovën dhe kjo në vete tregon se Thaçi ka pranuar të shkojë në dialog pa qenë përfaqësues i një shteti të pavarur por një entitetit që kontestohet nga pala tjetër dhe nuk pranohet nga BE. Kjo është vepra kundër kushtetuese. Vetëm mos prezenca e flamurit gjate dialogut është shkelje e kushtetutës e të mos flasim se Serbia e mban në preambulë të kushtetutës së vet Kosovën. Kjo nuk do të duhej toleruar me asnjë çmim.

“Bota sot”: Cili prisni të jetë epilogu i dialogut me Serbinë në bazë të asaj që po zhvillohet aktualisht?

Haki Abazi: Ridimensionim i konfliktit Shqiptaro- Serb në Ballkan. Përderisa Serbia nuk kërkon falje për krimet e bëra ndaj Shqiptareve që nga paralufta e parë botërore në kohën e pastrimit etnik të muhaxherëve deri tek lufta e fundit me tentim gjenocidal ndaj banorëve shqiptare nuk ka dialog të mirëfilltë e as epilog pozitiv.

“Bota sot”: A mund të ju shohim në ndonjë parti politike së shpejti?

Haki Abazi: Angazhimi direkt në politikë duhet të më zgjerojë hapësirën e veprimit dhe kontributit edhe në aspekte konkrete të agjendës shtet formuese dhe zhvillimore, por edhe në angazhimin ndërkombëtarë. Do të ishte jo e mençur që të kufizojë hapësirën time të veprimit duke tentuar që të marrë pozitë përbrenda rreshtimit në parti politike nëse ajo do të thoshte më pak hapësirë veprimi. Vizioni im për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan është i ndërlidhur me aktivizimin e gjithë potencialit intelektual, ekonomik dhe përfshirjes së diasporës së re dhe të vjetër në krijimin e një qendre ekonomike me demokraci të zhvilluar dhe zbatim të ligjit dhe drejtësisë për mundësi të barabarta për qytetaret dhe kjo nuk bëhet duke bërë kompromise me njerëz që ligjin e konsiderojnë si forme te mbrojtjes se veprimeve korruptive e kriminale. Bashkë me opozitën mendoj që jemi duke bërë përpjekjet që qytetarët të kuptojnë këtë gjë dhe përkrahësit ndërkombëtarë gjithashtu dhe mendoj që në këtë betejë e përpjekje, deri në një moment tjetër do e vazhdojë të veprojë nga kjo pozite ku jam tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat