Djemtë si princesha, vajzat si ushtarë

Kolumne

Djemtë si princesha, vajzat si ushtarë

Nga: Fadil Lepaja Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 09:56
Fadil Lepaja

Do të më thoni, për këtë titull se nuk është origjinal? Nuk është! Do të mendoni se është koment për kandidatët për deputet? Nuk është! Do të thoni se e kam marrë nga rrjetet sociale? E kam marrë! Do të thoni...! Jo, nuk thash!

Nuk jam si ata dhjetëra apo qindra profesor të shkollave të mesme apo universiteteve tona (jo) publike që kanë marrë temat e diplomave, apo magjistraturave, e aty këtu edhe doktoratës, në rrjet, pastaj fshehin autorësinë. Kam batutat e mija, por nuk mund të jesh çdo ditë origjinal, pastaj kjo më bëri fort për vete. Është edhe fushatë dhe ky titull ndihmon me i shpalosë të gjitha nuancat tona (para) politike!

Mund të duket edhe si përpjekje për të përshkruar ikjen e burrave nga politika, atyre burrave të ashpër, luftarak dhe që frikësonin qytetarët e thjeshtë me konceptin e tyre burrëror të politikës dhe shtetit, e sidomos pushtetit. Pak a shumë ngjajnë me logjikë të luanit që e pushton territorin dhe gjithë preja është e tij. Ajo çka tepron mund të merret, të ndahet mes partive të tjera, veç pasi të largohen ata. Kështu pat thënë edhe plaka e moçme, kur e patën vetë se ku janë burrat. Ajo sipas të moçmit, ishte përgjigjur se burrat janë te varret, e Hagën nuk e kishte përmendur fare. I moçmi sot, nuk përmendet shumë me thëniet e tij, tash këtë rol e kanë marrë rrjetet sociale, kështu që çfarëdo ideje për të cilën nuk e do autorësinë mjafton të thuash se e lexove në rrjet.

Dikush tjetër i preokupuar me tema të tjera mund të mendoj se po e përdorë këtë si sllogan parazgjedhorë, për të treguar orientimin seksual të dikujt, apo çorientimin e kandidatëve, varësisht prej pikëpamjes. Jo nuk jam në garë për deputet, prandaj nuk është e domosdoshme të deklarohem për tema jetike të kombit sikur kjo. As të marr pjesë nëpër parada, as të refuzoj pjesëmarrjen për të fituar vota. Edhe kësaj radhe, qoftë të princeshë qoftë si ushtar i rezistova thirrjes primale të çdo shqiptari tipik, për të hyrë në valle sapo të bjerë tupani i zgjedhjeve dhe boria e fushatës. Mjafton me votua ... veç njëherë, për të kryer obligimin qytetar!

Pra, me komunitetin “gej” nuk ka të bëjë ky titull, sepse në fund të fundit, me ndryshimet në administratën amerikane, kanë lëvizur edhe preferencat e politikës globale. Po të ishte ashtu, do të zgjidhja një titull tjetër, nga kënga e njohur, “Djemtë si sorkadhe, vajzat si petrita”, për shembull. Kështu do të përfshihej edhe feminizmi, edhe femrat e fuqishme si ofertë politike, sepse të jesh femër e fuqishme për dikë tingëllon më mirë se të jesh një mashkull i fuqishëm. Një femër e fuqishme në politikë nuk tingëllon si rrezik, ndërkohë që mashkulli i fuqishëm, menjëherë krijon shqetësimin se do të bëhet, me çdo kusht president. Ec e iki tundimit me e votua një president të fuqishëm! Në fund të fundit, ka aq shumë që mendojnë se veç fuqia , ose efekti i saj pra tuta, i bashkon shqiptarët. Pafuqia veç sa i futë në dilema krejtësisht apolitike, gati filozofike si për shembull kah me ja majtë: në lindje apo perëndim, me ata apo ata tjerët?

Sidoqoftë vet titulli tregon se diçka në politikën tonë po ndryshon. Duket si në ndryshim edhe nëse nuk është. Ky është shqetësimi kryesor i qytetarit tonë votues i cili e ka dilemën mitike a ja vlen me pritë në radhë për votim, me rrezikua covid-in, apo me shkua në fshat. Në fshat të vet apo fshat turistik, njësoj. Pra, a do të ketë ndryshim, a mund të ketë, kështu na futë në dilemë ky titull.

Të zbërthejmë edhe pak “fjalën e urtë virtuale”, të cilën sot e mora për titull. Këtë “virtuale” kuptojeni sikur të ishte një fjalë e urtë popullore. Edhe ashtu krejt populli është në rrjet, i urët apo jo, me krejt urtinë e tij dhe krejt marrëzinë kolektive. Kombi fle në rrjet.

Pra, nënat tona rrisin djem si princesha, sepse nuk punojnë asgjë në shtëpi, ndërkohë që vajzat i rrisin me disiplinë dhe me gatishmëri me u përballë me jetën në një botë të meshkujve. I rrisin si ushtarë, luftarake dhe të pamëshirshme. Në fund të fundit fuqia e burrave është vetëm mit dhe traditë, ndërkohë që fuqia e femrave është bërë veçori e tyre normale. E keni pa, sa femra të politikës shkojnë në “fitnes” apo ngjiten maleve dhe bëjnë selfije? Nuk është lehtë të mbijetosh , politikisht në një botë të “princeshave”. Duhet karakter!

Të dashur miq, pasi për shkak të masave... po e dini, nuk arritëm të mblidhemi për të bërë fushatë për ndryshime, ju ftojë të gjithë juve, princesha dhe ushtarë, qytetarë dhe katundar: votoni, votoni, votoni! Veç njëherë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat