Fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”, këtë vit 60 biznese të reja

Biznes

Fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”, këtë vit 60 biznese të reja

Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 12:34
Fillon “Java Globale e Ndërmarrësisë”, këtë vit 60 biznese të reja

Në 180 shtete të botës ka filluar “Java e Ndërmarrësisë Globale” me mbi 10 milionë pjesëmarrës. Kjo javë shënohet edhe në Kosovë, me 80 aktivitete dhe 60 organizata pjesëmarrëse. Hapja e kësaj jave në Kosovë është bërë sot nga Qendra e Inovacionit të Kosovës së bashku me Odën Ekonomike Amerikane.

Drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu, tha se në shtatë vjetët  e fundit, muaji nëntor është shndërruar në një simbolikë që komuniteti i ndërmarrësisë bashkohet rreth një qëllimi për të avancuar ndërmarrësinë përpara.

Begu: Janë rreth 60 organizata të cilat janë bashkuar për një qëllim

“Kur kemi filluar vitin e parë, Javën Globale të Ndërmarrësisë, kemi filluar një grup i vogël i organizatave me të njëjtin qëllim, për të promovuar ndërmarrësinë dhe për të nxitur ndërmarrësitë e rinj që të kanë guxim dhe kurajë për të vazhduar, dhe për të shndërruar ëndrrën e tyre në realitet. Sot shtatë vite më pas jemi diku rreth 60 organizata, të cilat jemi bashkuar për të njëjtin mision fisnik, ndoshta në kushte pak më të vështira, për shkak të rrethanave që gjendemi.  Shtatë vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë, dhe shumë barriera të tjera të cilat sfidojnë sidomos ndërmarrësitë e ri. Bashkimi i forcave, sidomos të organizatave, partnerëve, bizneseve,  na bën të besojmë që ky vend ka një të ardhme të ndritur nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë”, tha Begu.

Java Globale e Ndërmarrësisë sot ka filluar në 180 shtete të botës, ndërsa në Kosovë gjatë javës do të mbahen rreth 80 aktivitete.

Begu: Është viti i shtatë që shënojmë këtë javë

“Java Globale e Ndërmarrësisë sot fillon në 180 shtete, pritet diku rreth mbi 10 milionë pjesëmarrës. Jemi shumë krenarë që si Kosovë, është viti i shtatë që shënojmë këtë javë, dhe gjatë javës kemi diku rreth 80 aktivitete dhe çka është e veçanta që është në gjithë Kosovën. Derisa viteve më parë aktivitetet kanë qenë të fokusuara në Prishtinë, shohim një gjithëpërfshirje të madhe dhe kjo na bën të ndihemi krenarë”, u shpreh ai.

E pranishme në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësise, ishte edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku e cila tha se në dhjetë vitet e fundit, numri i kompanive që lidhet me IT është rritur për 185 për qind.

Çitaku: ICK ka qenë një nga storiet e shkëlqyera të Kosovës (Video)

“Fakti kryesor se pse jemi mbledhur këtu, pas një nate të gjatë, tregon sesa të përkushtuar jemi. Më duhet të them se ICK ka qenë një nga storiet e shkëlqyera të  suksesit që Kosova ka arritur të  prodhojë që prej se kemi shpallur pavarësinë. Është rinia jonë, shpirti sipërmarrës që do ta çojë dhe shtyjë Kosovën përpara. Shumë pak njerëz dinë se rreth 60% e GDP-së vjen nga shërbimet, dhe nga të talentuarit e industrive të teknologjisë që po lulëzojnë në Kosovë. Vetëm në 10 vitet e kaluara numri i kompanive që lidhen me IT është rritur për 185%, dhe ky progres nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të gjithë juve, veçanërisht të ICK-së dhe storiet e shkëlqyera që ju arritët t’i bëni”, tha ambasadorja Çitaku.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se para tri vjetësh kanë pasur gjashtë aktivitete, ndërsa gjatë këtij viti ky numër është rritur në 14.

Zeka: Qëllimi kryesor i kësaj jave është të ndajmë storie suksesi

"Jemi me një kohë goxha interesante, ku një pjesë e madhe e të rinjve tanë  nuk shohin perspektivë në vendin tonë. Thelbi i gjithë aktiviteteve gjatë kësaj jave duhet të jetë kjo, që të ndajmë sa më shumë storie suksesi me të këta të rinj tanë, dhe t’iu tregojmë atyre që është jashtëzakonisht e mundur  që t’ia dalësh edhe në Kosovë edhe në këto rrethana nëse ia kanë dalë Mërgim Cahani, Mërgim Prishtina, e shumë ndërmarrës të tjerë. Besoj që ky duhet të jetë qëllimi kryesor i kësaj jave të ndajmë storie suksesi", tha Zeka.

Ndryshe, ky është viti i shtatë që organizohet Java e Ndërmarrësisë, e cila do të jetë e hapur deri të dielën.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat