Dialogu i Brukselit të riformatizohet në Konferencë Ndërkombëtare për Ballkanin

Kolumne

Dialogu i Brukselit të riformatizohet në Konferencë Ndërkombëtare për Ballkanin

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 7 shtator 2018 Në ora: 16:57
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Dialogu i Brukeslit mes palës serbe dhe asaj shqiptare, do të mund të vazhdonte vetëm, nëse paraprakisht, Qeveria e Serbisë, do ta njihte  de fakto dhe de jure Republikën e Kosovës. Ndryshe, presidenti, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, duhet të brakstisin, JO ta vazhdojnë atë me njerëz apo me grupe të reja politike sikurse deri tani, të cilat qe 8 vjet nuk kanë treguar kurrfarë rezultati politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Serbisë dhe Kosovës (2011-2018). – Edhe sa vite të tjera, duhet të vazhdojë ky farë “dialogu teknik” i  shemtuar dhe i turpshëm, pa kurrfarë efekti dhe rezultati politik?!

Kufijtë territorialë shtetërorë të Serbisë dhe të Kosovës, nuk janë mexha të arave private të Vuçiqit dhe të Thaçit, që kur, dhe, si t’iu teket t’ua ngulin gurët, pa pëqimin e popullit dhe pa respektuar kushtetutën dhe të drejtën historike.

Korrigjimi ose shkëmbimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të “targave” të veturave dhe të automjeteve të tjera të Serbisë, por çështje tejet serioze dhe me peshë të rëndësishme dhe jetike për fatin e territorit, të popullit dhe të shtetit të pavarur të Kosovës, që kërkon maturi, dituri dhe largpamësi jo vetëm të dy-tre individëve, ose të dy-tri partive politike koalicioniste burokratike, por para së gjithash angazhimin maksimal të gjitha institucioneve dhe të subjekteve politiko-shoqërore (Qeveria, Kuvendi, Akademia dhe Universiteti).

-Mbase çështja kontestuese e kufijve territorialë shtetërorë të Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës  nuk mund të zgjidhet  në kuadrtin e Dialogut të Brukeslit vetëm nga dy “grupe punuese” me në krye presidentin e  Serbisë (Aleksanda Vuçiq) dhe me presidentin e Kosovës (Hashim Thaçi) pa ndërhyrjen e fuqive të mëdha të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve ballkanike.

Kuvendi, ta pengojë ngritjen e Murit të Berlinit në Veriun e Kosovës!

Nuk jemi kundër bisedimeve dhe bashkëpunimit politik me Serbinë si vend fqinjë, por kjo formë e dialogimit në  Bruksel mes Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit në Bruksel (2011-2018) nuk premton asnjë rezultat konkret të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e dëshmon edhe zvarritja tetëvjeçare e këtij dialogu të dështuar, si rrjedhim i mosnjohjes  de fakto dhe de jure të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008) nga ana e Serbisë si shtet i dikurshëm kolonialist (1912-1999).

Kjo është arsyeja kryesore pse duhet braktisur ky dialog shterp me Serbinë, sa më parë, aq më mirë dhe pa pasoja për sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kosovës. 

Ndërprerjen e këtij dialogu të dështuar tetëvjeçar, urgjentisht, duhet ta kërkojnë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Ndryshe, vazhdimi i tij, do të jetë fatal për territorin  dhe shtetin e Kosovës, sepse Beogradi zyrtar, do të bëjë çmos, që vijën e demarkacionit ta tërheqë përtej lumit Ibër, duke përfshirë gjysmën e Mitrovicës veriore, komunën e Zubin Potokut, liqenin Ujman, komunën e Zveçanit dhe atë të Leposaviqit, duke rrezikuar edhe Minerën “Trepça” me të gjitha burimet e saj nëntokësore (ari, argjend, plumb, zink e baker) si shkritoren e saj në Zveçan.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat