Njihuni me 5 këshillat se si duhet kuruar zgjebja

Këshilla mjekësore

Njihuni me 5 këshillat se si duhet kuruar zgjebja

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 13:59
Foto Ilustrim

Zgjebja është një sëmundje infektive e lëkurës, e shkaktuar nga specie të gjinisë “sarcoptes scabiei”. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili tregon për “Dita” se kjo gjini e parazitëve të lëkurës i takon familjes së madhe të merimangave me një madhësi rreth 0.5 mm.

Lëvizja e këtyre specieve nën lëkurë prodhon një kruajtje intensive (pruritus) dhe skuqje të lëkurës. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara shenjat dalluese të kësaj sëmundjeje, faktorët që shtojnë rrezikun e përhapjes së saj, këshillat për vendosjen e saktë të diagnozës dhe trajtimit që duhet të ndiqni.

Si mund të infektohemi nga zgjebja?

Çdokush mund të infektohet nga zgjebja. Ajo është e përhapur në të gjithë botën dhe transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë dhe i zgjatur lëkurë me lëkurë më një person që është i infektuar me zgjebe.

Kjo përfshin edhe marrëdhënien seksuale, si pasojë e kontaktit të ngushtë më lëkurën e infektuar. Prezervativi (i përbërë nga materiali Latex) nuk luan rol mbrojtës në transmetimin e zgjebes gjatë marrëdhënies, kjo për shkak të lëvizjes tipike të këtyre specieve nga një individ në tjetrin në vende të ndryshme nga organet seksuale.

Më pak i zakonshëm mund të jetë kontakti nëpërmjet teshave të infektuara, pasi merimangat “scabies” mund të mbijetojnë vetëm 2-3 ditë larg lëkurës së njeriut në temperaturën e dhomës. Pra kontakti me teshat e infektuara duhet të jetë brenda këtij afati kohor.

A mund të infektohemi me zgjebe nga qentë ose macet?

Kafshët nuk përhapin të njëjtat lloje të merimangave që shkaktojnë zgjeben njerëzore, kështu që nuk është e mundur të infektohesh me zgjebe nga një qen, ose nga një mace.

Megjithatë, këto lloj merimangash që shkaktojnë zgjeben e kafshëve mund të përhapen tek njerëzit dhe të shkaktojnë kruajtje të vogla dhe skuqje, por këto lloj merimangash nuk mund të mbijetojnë, ose të riprodhohen në lëkurën e njeriut dhe kështu do të ngordhin shpejt në vetvete duke i kufizuar shumë simptomat tek njerëzit.

Njerëzit nuk kanë nevojë të trajtohen pas kontaktit me këtë lloj zgjebe, por kafshët e prekura duhet të trajtohen patjetër.

Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme kur prekemi nga zgjebja?

Simptomat klinike më kryesore të zgjebes janë kruajtja (e cila ka tendencë të jetë më e fortë gjatë natës), si dhe krijimi i puçrrave të kuqe, të cilat në formën klasike të zgjebes qëndrojnë të grupuara dy e nga dy.

Gjithashtu, mund të shfaqet rrudhosja dhe ashpërsimi (luspëzimi) i lëkurës në çdo pjesë të trupit, por që më të zakonshme janë tek bërrylat, sqetullat, kyçet e këmbëve, duarve, midis gishtave të këmbëve dhe përreth thonjve.

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të preken edhe në kokë, fytyrë, qafë, thembrat e këmbëve, pëllëmbët e duarve,etj.

Një shenjë tjetër klinike e rëndësishme për diagnozën janë disa vija të holla në ngjyrë gri, kafe ose të kuqe që dalin në formë rrezesh nga puçrrat e shfaqura, por në fakt janë shumë të vështira për t’u dalluar, pasi shpesh duken si shenja gërvishtjeje (si rezultat i kruarjes).

Çfarë është më shqetësuese për pacientin e infektuar me zgjebe?

Siç e theksova edhe më lart, problemi kryesor i zgjebes mbetet kruajtja, e cila bëhet më intensive gjatë natës. Kruajtja fillon si një shqetësim i vogël dhe përparon në një pikë të tillë që personi i infektuar nuk mund të flejë dot.

Si diagnostikohet zgjebja?

Zakonisht diagnostikohet nga historia e pacientit (kontakti i mundshëm me persona të prekur), si edhe nga ekzaminimi fizik i lezioneve të kuqe (gungat, puçrrat).

Për të identifikuar merimangat specifike dhe vezët e tyre përdoret dermatoskopi, nëpërmjet të cilit vëzhgohet nga afër lëkura (zmadhohet) dhe kërkohen merimangat specifike.

Gjithashtu, mund të aplikohet dhe testi me shirit ngjitës, i cili puthitet fort pas lëkurës dhe tërhiqet. Më pas vëzhgohet në mikroskop për të kërkuar merimangat.

Çfarë mund të themi në lidhje me trajtimin që pacienti duhet të ndjekë për qetësimin e simptomave të zgjebes?

Mjekimet janë të ndryshme dhe duhet të përshkruhen nga mjeku specialist dermatolog në varësi të klinikës që pacienti paraqet. Në asnjë rast nuk duhet të veprohet me marrjen e kremrave qetësues, apo qetësuesve të caktuar nëpër farmaci pa bërë më parë diagnostikimin e saktë të kësaj sëmundjeje.

Duke iu rikthyer trajtimit si hap i parë mbetet vendosja e saktë e diagnozës, e cila pasohet nga përdorimi i kremit me përmbajtje permentrine që rekomandohet nga mjeku dermatolog. Gjithashtu ndihmë në trajtimin e zgjebes jep edhe përdorimi i mjekimit oral, përdorimit të tabletave, sipas përshkrimit që gjendet i detajuar në vijim të shkrimit.

Pacienti duhet të tregojë kujdes maksimal edhe me higjienën. Shumë e rëndësishme në trajtimin e zgjebes mbetet higjiena e teshave dhe e mbulesave të krevatit. Ato duhen larë me ujë të nxehtë (90 gradë) dhe duhen hekurosur.

Pas sa kohësh nga nisja e mjekimit nis lehtësimi dhe qetësimi i simptomave?

Pas fillimit të mjekimit, duhen disa ditë që të qetësohet kruajtja apo simptomat e tjera. Është e rëndësishme të kujtoj se diagnoza e zgjebes duhet vënë nga mjeku specialist pasi klinika nuk ka gjithmonë pamjen e saj klasike. Jo rrallë ashpërsia dhe luspëzimi i

lëkurës mund t’i ngjajë problemeve të tjera të lëkurës (ekzema, këmba e atletit), ose gungat e vogla mund të duken si pickime mushkonjash (kur nuk janë të shumta).

Prandaj është e rëndësishme të shkoni gjithmonë tek mjeku për të marrë diagnozën dhe trajtimin e duhur.

Këshillat si duhet të veproni

Si trajtim i parë mund të jetë kremi me përmbajtje permentrine, i cili aplikohet direkt në lëkurë, nga qafa deri në shputat e këmbëve. Larja bëhet zakonisht pas 8-14 orëve. Zakonisht rekomandohet edhe një aplikim i dytë pas një deri në dy javëve. Ka edhe pomada të tjera të cilat duhet të përzgjidhen me kujdes nga mjeku specialist për shkak të efekteve anësore të tyre.

Përveç mjekimeve lokale, mund të përdoren edhe mjekime orale (tablet nga goja), veçanërisht kur zgjebja mbulon një sipërfaqe të madhe të trupit dhe lëkura është e ashpër dhe e luspëzuar. Tabletat përdoren shpesh edhe në ambiente ku ka grumbullime të mëdha njerëzish dhe rrezikohet epidemia (si për shembull konvikte, shtëpi pleqsh, etj). Përparësitë e mjekimit oral janë se është më i lehtë për t’u përdorur (zakonisht përdoret në një dozë të vetme dhe përsëritet pas dy javësh) dhe nuk shkakton probleme në lidhje me lëkurën.

Megjithatë, mjekimi oral nuk mbetet alternativa e parë për t’u zgjedhur për shkak të efekteve anësore që duhet të merren në konsideratë, gjithmonë në përputhje me situatën individuale shëndetësore.

Rëndësi të madhe ka edhe trajtimi simptomatik, në mënyrë të veçantë qetësimi i kruajtjes që lehtëson kështu gjumin. Preparatet e këtij grupi janë antihistaminikët (cetirizinë, fenistili, etj).

E rëndësishme në trajtimin e zgjebes mbetet higjiena e teshave dhe e mbulesave të krevatit. Ato duhen larë me ujë të nxehtë (90 gradë) dhe duhen hekurosur. Mobiliet nuk kanë nevojë të pastrohen në mënyrë speciale, pasi merimangat do të ngordhin pas 72 orësh nëse nuk kanë kontakt njerëzor. Megjithatë, rekomandohet fshesa me korrent për pastrimin e qilimave dhe tapeteve. E rëndësishme është që thonjtë të mbahen shkurt dhe pastër pasi aty vendosen vezët e merimangave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat