Major Ramabaja: Thaçi i drejtohet Ahmet Krasniqit, "shumë shpejt kam me e krye misionin me ty", pas tri jave u vra Ministri Krasniqi

Intervista

Major Ramabaja: Thaçi i drejtohet Ahmet Krasniqit, "shumë shpejt kam me e krye misionin me ty", pas tri jave u vra Ministri Krasniqi

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 dhjetor 2018 Në ora: 08:58
Major Nazif Ramabaja

Ish-kryeshefi i Shtabit Oparativ të Rrafshit të Dukagjinit dhe njëherit ish-komandanti i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit, major Nazif Ramabaja kërkon që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të ndalet nga ideja e tij për “korrigjim të kufijve”, përndryshe, sipas tij, pasojat për vendin dhe qytetarët do jenë të mëdha dhe vështirë se do mund të kompensohen në të ardhmen. Major Ramabaja, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se vrasja makabre e kolonelit Tahir Zemaj është akt kriminal e kryer nga dora e zezë, të cilën duhet ta zbardhë Gjykata Speciale. Ish-komandanti i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit, ka rrëfyer momente të pathëna më parë rreth një bisede të realizuar mes Ahmet Krasniqit dhe Hashim Thaçit, lidhur me një kërcënimi të dhënë nga ky i fundit.

“Bota sot”: Kosova edhe pas 10 vitesh shtet po vazhdon të përballet me probleme të shumta. Sipas jush, cilat janë gabimet e spektrit politik?

Major Nazif Ramabaja: Një dekadë nuk është shumë për shtetin më të ri në rruzullin tokësor, duke marrë parasysh shtetet të cilat janë të formuara me shekuj dhe kanë një zhvillim si ekonomik qoftë edhe demokratik, sipas sistemeve ato presidenciale siç janë SHBA-të, parlamentare siç janë shtetet republikë apo monarki, në rastin tonë Kosova si Republikë Parlamentare ka dalë nga një robërim dhe pushtim i egër më se një shekull, pasojat e këtij robërimi janë reflektuar edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Të metat janë reflektuar në vazhdimësi që nga uzurpimi i autonomisë nga ana e aparatit shtetëror millosheviqian. Krijimit të sistemit paralel në arsim, shëndetësi me vet-organizim të shtetit paralel, mos dëgjueshmëri qytetare ndaj sistemit monist dhe përkrahjen e idesë për Liri, Demokraci dhe Pavarësi të proklamuar dhe lansuar nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ku një pjesë e caktuar me bindje Marksiste Leniniste ishin në kundërshtim me ideologjinë Rugoviane.

Image
Major Nazif Ramabaja dhe Tahir Zemaj

Këto mospajtime në vazhdimësi ishin prezente edhe gjatë luftës së fundit, në të cilën spektri i organizuar profesionist ushtarak në krye me kolonel Ahmet Krasniqin bëri përpjekje maksimale për unifikimin e faktorit ushtarak dhe koordinimin e të gjitha grupeve nën ombrellën dhe komandën e shtabit suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, konkretisht me marrëveshjen e Osllos të mbajtur më 22-23 maj të vitit 1998 në të cilin takim isha prezent edhe unë, jo në cilësinë e negociatorit, por në takim pune me kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të luftës të emëruar nga ana e qeverisë Bukoshi dhe zëvendësit të tij Agim Mehmetit.

Pasojat e mosunifikimit të faktorit ushtarak pas marrëveshjes së Osllos i bartim edhe sot e asaj dite, mendohej se me unifikimin e faktorit ushtarak më lehtë ishte të unifikohej faktori politikë. Presidenti Rugova pas lufte luajti rolin e presidentit unifikues të popullit dhe spektrit politik nëpërmes ekipit të unitetit në bisedimet që pasuan në Rambuje dhe Vjenë e Paris për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik, ky unitet i presidentit Rugova u tregua edhe gjatë luftës në bisedimet e Rambujes në shkurt të vitit 1999 ku për hir të unitetit hoqi dorë nga pozita e kryesuesit të delegacionit shqiptar në bisedime me Serbinë të përgatitura nga SHBA-të dhe bashkësia ndërkombëtare.

Sa ishte në jetë Presidenti Rugova deri më 21 janar 2006 kur pushoi së rrahuri zemra e arkitektit të pavarësisë së Kosovës në të gjitha zgjedhjet nacionale ishte i pa konkurrencë ai dhe subjekti politik të cilin e formoi dhe ishte i pari në Evropën Juglindore më 23 dhjetor të vitit 1989, duke e shembur sistemin monist në ish-Jugosllavi.

Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe më pas deri më sot e karakterizojnë këtë dekadë me gabime të llojllojshme nga spektri politik, për shkak të klientelizmit, bajraktarizmit, tentimit të dhënies së meritave vetëm një individi apo grupi politikë për bërjen e shtetit, përçarjet në mes subjekteve politike dhe kushtëzimit të ndarjes së kulaçit në qeverisjen qendrore si në këtë qeverinë aktuale, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe hajnia e cila është bërë nëpërmes këtij privatizimi, tenderimi, bisedimet teknike te lansuara në 2010 dhe filluara një vit më vome të cilat vazhdojnë edhe sot, por që kanë ndërruar formatin dhe nga ato teknike kanë kaluar në bisedime politike dhe vet në pyetje ridefinimi i statusit politikë çka është e paimagjinueshme dhe papranueshme për qytetarët e Kosovës, por që ata më së paku pyetën për ketë.

Image

Lansimi i tezës për ndryshim të kufijve të pranuar ndërkombëtarisht kufij të pranuar nga më se 116 shtete të botës demokratike është çmenduri dhe gabim trashanik të cilin në vazhdimësi e proklamon Hashim Thaçi i mandatuar dhe dekretuar nga vet ai për të vendosur për fatin e popullit se ku dhe si do të jetojë pa pyetur organin më të lartë legjislativ të vendit Parlamenti dhe pa marrë bekimin nga ky parlament.

Të cekurat më lartë mund të konsiderohen si lëshime dhe gabime qoftë të udhëheqësve aktual apo të spektrit politikë, përse Kosova në vend numëron dhe nuk mund të shkojë përpara duke ja shtuar kapjen e shtetit, mosfunksionimi i sistemit juridik dhe gjyqësor apo të ndikuar nga politika nëpërmes ndërhyrjeve dhe implikimeve të individëve "të fortëve". Gjykatat jo funksionale dhe si rezultat i mos funksionimit të tyre kem formimin e Gjykatës Speciale me dhomat e specializuara të prokurorit, me një fjalë kapje dhe dështim total për interesa personale, grupore dhe klanore lansohet territori në ankand publik, kjo është çmenduri dhe e papranueshme për ne.

“Bota sot”: Si e keni parë idenë për korrigjim të kufijve, a duhet të ndodh një gjë e tillë?

Major Nazif Ramabaja: Ideja e korrigjimit të kufijve është ide pansllaviste e boshtit serbo-rus dhe në asnjë mënyrë nuk e përkrahi, por me këmbëngulje mundohem që kjo mos të ketë jetë të gjatë. Mendoj se kjo ide e vjetër Garashanin-Qubrilloviq-Rankoviq dhe së fundi Qosoqo-Millosheviqiane nuk mund të realizohet në rrethana dhe kushte të tanishme, për një arsye të vetme nëse shtetet tjera fqinjët tanë na pranuan me këta kufij aktual është e rrugës që të bisedohet me Serbinë për pranim në kushte dhe rrethana të njëjta, pastaj të bisedohet për demarkacionin në mes dy shteteve të pavarura dhe pranuara ndërkombëtarisht. Çmenduria e një individi në këtë rast Hashim Thaçit duhet të ndalet në çdo mënyrë, përndryshe pasojat për vendin dhe qytetarët do jenë të mëdha dhe vështirë se do mundemi t’i kompensojmë në të ardhmen.

“Bota sot”: Flasim për Betejën e Loxhës. Kjo betejë njihet si një nga më të rëndësishme në historinë shqiptare. Si një nga protagonistët kryesor, a mund të na përshkruani këtë betejë?

Major Nazif Ramabaja: Për Betejën e Loxhës është thënë shumë, shkruar nga unë dhe në prononcimet e mia e kam përshkruar tërë aktivitetin ushtarak dhe luftarak. Loxha duhet të ndihet krenare për zhvillimin e kësaj beteje e cila rezultoi me fitoren e forcave tona të udhëhequra dhe komanduara nga njësitet operative të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës FARK-ut, me pjesëmarrjen e vet loxhjaneve-vashave siç ishte Shemsije Shala dhe djemve të Loxhës.

Pjesëmarrja në këtë betejë të fshatrave përreth Isniq, Raushiq, Broliq, Kosuriq, Kodradiq me në krye me luftëtarin Zymer Fak Sefajn, Dubovik luftëtarët e Pejës, Morinëve me komandantin Skënder Qekajn i cili ra në fushën e nderit më 15 gusht ishin vullnetarë të cilët ju bashkëngjitën njësive operative nën urdhrin e Komandant kolonel Tahir Zemajt fillimisht të angazhuar në vijën e frontit eprorët major Nazif Ramabaja, Faruk Xhemajli, Esat Ademaj dhe ushtarë të stërvitur mirë të cilët kishin përvojë në luftimet e më hershme në rrafshin e Dukagjinit në operacionet e para ditës së 6 korrikut të vitit 1998 dhe udhëheqjen e operacioneve luftarake personalisht nga kolonel Tahir Zemaj më vonë pas zbarkimit në Loxhë deri në dorëzimin e fshatit Logjë në kompetenca të shtabit lokal të Loxhës, ku njësitet operative kishin humbë tre luftëtarë Rrustem Bruqin, Lumni Surdullin dhe Enver Alajn dhe dy të plagosur, ndërsa armiku dhjetëra të vrarë dhe me numër dyshifror të plagosur, bilanci ishte një me dhjetë ne favor të forcave tona.

Image

Vlen të theksohet se Loxha ishte vendi i parë që nga fillimi i luftës i cili u pushtua nga forcat policore ushtarake dhe paramilitaro-mercenare serbo-ruse dhe u çlirua po të njëjtën ditë, për këtë Loxhjanët duhet të ndihen krenar dhe të dinë ta vlerësojnë këtë moment historik.

“Bota sot”: Na flisni për kolonel Tahir Zemajn, cili ka qenë roli i tij në Betejën e Loxhës?

Major Nazif Ramabaja: Të flasësh për kolonel Tahir Zemajn është përgjegjësi, por edhe privilegj. Ndihem krenar që isha pranë tij në të gjitha momentet më të rëndësishme të marrjes së vendimeve, por edhe të zhvillimit të operacioneve luftarake në Rrafshin e Dukagjinit, posaçërisht Betejën e Loxhës e cila ishte ballafaqimi i parë me soldatesken serbe në rrethana të pabarabarta sa i përket teknikës luftarake, por që morali, vendosmëria dhe profesionalizmi ushtarak e bëri të vetën të ngadhënjejmë duke e larguar armikun të turpëruar dhe poshtëruar nga Loxha.

Roli i komandantit të brigadës 134-të dhe përgjegjësit të brigadave 131, 133 kolonel Tahir Zemajt ishte madhor për një arsye të vetme, koloneli përveç që urdhëroi të përgatitet njësiti për t’i dalë në ndihmë Loxhës me epror të karrierës dhe ushtarë mirë të stërvitur, pas kërkesës së bërë nga shtabi lokal i fshatit në momentin kur kërkova ndihmë pas plagosjes së rëndë të eprorit Faruk Xhemajlit të cilin në gjendje shumë të rëndë gati pavetëdije e kishte sjellë luftëtari Sinan Shala deri në ambulanten e Dubovikut fillimisht dhe pas ndihmës së parë kishte kaluar pranë shtëpive të Bajraktarëve ku ishin të vendosur ushtarët tanë, pas hyrjes nga Tropoja, Faruku kishte mundur t´ia përcillte kolonel komandantit Zemaj se në Loxhë janë duke u zhvilluar luftime të mëdha, luftëtarët kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Komandanti Zemaj reagon në mënyrë energjike, veti të cilën e posedonte në karakterin e tij, urdhëron dhe vet mbikëqyrë përgatitjen e luftëtarëve dhe në një kohë super të shkurtë fillon marshimin në drejtim të Loxhës. Zbarkon me të gjithë arsenalin ushtarak luftëtarë dhe teknikë ushtarake dhe me të mbërri në fushën e nderit i bëjë raportimin para tij, dhe e njoftoj me situatën momentale dhe nga ai moment komandant Zemaj merr komandën në udhëheqjen e operacioneve, pra nën urdhrat e tij vazhdojnë luftimet duke ju prirë personalisht operacioneve deri në çlirimin definitiv të Loxhës dhe dorëzimin e fshatit në kompetencat e shtabit lokal.

Komandanti kolonel Tahir Zemaj kishte një rol unifikues, por si kolonel Ahmet Krasniqi me të vetmin qëllim riorganizimin dhe ristrukturimin e grupeve të UÇK-së të cilat deri në ato momente ishin jo mirë të organizuara, pa hierarki vertikale, ku kishte mungesë koordinimi për tu vërsul në sulme të furishme në befasi për ta asgjësuar armikun dhe për t’i shkaktuar humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe teknikë ushtarake.

Image
Major Nazif Ramabaja

“Bota sot”: Si kanë qenë raportet me ish-presidentin Rugova dhe ish-kryeministrin Bukoshi?

Major Nazif Ramabaja: Të flasësh për raportet e presidentit të vendit Rugovës me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës në retrospektivë mund të them se ne eprorët e karrierës të cilët jem të shkolluar për ta respektuar hierarkinë vertikale, as që kem menduar se mundet të ketë mospajtime në mes kreut të shtetit dhe kryeministrit, por që fatkeqësisht tash dolën shumë gjëra të cilat është vështirë t’i imagjinojmë njëzet vite më parë.

Ne ushtarakët e karrierës, kishim hyrë në luftë për ta dhënë kontributin tonë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe njihnim për komandant suprem presidentin Ibrahim Rugova, në këto kushte dhe rrethana kemi zhvilluar aktivitetin tonë ushtarak dhe luftarak duke u bazuar në deklaratën e pavarësisë, kushtetutën e Republikës e njohur si kushtetuta e Kaçanikut, Referendumin e vitit 1991, pastaj zgjedhjet parlamentare të një viti pas si dhe ligjin e mbrojtjes së qeverisë të nxjerrur në vitin 1993.

Të gjitha këto akte ishin bazament i mirë dhe shumë domethënës për vazhdimin e rezistencës tash në mënyrë të armatosur për arritjen e aspiratave të brezave të tërë për Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Çdo nënvlerësim dhe mospranim i këtyre argumenteve duke tentuar marrjen e rolit dhe kompetencave në duar të një individi qoftë edhe kryetari të qeverisë siç ishte Bujar Bukoshi mbetën të papranueshme, tendencioze dhe nuk i bënë nderë këtij të fundit, po që se ka pasur hile sepse ishte i emëruar dhe marrë besimin nga presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova.

Image

“Bota sot”: Kur jemi te Beteja e Loxhës, sa po vlerësohet në ketë kohë?

Major Nazif Ramabaja: Beteja e Loxhës për të gjithë ata që vlerësojnë drejtë ka hyrë në historinë më të re të Kosovës dhe më gjerë, prandaj çdo relativizmi dhe tentim të minimizimit dhe humbjes së vlerës sidomos protagonistëve të kësaj beteje dhe pjesëmarrësve të vërtetë nuk do të ketë sukses sepse Loxhjanët, Rrafshi i Dukagjinit dhe tërë popullata e Kosovës e orientuar mirë e vlerësojnë në mënyrë të duhur dhe të drejtë, ka individ dhe grupacione të cilët mundohen t’ia veshin sukseset e kësaj beteje historike dikujt tjetër, por nuk ka për të mundur, sepse historia dhe e vërteta qëndron në anën e atyre që udhëhoqën dhe operuan me ketë betejë e ky është kolonel Tahir Zemaj me njësitë operative të UÇK-së dhe eprorët e karrierës dhe ushtarët e këtyre njësive, vullnetarët e fshatrave dhe vetë fshati Loxhë të lartpërmendura kur bëhej fjalë për betejën e Loxhës në pyetjen tuaj të tretë.

“Bota sot”: Në janar bëhen 16 vite nga vrasja e kolonel Tahir Zemajt, a mendoni se Gjykata Speciale është shpresa e vetme?

Major Nazif Ramabaja: Vrasja makabre e kolonel Zemajt është akt kriminal nga dora e zezë në kohën e pasluftës (paqe) vrasje politike e porositur e cila meriton zbardhjen dhe duhet të jetë objekt zbulimi nga Gjykata Speciale, shkaku është i qartë, mungesa e vullnetit për ndriçimin e këtij rasti dhe për t’i shkuar deri në fund, drejtësia duhet të ngadhënjejë dhe triumfojë ndaj krimit të organizuar dhe nëse dorasit nuk janë në jetë për shkak të likuidimeve dhe vrasjeve të tyre, për t’i humbur gjurmët e krimit duhet medoemos të arrihet deri të urdhërdhënësit dhe të tillët të japin llogari para drejtësisë, vetëm në këtë mënyrë familjarët e viktimave dhe opinioni i gjerë do të qetësohen dhe ndiejnë një sadisfakcion.

“Bota sot”: Kush qëndron prapa këtij krimi?

Major Nazif Ramabaja: Është pyetje e cila duhet t’ju drejtohet organeve përgjegjëse së Kosovës. Në rend të parë Policisë së Kosovës, pastaj UNMIK-ut si organ përgjegjës për siguri menjëherë pasluftës dhe që kanë hulumtuar në zbardhjen e këtij rasti, por që hetimet kanë mbetur në arkivat e tyre, pastaj EULEX-it por që sipas ngjarjeve të zhvillimeve gjatë dhe pasluftës krimin duhet adresuar grupeve mafioze dhe kriminale të cilat kishin mosmarrëveshje dhe kundërshtonin në çdo mënyrë avancimin e kolonelit në krye të SHORRD. Dihet kush ishte kundër këtij avancimi individë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në krye me Hashim Thaçin. Ka pas një përpjekje nga SHPK-ja për hetime dhe zbulimin e këtij rasti dhe vrasje makabre të kolonel Tahir Zemajt nga dy pjesëtarë të shërbimit policor të Kosovës Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolaj, por që në përfundim të këtij hetimi u ekzekutuan të dytë në një atentat gjatë shkuarjes në punë në magjistralen Raushiq-Pejë. 15 vite më parë, pikërisht më datën 24 nëntor të vitit 2003, u vranë në një atentat kriminal dy policët e Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj. Dy policit, të cilët tashmë nuk jetojnë më, u vranë pasi ishin gati të zbulojnë një vrasje të madhe, e cila kishte tronditur opinionin shqiptar, në ato vite të para të lirisë së Kosovës, vrasjen e Kolonel Tahir Zemës. Për këtë krim të dyfishtë është dënuar krimineli Bedri Krasniqi më 27 vite burg, ish-truproja e kryetarit të AAK-së, tash kryeministër i vendit Ramush Haradinaj.

“Bota sot”: Muaj më parë u bënë 20 vite nga vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë, cilat janë informacionet e tuaj lidhur me ketë ngjarje? 

Major Nazif Ramabaja: Vrasja e Ministrit të Parë të Luftës në mes të Shqipërisë në kohën kur më së shumti i duhej Kosovës dhe popullit të saj, i cili bëri përpjekje të mëdha për t’i unifikuar grupet dhe individët në mënyrë që të kenë një adresë të përbashkët e kjo adresë ishte Shtabi Suprem i Ministrisë së Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Përgjegjësia dhe barra kryesore i bie institucioneve të sigurisë së Shqipërisë të cilat nuk kanë bërë as përpjekjet më të vogla për ta ndriçuar këtë rast. Çka mund të them se në takimin e parafundit të cilin e patëm me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Bardhaniq më 01.09.1998, prezent ishin Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Idriz Zyrapi, Ramush Haradinaj, Binak Gashi etj, ishte bërë fjalë se do ta vrasin Ahmet Krasniqin dhe këto kanë dalë nga goja e Binak Gashit i njohur si "Breshka", sepse e ka gruan serbe dhe gjithnjë sipas Binakut e njeh Ahmetin nga Kroacia, ndërsa në bisedë telefonike të cilën e ka zhvilluar komandant Tahir Zemaj me Ahmet Krasniqin në prezencë të Hashim Thaçit në një moment Ahmeti e kërkon Thaçin në telefon duke i thënë se, “Eprorët e mi nuk janë patate t’i vendosësh ku të duash ti, ata kanë një komandë dhe i përgjigjen asaj komande. Ti e din se çka jemi marrë vesh në Tiranë”, pas kësaj bisede Thaçi i drejtohet Ahmet Krasniqit, "shumë shpejt kam me e krye misionin me ty", pas tri jave u vra Ministri Ahmet Krasniqi në Tiranë. A ishte rastësi apo vrasje mirë e organizuar me aktorë dhe urdhërdhënës nuk duhet të jesh shumë i mençur për t´ia qëlluar.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj lidhur me aktualitetin politik në vend, e keni menduar kështu Kosovën?

Major Nazif Ramabaja: Njëzet vite pas është një realitet i hidhur, Kosova është e ngulfatur, korrupsioni lulëzon, drejtësia jofunksionale, shteti i kapur nga grupe të interesit dhe krimi i organizuar, kuvendi jo funksional, pazaret për tregti të territorit, por si të ishin bahshqe e individit apo livadh i babës së presidentit, e jo tokë stërgjyshore, të gjitha këto më kthejnë mbrapa në mendime sepse dy dekada mbrapa se kishim marrë më mend e jo paramenduar një situatë të tillë.

Zhgënjimi është prezent sepse papunësia është e madhe rinia paperspektivë, shëndetësia në stagnim, arsimi njashtu ku t’i gjesh fjalë të mira për një optimizëm në të ardhmen, por që kam shpresë, sepse siç thotë një fjalë e urtë; shpresa vdes e fundit. Jam me shpresë në këndelljen e kokave të boshatisura dhe rezonimin drejtë të atyre të pastra për një perspektivë dhe zhvillim të vendit i cili do të jetë pjesë e familjeve perëndimore demokratike me subjektivitet të plotë ndërkombëtar.

“Bota sot”: Kemi parë reagimin tuaj lidhur me Fjalorin Enciklopedik të publikuar së fundi, pse mendoni se u përjashtuan shumë prej figurave që bënë historinë?

Major Nazif Ramabaja: Nuk kam çka të shtojë nga ajo çka kam thënë në prononcimet e mia të më hershme për këtë fjalor. Dua ta përsërisë se shtrembërimi i historisë, është krim jo vetëm ndaj të së kaluarës të një populli, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Me Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, qenka shtrembëruar realiteti historik dhe politik, akademikët përgjegjës të këtij projekti siç e quajnë ata ”madhor” përmes autorëve të zgjedhur sipas dëshirës e jo profesionalizmit, ka devijime në përshkrimin e ngjarjeve dhe aktorëve dhe si i tillë është manipulues, i rrejshëm, sepse i mungojnë protagonistët kryesor të cilët në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme shkruan historinë para dy dekadave me Betejën e Loxhës dhe Luftën e Kosharës. Pra, janë ushtarakët profesionist të artit dhe doktrinës ushtarake dhe ushtarët tanë si dëshmi e gjallë për përgatitje, planifikim, dhënien e urdhrit dhe zhvillimin e operacioneve luftarake duke qenë vetë-pjesëmarrës dhe protagonist të atyre zhvillimeve. Kush janë ata autorë të cilëve nuk iu intereson faktografia, por shërbehen me shtrembërimet historike, propagandimin e gënjeshtrës për ta anashkaluar të vërtetën, për të cilën, ne sakrifikuam për të qenë të lirë dhe të barabartë me kombet e tjera.

Si protagonist i ngjarjeve të drejtpërdrejta nuk mund të rri indiferent për përshkrimin e Luftës së Kosharës dhe Betejën e Loxhës nga autorë diletant, për një arsye të vetme e cila në vend që të tregohet realiteti, në fakt shtrembërohen ngjarjet, gënjehet opinioni përmes manipulimeve se gjoja thyerjen e kufirit të “Murit të Berlinit” shqiptar siç e quante Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Gjithnjë sipas këtyre autorëve, se këtë thyerje kufiri e paska bërë “Brigada 138 Agim Ramadani” çka s´është fare e vërtetë, sepse në thyerjen e kufirit frontal me 9 prill 1999 kanë marrë pjesë : “Brigada 134”, Brigada 131”, dhe Batalioni Desanto vëzhgues. “Brigada 138 Agim Ramadani” është formuar pas puçit në brigadat e lartpërmendura të formuara dhe dekretuara nga Ministri i Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqi, shuarjes së tyre dhe formimit të kësaj të fundit në mesin e majit 1999.

Sa i përket Betejës së Loxhës e cila ishte një ndër betejat më të suksesshme që nga fillimi i luftës së bashku me Betejën e Kosharës, e që njihen edhe si betejat e vetme të luftës në Kosovë, opinioni i gjerë është i njohur për këtë betejë në detaje dhe e di fort mirë se kush janë protagonistët kryesor të kësaj beteje që nga intervenimi njësiteve operative të Ministrisë së Mbrojtjes të FARK-ut më 6 korrik 1998, urdhrit për intervenim për t’i dalë në ndihmë Loxhës, urdhër ky i lëshuar nga Kolonel Tahir Zemaj. Formimin e njësitit intervenues nga eprorët profesionistë Nazif Ramabaja, komandant i njësiti dhe varësit Faruk Xhemajli dhe Esat Ademaj si dhe ushtarët mirë të stërvitur dhe përgatitur për luftë dhe beteja të tilla.

Në një citat tendencioz si dhe në shumë raste të tjera të përshkrimit të betejës së Loxhës në të ashtuquajturin “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” botim i ASHAK-ut, thuhet: “Në këtë betejë morën pjesë edhe ish-oficerët e ushtrisë jugosllave të ardhur disa ditë më parë në Kosovë” duke anashkaluar me qëllim faktin se ata oficer ishin shqiptarë, ushtarak të karrierës të cilët tërë potencialin e tyre profesional dhe intelektual e vunë në shërbim të luftës për lirinë e atdheut. Ky konstatim tendencioz nga ASHAK-ut, për gjeneratat e lindur në luftë, pas sajë dhe ato që lindin pas botimit të këtij fjalori, lënë hapësirë për keqkuptime se në cilën anë ishin të radhitur këta oficer, për të qenë i qartë për publikun ata oficer kanë emra dhe mbiemra, si kolonel Tahir Zemaj, major Nazif Ramabaja, etj, ishin të radhitur në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të FARK-ut .

Për këtë sugjeroj që këto lëshime nga autori dhe persona përgjegjës me apo pa dashje, qëllimkëqija të përmirësohen dhe të vihet në vend realiteti i përshkrimeve të këtyre dy ngjarjeve dhe betejave madhore me protagonist të tyre në kohën dhe hapësirën e zhvilluar, përndryshe fjalori si i tillë nuk do të jetë kompletë, por i mangët, tendencioz dhe denigrues dhe nuk do e pasqyrojë realitetin faktik të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, një propagandë e kulluar ku barrën dhe përgjegjësinë kryesore do e bartni vet ju ASHK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat