Më i vlefshëm është një gram pushtet në Kosovë, se sa një kilogram ari në ShBA

Kolumne

Më i vlefshëm është një gram pushtet në Kosovë, se sa një kilogram ari në ShBA

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më: 29 korrik 2021 Në ora: 10:07
Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot

Se çka është pushteti, më së miri duhet ta dijë pushtetari, sidomos ai që është në krye. E kur i shtohet fakti se pushteti dallon shumë prej vendit në vend, gjegjësisht prej shteti në shtet, sepse serish ka dallim pushteti nga një vend me demokraci të zhvilluar tek një vend ku ligji dhe drejtësia varen nga pushteti.

Kosova në fakt është një demokraci e re, por problem kryesor është dhe vazhdon të jetë funksionimi i institucioneve të pavarura, ngase varen nga politika. Nuk ndodh rastësisht që bëhet luftë e egër për pushtet, madje grupe të caktuara politike janë në gjendje të bëjnë çdo gjë, për të ardhur në pushtet. Të tillët shkojnë deri në atë shkallë sa që shajnë dhe mohojnë çdo të arritur, natyrisht secilin që nuk mendon si ata, është jo rival por e konsiderojnë armik.

Gjuha që përdorin politikanët e Kosovës tejkalon çdo normë etike, thjeshtë shkon deri në shkallën më të ulët, ku degradon edhe si përmbajtje dhe edhe si formë komunikimi. E gjithë kjo është interesante se gjen mbështetje nga masa e qytetarëve të vendit, madje kjo edhe është forma më e suksesshme për t’i fituar zgjedhjet, shih ketë më miri në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit.

E meqenëse u bëka kaq shumë për të ardhur në pushtet, le ta shikojmë se çka në të vërtet qenka pushteti. Pushteti në Kosovë realisht është më shumë se pushtet, më shumë se qeverisje, më përtej udhëheqjes, sepse të kesh pushtet në Republikën tonë do të thotë t’i kesh të gjitha të mirat. Pushtetarët, ata që janë në krye, ta zëmë kryetari i partisë ose më i fuqishmi, mbase mund të kuptohet të jetë njeriu më fortë, më i respektuar dhe më i admiruar, por cili është roli i një personi që nuk është në rendin e parë, thjesht nuk është prej atyre që kryeministri e ka në rreshtin e parë, ta zëmë është ndonjë zëvendësministër, apo ndonjë këshilltar? Për ketë person mund të thuhet se ka pak pushtet, ose ka një gram pushtet, sa që shefi ose shefja e tij me një fjalë mund ta lë pa punë. E gjithë kjo është fakt, mirëpo pavarësisht kësaj, personi me një gram pushtet, kuptohet nëse di mirë t’i notojë këto ujerat e politikës, ai ose ajo mund pra zëvendësministër të kryejë shumë më shumë punë se çka realisht e ka në dorë? E pse kjo mund të ndodh, t’i hedhim një sy këtij fenomeni, që prej pavarësisë së vendit me 2008, e deri me veprimet e fundit të zëvendësministrave të kësaj qeverie. Një zëvendësministër para pak ditësh bëri veprime që u shkrua për të ne medie, pra veprime që tejkalonin kompetencat e tij, pra flas për ato veprime që janë parë në medie, sepse për veprimet tjera, si punësime familjare dhe të tifozëve partiak, dhënie tenderësh kompanive po ashtu partiake dhe shkarkime e emërime nëpër borde ku duhet të jenë të pavarura ndodhin përditë dhe si të mos jetë i vlefshëm një gram pushtet këtu.

Nga ana tjetër, nëse dikush e ka një kilogram ari në një vend demokratik, ta zëmë në Japoni, Gjermani apo Shtete të Bashkuara të Amerikës, është mirë, por kjo nuk të garanton se do të kesh shumë jetë të mirë. Po nuk qe i kujdesshëm, paratë e një kilogrami ari mund të harxhohen shumë shpejt dhe po nuk punove shumë sërish mbetesh i varfër, me një fjalë thënë shkurt, ta kesh një kilogram ari është mirë, por nuk të siguron për një jetë të mirë. Ta kesh një gram pushtet, në vështrim të parë duket se është diçka krejt e vogël, por nëse pyetet një njeri që jeton në Republikën e Kosovës, natyrisht se e di se ky gram, nëse di ta menaxhosh të siguron jetë të mirë, madje t’i siguron edhe pasardhësit. Shumë zëvendësministra me nga një gram pushtet, ia kanë dalë t’i sigurojnë edhe brezat e tyre pasardhës, tani imagjino se çka sigurojnë personat e hekurt, pra ata që kanë pushtet me tonelata? Meqenëse po flasim për një kategori të caktuar, ku njerëzit me një gram pushtet sigurojnë jetët e familjes së tyre, kjo mund të duket mjaft, por sërish të mirat tejkalojnë edhe ketë fakt. Këta persona, përveç të mirave materiale që sigurojnë, janë disa bosa, ngase kryejnë edhe punë tjera, që u japin atyre edhe kënaqësi më të mëdha, pra kategoria në fjalë shtrihen horizontalisht tek shtresat e popullit, duke u gjetur punë personave të vet dhe kësi soji ata mbushen me autoritet, madje janë edhe persona shumë popullor dhe të admiruar nga njerëzit hallexhi.

E për të kapur një gram pushtet nuk është e lehtë, prandaj edhe kemi një emigrim masiv, rreth gjysma e popullit të Kosovës jeton jashtë vendit. Kjo kategori ishte e zhgënjyer dhe sikur u përjashtua nga shoqëria, derisa erdhi një ditë kur sërish u mashtrua, krejt në emër të përjashtimit të tyre, ndërsa u fuqizuan edhe më shumë kjo kategoria me pushtet të madh e të vogël.

Kështu pra, pushteti në vendin tonë ka rëndësi të madhe, prej pushtetit një gramësh e deri tek pushteti tonelatash dhe jo pak njerëz shit-blihen nëpër parti, sikur futbollistët nëpër klubet e ndryshme, por se vetëm dallon loja që bëjnë ndërmjet futbollistëve dhe loja e pushteteve politike. Tek të parët duhet kualitet dhe lojë të mirë që të të blejë një klub tjetër, ndërsa tek të dytët, duhet të luajë sa më ndytë që të të blejë partia tjetër. He pushtet more pushtet, sa i mirë je, prandaj edhe nëse nuk e kap dot, nuk është mëkat ta kërkosh, qoftë edhe këtë një gram, sepse të mbush me tul e me dhjam.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat