Strijat, defekti i lëkurës që prek femrat, si të kurohet?

Këshilla mjekësore

Strijat, defekti i lëkurës që prek femrat, si të kurohet?

Më: 12 janar 2021 Në ora: 10:58
Foto ilustrim

Strijat janë një problem serioz për lëkurën, që vijnë së pari nga gjenet, por edhe nga ndryshimet e menjëhershme të lëkurës.

Kur lëkura zgjerohet ose tkurret shpejt, në raste si shtimi në peshe brenda një kohe të shkurtër, shtatzëni apo rritje gjiri, krijimi i strijave është, pothuaj, gjithmonë i mundur. Këto të çara të lëkurës, prekin të dyja gjinitë, por më të rrezikuara janë femrat.

Ato mund të formohen në kofshë, gjoks, bark, në pjesën e brendshme të krahëve, të ndenjura, duke shkaktuar dëme të përhershme në lëkurë, për shkak se ajo është më e hollë në këto zona dhe në rast shtatzënie, tendoset më tepër seç duhet.

Gjithashtu, lëkura mund të çahet edhe në raste të tjera. Por cila është arsyeja e shfaqjes së tyre? Mjekja dermatologe, Albana Lufi, shpjegon faktin se përse strijat shfaqen tek adoleshentët në një moshë të hershme.

Si shkaktohen

Strijat janë një shqetësim që vjen si pasojë e këputjes së fijeve të kolagjenit që ndodhen në dermë. Derma ose shtresa e mesme e lëkurës, është e ndërtuar nga fijet kolagjene dhe ato elastike. Fijet kolagjene, në periudha të ndryshme të jetës, zgjaten më tepër sesa ato elastike dhe këputen.

Si pasojë e këputjes së këtyre fijeve, ndodh ajo që quhet çarje e lëkurës ose strijat. Në fillim ato janë me ngjyrë të kuqërremtë, pastaj, me kalimin e kohës, bëhen të bardha.

Ku dhe kur shfaqen

Shfaqen në pjesë të ndryshme të trupit. Kryesisht në zonat ose ne ato pjesë të trupit, të cilat shëndoshen më shumë. Zonat ku shfaqen më tepër janë gjoksi, barku, zona e vitheve apo në zonën e kofshëve. Fillojnë në mosha të ndryshme. I shikojmë tek gratë shtatzënë.

Megjithatë, shfaqen edhe tek moshat e reja. Kryesisht tek femrat në periudhën e pubertetit, pra, në periudhën e rritjes. Edhe në mosha të tjera të mesme. Rritja e shpejtë, mungesa e aktivitetit, ose shtimet në peshë, bën që këto strija t’i shohim gjithnjë e më herët. I kemi parë edhe në moshat 12 ose 13 vjeç, para se të fillojë mosha e pubertetit.

Parandalimi

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e strijave. Faktor që ndikon janë ndryshimet hormonale, të cilat ndodhin në periudha të ndryshme të jetës. Nuk e kemi në dorë t’i parandalojmë strijet që vijnë si shkak i faktorëve hormonalë. Ajo çfarë mundet të parandalohet, është të mos kemi ndryshime të menjëhershme në peshë.

Mungesa e aktivitetit, mungesa e sportit do të bënte të mundur shtimin e menjëhershëm në peshë.

Gjinia

Femrat janë më të rrezikuara. Kjo për shkak të ndryshimeve hormonale që ndodhin. Shfaqen më rrallë tek meshkujt. Veçanërisht tek meshkujt, i shohim kur merren me sport ose me ndonjë aktivitet sportiv të sforcuar. Sidomos kur sporti shoqërohet me përdorimin e veglave të gjimnastikës. Këto vegla bëjnë që fijet kolagjene të këputen.

Zonat tipike që ndodhin tek meshkujt, mund të jenë në pjesët anësore të kraharorit, në pjesën e krahëve, në pjesën prapa të shpinës.

Shtatzënia

Gjatë shtatzënisë është e rëndësishme të ruhet pesha, të mos teprohet. Gruaja shtatzënë të mos marrë mbi 13 ose 14 kilogram. Sa më e madhe të jetë pesha, aq më e madhe është prirja për t’u formuar strijat. Jo të gjitha gratë shtatzënë kanë tendencë për të formuar. Ndikojnë ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë.

Nuk ka asnjë medikament që mund ta parandalojë nëse femra është e predispozuar. E kemi hasur edhe në praktikën tonë të punës ku mjaft femra pas lindjes së fëmijës, vijnë tek dermatologu dhe thonë që gjatë shtatzënisë kanë përdorur kremra të ndryshëm, por sërish u janë bërë strijat, thotë mjekja Albana Lufi.

Edhe literatura thotë se nuk ka asnjë krem që jep siguri për të parandaluar strijat. Studimet e ndryshme kanë konfirmuar se femrat që lindin në moshë të re dhe femrat që lindin fëmijë me peshë të madhe, janë më të prirura. Megjithatë, predispozita gjenetike është faktor shumë i rëndësishëm ne shfaqen e strijeve.

A janë strijat paralajmëruese sëmundjesh?

Nuk mund të themi shenjë e një sëmundjeje, por efekt anësor i disa medikamenteve. Sigurisht, përveç shkaqeve fiziologjike që përmendëm. Për shembull, sëmundje të ndryshme, ku njerëzit detyrohen të marrin kortizonikë për një kohë të gjatë. Kjo sepse kortizonikët ndikojnë në shtimin në peshë. Strijat japin stres.

Por në disa raste edhe përdorimi i ndonjë medikamenti mund të shkaktojë strija, siç është rasti i përdorimit të vazhdueshëm të kontraceptivëve. Duke qenë se kontraceptivët janë hormone dhe ne e thamë më lart faktin që hormonet janë faktorë ndikues në shfaqjen e tyre.

Kremrat

A mund të përdoren kremrat për largimin e tyre? Kjo është një enigmë që ende nuk është zgjidhur. Pavarësisht se në tregun farmaceutik kemi kremra për të parandaluar strijat, ato nuk kanë atë sigurinë e lartë.

Nuk ekziston asnjë lloj kremi që të parandalojë shfaqjen e strijave, jo vetëm në moshën e pubertetit, por edhe te gratë shtatzënë. Trajtimi i tyre nuk është i lehtë për t’u bërë dhe sigurisht, që kremrat nuk bëjnë eliminimin e tyre. Në ditët e sotme ka edhe procedura të tjera të avancuara që japin rezultat, por jo shërim 100% të tyre. Kremi mund të ndihmojë që ngjyra e strijave të përmirësohet.

Procedurat që janë më efektive ne trajtimin e tyre janë: lazeri i fraksionuar, dermapeni dhe piling kimik. Dermapeni është një sistem terapie me mikrogjilpëra që shpon lëkurën në mënyrë vertikale duke shkaktuar stimulimin natyral të kolagjenit dhe elastinës, me dëmtime minimale në lëkurë dhe pa efekte anësore.

Nevojiten disa seanca me interval dyjavor nga njëra tjetra për të marrë efektin e dëshiruar. Si lazeri i fraksionuar dhe dermapeni janë procedura që aplikohen prej vitesh dhe në vendin tonë dhe rezultatet e tyre në trajtimin e strijave janë të kënaqshme.

Këshilla

Nuk ekziston asnjë medikament, asnjë krem që të japë sigurinë e eliminimit të strijave deri në masën 100%. Rekomandojmë adoleshentët, gratë shtatzëna, por edhe çdo moshë që të kenë kujdes me shtimet në peshë apo me rënien e menjëhershme nga pesha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat