Stresi nga video-telefonatat ekziston vërtet

Këshilla mjekësore

Stresi nga video-telefonatat ekziston vërtet

Më: 4 maj 2021 Në ora: 17:08
Foto ilustruese

Për miliona njerëz në mbarë botën, pandemia ka qenë sinonim i punës së zgjuar (smart work). Dhe kjo e fundit nga ana tjetër, është bërë sinonim i video-telefonatave. Nëse ju jeni ndër ata që ju është sosur durimi me platformat Zoom, Meet, Skype dhe platforma të tjera të ngjashme, dijeni se shkenca është në anën tuaj. Ajo ka identifikuar zyrtarisht një sindromë të quajtur lodhja nga platforma Zoom, pra nga stresi i shkaktuar nga video-konferencat.

“Ankthi i pasqyrës”

Një studim i kryer së fundmi nga studiuesit në Universitetin e Stenfordit në SHBA, ka identifikuar në fakt të ashtuquajturin “ankthi i pasqyrës” si një nga elementët kryesorë përgjegjës për lodhjen nga video-konferencat.

Në fakt, duket se të qenit të detyruar të shohim njëri-tjetrin para ekranit për disa orë në ditë, ka pasur ndikime negative në trurin tonë. Studimi u krye përmes një pyetësori me 10.322 njerëz. Ai tregoi se stresi i video-telefonatave prek gratë më shumë sesa burrat:13.8 për qind e grave që morën pjesë në studim, i klasifikuan video-telefonatat si shumë ose jashtëzakonisht të lodhshme.

Studimet e kryera në të kaluarën, kishin treguar se kur gratë shihen në pasqyrë priren që ta përqendrojnë shikimin e tyre tek vetja më shumë sesa burrat. Dhe platformat e video-konferencave duket se e çojnë në ekstrem këtë prirje, duke rritur vetë-ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve për imazhin e tyre, dhe duke favorizuar lindjen e mendimeve negative. Në planin afatgjatë e gjithë kjo përkthehet në stres dhe lodhje. Lodhja nga video-konferencat, duket se prek më shumë njerëzit më të rinj dhe që janë zakonisht më në ankth se të tjerët.

Fikeni kamerën e kompjuterit

Por çfarë mund të bëjmë kundër këtij problemi, që në një të ardhme të afërt mund të jetë gjithnjë e më i përhapur, duke prekur jo vetëm njerëzit që punojnë, por edhe të rinjtë, dhe ata që janë ende në moshë shkollore?

Edhe pse ka ende pak studime mbi këtë temë, studiuesve thonë se mund të jetë një ide e mirë organizimi i ditës së punës pa video-konferenca, apo të mbani takime në modalitetin vetëm audio, me kamerën të fikur.

“Pandemia po e transformon botën dhe mënyrën e punës. Në të ardhmen, format hibride të punës do të jenë të përhapura, dhe është e nevojshme do të shfrytëzohen në maksimum avantazhet e video-konferencës, ndërsa në të njëjtën kohë të përpiqemi të reduktojmë në maksimum kostot psikologjike”- përfundojnë ekspertët. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat