Vegjetariane dhe shtatzënë; A duhet të hiqni dorë nga regjimi juaj ushqimor?

Këshilla mjekësore

Vegjetariane dhe shtatzënë; A duhet të hiqni dorë nga regjimi juaj ushqimor?

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 18:23
Foto ilustrim

Nëse jeni vegjetariane, mund t’ju lindë dyshimi se mënyra juaj e të ushqyerit mund të shkaktojë ndonjë problem te foshnja. Mos u shqetësoni! Nëse gëzoni shëndet të mirë, nuk ka arsye pse të mos vazhdoni të ushqeheni si zakonisht edhe gjatë shtatzënisë dhe të sillni në jetë një foshnjë të shëndetshme.

Këshillat janë të njëjta si për ju, ashtu edhe për nënat që nuk janë vegjetariane. Konsumoni ushqime të larmishme dhe sigurohuni që të merrni sasi të ekuilibruara çdo ditë. Nëse do të përfshini në dietë peshkun, qumështin dhe vezët, atëherë do ta keni më të lehtë të merrni sasinë e duhur të hekurit, kalciumit dhe proteinave për të cilat keni nevojë. Nëse nuk konsumoni asnjë nga produktet me prejardhje shtazore (pra, jeni vegjetariane), duhet të mendoheni mirë për ushqimet që do të konsumoni. Ndonjëherë vegjetarianet nuk marrin mjaftueshëm zink, vitaminën B-12, hekurin, kalciumin dhe acidin folik. Për ta shmangur këtë problem, mundohuni të veproni si më poshtë:

1.     Hani të paktën katër vakte në ditë dhe zgjidhni ushqime të pasura me kalcium. Ndër perimet që përmbajnë kalcium mund të përmendim: brokolin, lakrën, fasulet e thara, lëngjet e pasuruara me kalcium, drithërat dhe produktet e sojës. Tejet e rëndësishme është edhe marrja e vitaminës D, e cila e ndihmon trupin ta përthithë më mirë kalciumin. Nëse nuk ekspozoheni shumë në diell, i cili është një burim shumë i mirë i vitaminës D, mundohuni ta merrni atë në formë kapsulash.

2.     Përfshini në dietë më shumë ushqime që ju japin energji. Kjo është shumë e rëndësishme nëse keni probleme me shtimin në peshë. Ndër burimet e kalorive mund të përmendim: arrat, lajthitë, gjalpin e arrës apo lajthisë, farat e ndryshme dhe frutat e thara.

3.      Këshillohuni për suplementet. Shumë gra vegjetariane kanë nevojë për suplemente, siç mund të jetë vitamina B-12. Në varësi të rrethanave, mund të jetë e nevojshme të konsumoni edhe produkte shtazore. Për të qenë të sigurta se çfarë duhet të konsumoni, bisedoni me mjekun ose me një dietolog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat