Bisedimet Kosovë-Serbi, Letra e Trump-it dhe Lodhja e (Blerim Shalës) Kosovës!?

Kolumne

Bisedimet Kosovë-Serbi, Letra e Trump-it dhe Lodhja e (Blerim Shalës) Kosovës!?

Nga: Jakup Azemi Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 19:20
Jakup Azemi

Dukej që plani i Thaçit e Vuçiçit për arritjen e një marrëveshjeje midis dy vendeve që do të kurorëzohej me një farë korrigjimi të kufijve, që shumica e nesh e kemi kualifikuar si ndarje të Kosovës do të dështonte. Por, letra tashmë a e famshme e presidentit të SHBA-ve Donald Trump në adresë të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, dhe atij Serb Vuçiç e rikthen ankthin për kompromiset e dhimbshme që e presin Kosovën me rastin e bisedimeve imanente me Serbinë.

SHBA-t janë partneri më i besuar i Kosovës dhe i shqiptarëve, por për herë të parë në historinë moderne të marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA-ve, ekziston një dozë frike, që kësaj radhe interesat e Kosovës do të mundë të sakrifikohen nga administrate e tanishme e presidentit Amerikan në rast se Kosova hyn në këto bisedime të parapara! 

Arsyet e kesaj frike lidhen me një koincidencë apo jo, të politikës së jashtme Amerikane, sidomos pas angazhimit të John Bolton-it (këshilltar për siguri kombëtare) në adminstratën e presidentit Trump, i nohur si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe një njeri me afinitete pro-Ruse/Serbe dhe të një ri- gjallërie të Serbisë.

Ana më problematike e qështjes së bisedimeve me Serbinë është se ajo pason të ashtuquajturën ide të bisedimeve, e materializuar përmes presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi, i cili nuk gëzon besim të spektrit politik e as të popullsisë së Kosovës. Në këtë kontekst, prandaj, letra e presidentit Trump disi e përforcon këtë dyshim dhe e bën frikën edhe më të bazuar. Përmbajtja dhe toni i saj (letrës), paralajmërojnë se një marrëveshje e tillë tashmë është arritë, por mbetet që të menaxhohet pas bërjes së saj publike. Prandaj për një gjë të tillë tashmë është ndërtuar një ekip gjoja negociator nën patronatin e kryeminstrit Haradinaj, dhe i kryesuar nga dy persona të cilët po ashtu nuk kan as peshë politike – janë përfaqesues të dy partive shumë të vogla, dhe si individ nuk kan kurrëfar kredibiliteti brenda në Kosovë.

Besohet se ekipi negociator i kryesuar nga këta dy përfaqësues, do te ketë efektet e një dekori, sepse siç argumentuam më sipër, marrëveshja, apo së paku kushtet kryesore të saj, sipas të gjitha gjasave, do të jen akorduar midis Thaçit dhe Vuçiçit. Se kjo mundë të jetë kështu dëshmon edhe paraqitja e Blerim Shalës (në cilësi të këshilltarit të Presidentit Thaçi) në emisionin e datës 18 Dhjetor në praninë edhe të dy analistëve tjerë Dastid Pallaskës dhe Berat Buzhalës. Ajo që ra në sy, gjat këtij emisioni ishin dy qasje të ndryshme: njëra e përquar përmes Blerim Shalës, i cili ndonëse në një mënyrë të moderuar, paraqiste vijimësinë e qëndrimit të Thaçit përgjat muajve të kaluar, kurse në anën tjetër Pallaska dhe Buzhala ju përmbajtën qasjes të cilën shumica e popullsisë dhe analistëve si dhe opozita e kanë refuzuar idenë e Thaçit.

Por tashti pozicionin e shumicës kundërshtuese në Kosovë disi e vështirëson letra e presidentit Trump. Andaj krejt filozofia qëndron në ate se si të refuzohet kompromisi i dhimbshëm përballë ofertës së SHBA-ve - një detyrë shumë e vështirë! Për hirë të sqarimit të kësaj situate po citoj z. Shala i cili kësisoj e interpretoi letrën e presidentit Trump, dhe arsyetoi këtë kompromis imanent me Serbinë:

“…pra është një letër, … një kthesë, po shpresojmë, në këtë rrugëtimin tonë që ta kemi një marrëveshje të madhe me Serbinë, dhe përfundimisht ta kryejmë një dialog i cili është i mundimshëm, i lodhshëm, na ka shterrë, na ka dërmuar faktikisht si politikë kosovare, është bërë burim i tensioneve të brendshme, dhe pas njëzet viteve të negociatave intensive, ta përfundojmë me njohje reciproke”.

Pra, sipas z. Shala, i cili tashmë është një nga negociatorët me përvojën më të gjatë në vend, Kosova duhet të bëj kompromisin (sepse presidenti Trump në letrën e tij kërkon kompromis, shënim imi) për shkak të arsyeve të sipër-përmendura, dhe se dialogu i mundimshëm, lodhja dhe shterrimi “ynë” duhet të jenë arsye për të shfrytëzuar “momentumin”, ani pse ky momentum është jo i favorshëm për palën kosovare.

Vërtetë, z. Shala dukej të jetë i lodhur, e edhe establishmenti (presidenti) të cilit ai është duke i shërbyer, po ashtu është i lodhur. Prandaj, këta kërkojnë një dalje (exit-strategy) nga kjo gjendje, për arsye se pa-aftësia, përtacia, dhe korrupcioni i kësaj klase politike e kanë shpurë  vendin në këtë gjendje, nga e cila disi duhet të dilet, qofte edhe duke sakrifikuar interesa vitale të kombit!

Meqenëse ndiheni të lodhur z. Shala, jepni dorëheqje dhe lërini të tjerët të ciliët kan dije, kondicion dhe guxim të vazhdojnë këtë process, pa kompromise tjera për vendin. A pak ka bërë kompromise Kosova? Ju jeni njëri nga ata të cilët i keni bërë këto kompromise, prandaj ku e merrni atë guxim dhe të drejtë morale t’i ofroni vendit kompromise tjera!? Si është e mundur të ju entuziazmoj aq shumë thirrja e presidnetit Trump për compromise tjera?!

A i nevojitet z. Trump një sukses në politikën e jashtme po aq sa Thaçit e Vuçiçit?

Por, jo të gjithë në Kosovë absorbojnë çfarëdo qoftë, madje qoftë edhe nga presidenti Trump. Dhe kjo është inkurajuese. Në këtë konktekst prandaj duhet nenvizuar edhe qasjen e z. Pallaska dhe Buzhala të cilët në këtë paraqitje, me guxim sfiduan qasjen e Blerim Shalës – rrjedhimisht të Thaçit, por edhe thirrjes së presidentit Trump për kompromis! Në veçanti, duhet përshëndetur Z. Pallaska, i cili madje shkoi edhe më larg, duke thirrur që letren e Trump-it nuk duhet mbi-vlerësuar. Pallaska me të drejtë nënvizoi poashtu se politika e jashtme e administratës së presidentit Trump nuk ka qenë e suksesshme, duke përmendur edhe disa nga dështimet e tij. Ndaj me të drejtë mundë të ngritet pyetja, nëse z. Trump I nevojitet një sukses në politikën e jashtme po aq sa Thaçit e Vuçiçit, meqenëse thërret me aq urgjencë për të mos humbë rastin “unik”? Një gjë duhet ta kemi parasyshë: interesat vitale të kombit nuk sakrifikohen për asgjë, dhe askënd!

Prandaj, duhet të shtojme se edhe nëse dështon një marrëveshje e Kosovës me Serbinë e sponzorizuar nga njerezit e tij nuk do të bëhej nami.

Për hirë të pavarësisë intelektuale, dhe drejtësisë patriotike e morale, ky diskurs i z. Pallaska do përshendetur, përkrahur, dhe duhet te shërbej si një analizë e cila duhet marrë seriozisht në konsideratë në vijim të proceseve të dialogimit me Serbinë.

Asnje kompromis nuk duhet bere, gjoja per arsye te anetaresimit te Kosoves ne OKB apo liberalizim te vizave!

Përkundër situates konfuze, në raport me Serbinë dhe të tjerët, pala kosovare duhet të niset nga disa premise bazë të cilat nuk duhet të shpërfillen. Ato janë:

Serbia e ka humbë Kosovën për shkaqe juridiko-politike - Kosova ka qenë pjesë në mesin e tetë njësive të Federatës së Jugosllavisë së shpërbërë;

Në pikëpamje të instrumenteve të së Drejtës Nderkombëtare, Kosova nuk ishte kurrë pjesë e Serbisë, por e Jugosllavisë;

Serbia, a ka humbë Kosovën po ashtu për arsye të një gjenocidi të tmerrshëm të ushtruar për një periudhë të gjatë (kjo kulmoi me luftën e vitit 1999, në të cilin humbën jetën mbi 10 mij shqiptarë,  popullsi civile);

Pas shapllejes së pavarësisë me 2008, Kosova ka siguruar mbrojtjen legale dhe politike të minoritet serb duke implementuar instrumentet më të avancuara ndërkombëtare në pikepamje të drejtave të minoriteteve dhe atyre të njeriut. Kjo është konfirmuar me pakon e Ahtisaarit, si dhe amendimeve të mëtejme të këtyre provizioneve, si dhe me parashikimin e krijimit të associacionit të komunave Serbe;

Koncesione tjera janë bërë me zgjerimin dhe rritjen e numrit të komunave serbe, vetëm për të i kënaqur interest e Serbisë. Kjo, jo vetëm që nuk i ka vlerësuar këto koncesione, pork i ka keçperdorur avantazhet e tyre duke cënuar sigurinë e Kosovës, duke  krijuar asaj obstruksione nga më të ndryshmet duke u përzier në punët e brendëshme të Kosovës dhe shkaktuar destabilizim të vazhdueshem;

Përgjat viteve të negociatave, Serbia ka dëshmuar se nuk ka bërë lëvizje pozitive që do ta dallonin substancialisht nga regjimi i Milosheviqit. Për më tepër, Serbia ke udhëheqë një kampanjë gjithëpërfshirëse në politikën e saj të jashtme kunder interesave të Kosovës që janë gjithëçka tjetër por jo politika të fqinjësisë së mirë – një nga kushtet bazë për aksesion dhe anëtarësim në Unionin Europian;

Politika e reciprocitetit ndaj Serbisë të zbatohet me rigorozitet maksimal  – në këtë kontekst duhet përshëndetur kryeministrin Haradinaj për masën e marrë ndaj mallrave të Serbisë;

Asnjë kompromis nuk duhet bërë, gjoja për arsye të anëtarësimit të Kosovës në OKB apo liberalizim të vizave, sepse të dyja këto lidhen me qeversije të mirë politike dhe diplomaci të jashtme efektive, dhe luftë kundër korrupcionit. Klasa politike e Kosovës ka dështur në të gjitha këto fusha. Prandaj i është nënshturuar presionit të jashtëm për compromise të mëtejme.

Njohja reciproke është e interesit të dyanshëm, jo vetëm të Kosovës, prandaj kjo nuk guxon të jet motiv për kompromis!

Prandaj, përtacia, jo-kompetenca, korrupcioni, të qenunit të shantazhuar, e “lodhja” e klasës politike, nuk munden dhe nuk guxojnë të përkthehen në “kompromise të dhimbshme” dhe sakrifica të mëtejme kombëtare. Nëse nuk jeni në gjendje të ndërtoni shtetin me punë e vetmohim, largohuni dhe lirojini të tjerët ta bëjnë këtë gjë!

Autori është maxhistër në fushën e Marrëdhenjeve Ndërkombëtare dhe Studimeve Europiane, kandidat për doktoraturë, dhe mësimdhënës në University College London.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat