Pesë këshilla për t’iu qasur mbulimit medial të Covid-19 - Bota Sot
Pesë këshilla për t’iu qasur mbulimit medial të Covid-19

Këshilla mjekësore

Pesë këshilla për t’iu qasur mbulimit medial të Covid-19

Më: 28 mars 2020 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Përherë e më shumë po ballafaqohemi me mbulime mediale dhe informata për Covid-19 dhe e gjithë kjo po u krijon ankth shumë njerëzve.

Më poshtë i kemi disa këshilla nga Organizata Amerikane e Psikologëve (apa.org) për atë se si ta menaxhojmë ankthin dhe si t’i lexojmë lajmet nga një perspektivë më e gjerë dhe si të mbajmë një qasje pozitive.

1. Mbani gjërat në perspektivë

Merrni frymë thellë dhe kujtojani vetës se shumica e njerëzve që infektohen me Covid19 do të përjetojnë vetëm simptoma të lehta. Shumë punë po bëhet për t’i ndihmuar personave që janë më të ndjeshëm ndaj virusit, si pleqve dhe atyre me probleme kronike shëndetësore.

Sa më shumë që të ketë mbulim medial të fenomenit, aq më shumë është e rëndësishme t’i marrim masat e nevojshme parandaluese për ta ruajtur shëndetin e familjes sonë dhe më të dashurve tanë.

2. Informohu për faktet

Preferohet që të zhvillohet një qasje sa më analitike gjersa i ndiqni lajmet dhe format tjera të raportimit për coronavirusin. Gjithashtu, nëse mundeni, vërtetojeni për vete nëse informacioni që merrni nga të tjerët ose mediet është i saktë.

Më e mira është që t’i ndiqni kanalet zyrtare të informimet si ato nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu, mund të kërkoni informacion nga organizatat e shëndetit publik ose nga mjeku familjarë.

3. Komunikoni me fëmijët tuaj

Flisni për mbulimin medial të coronavirusit me fëmijët tuaj në një mënyrë të sinqertë por duke patur parasysh moshën e tyre. Prindërit mund t’u ndihmojnë fëmijëve për të ulur shqetësimin e tyre duke u kërkuar atyre që të zhvillojnë rutina dhe orare të organizimit të aktiviteteve.

Prindër, mbajeni mend se fëmijët do t’u shohin juve se si reagoni ndaj situatës dhe si i menaxhoni emocionet e juaja dhe pastaj do t’ju kopjojnë. Madje preferohet t’ua kufizoni fëmijëve kohën që ata kalojnë nëpër medie, me qëllim që t’u ulet atyre niveli i ankthit.

4. Rrini të bashkuar

Mbajtja e lidhjeve sociale mund të ndihmojë në rritjen e një sensi të normalitetit dhe mund të ofrojë mundësi të mira për t’i bashkëndarë ndjenja dhe liruar stresin. Ju mund t’i mbani këto lidhje edhe pa rrezikuar që të infektoheni me virus, si për shembull përmes bisedave telefonike, komunikimit online apo përmes rrjeteve sociale.

Ndjehuni të lirë të ndani me familjarët dhe shoqërinë informacionin e dobishëm që mund ta gjeni në faqet e ministrisë. Mund t’u ndihmojë atyre të ballafaqohen me ankthin e vet.

5. Kërkoni ndihmë shtesë

Personat që përjetojnë shumë stres, mërzitje apo reagime të mundimshme që e vështirësojnë shumë jetën apo marrëdhëniet ndërpersonale, është mirë të konsultohen me ndonjë profesionist të shëndetit mendor.

Psikologët dhe ofruesit tjerë të shërbimeve mendore mund t’u ndihmojnë shumë personave me stres ekstrem. Profesionistët e tillë, punojnë me personat e afektuar dhe u ndihmojnë atyre të zhvillojnë mënyra konstruktive për t’u ballafaquar me ankthin.

#rrinshpi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat