Depresioni, arsyeja kryesore e paaftësisë për punë në botë

Këshilla mjekësore

Depresioni, arsyeja kryesore e paaftësisë për punë në botë

Më: 2 prill 2017 Në ora: 15:21
Ilustrim

Sipas të dhënave të fundit, depresioni është shkaktari kryesor i gjendjes së keqe shëndetësore dhe paaftësisë për punë, ndërsa nga kjo sëmundje në botë vuajnë rreth 322 milionë njerëz, derisa në vitet e fundit numri i të sëmurëve është rritur për më shumë se 18 për qind, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë.

OBSH ka nisur kampanjën shëndetësore në fokus të të cilës është shëndeti mental, i cili ka për synim heqjen e paragjykimeve nga ky problem. Kampanja po drejtohet nën sloganin “Depression: Let’s Talk” (Depresioni: Të bisedojmë).

“Këto shifra janë thirrje për të gjitha vendet që të ndërmarrin hapa të duhur kur bëhet fjalë për sëmundje mentale dhe që pacientët të fillojnë sa më parë të shërohen”, ka thënë drejtorja e OBSH-së, Margaret Chan në Gjenevë.

Karakteristikat kryesore të depresionit janë mungesa e disponimit, humbja e shpresës, fuqisë dhe energjisë, si dhe ankthi.

“Për personin i cili çdo ditë jeton me depresion, biseda me personin në të cilin ka më së shumti besim është shpesh hapi i parë drejt shërimit dhe përmirësimit”, thotë Shekhar Saxena, drejtor i Njësisë për shëndet mental të OBSH-së.

Bëhet fjalë për një sëmundje e cila është më tepër se sa një mërzi e zakonshme. Shkencëtarët thonë se shpesh bëhet fjalë për një çrregullim shpirtëror, i cili duhet shëruar, në të kundërtën gjendja do të përkeqësohet.

Është faktuar se depresioni shkakton rrezikun nga prekja e disa sëmundjeve serioze, si varshmëria, diabeti, sëmundjet e zemrës, të cilat në shumicën e rasteve përfundojnë me vdekje të parakohshme.

OBSH ka shfaqur brengosjen për shkak të faktit se në shumë vende të botës mbështetja për persona me çrregullime mentale është shumë e vogël, dhe se për shëndetësi mentale qeveritë ndajnë tre për qind nga buxheti i përgjithshëm. Shifrat ndryshojnë nga një deri në pesë për qind, varësisht nëse bëhet fjalë për një vend të pasur ose të varfër, konstaton OBSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat