Sulm fizik në Kuvendin Komunal të Podujevës

Kosova

Sulm fizik në Kuvendin Komunal të Podujevës

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 11:40
Komuna e Podujevës

Mesdita e 4 dhjetorit nuk ishte e zakonshme për Arianit Shaqirin, zyrtar në komunën e Podujevës. Shaqiri që mban pozitën e zyrtarit për aktvendime, në vendin e tij të punës ishte sulmuar fizikisht nga ofiqari, Sami Ajeti. E shkak për sulmin dyshohet të ketë qenë një dokument zyrtar.

Veç deklaratës në Policinë e Kosovës, ndaj Sami Ajetit që është edhe vëllai i heroit të kombit, Ali Ajeti komuna nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese duke tentuar që gjithë ngjarja të mbetet brenda objektit të komunës.

Burimet në komunën e Podujevës kanë konfirmuar këtë.

“Po Samia është duke vazhduar punën normalisht në komunë”, ka thënë ky burim.

Ndërsa i kontaktuar, Arianit Shaqiri nuk ka dashur të komentojë këtë ngjarje. E Sami Ajeti ka mohuar të ketë qenë sulm fizik. Ajeti ka thënë se vetëm i ka hedhur dokumentet Shaqirit.

“Ka ndodhë në afekt, nuk ka qenë konfrontim. Ka qenë për një dokument zyrtar dhe jemi marrë vesh, nuk ka qenë sulm, ja kam gjuajt dokumentet hunëve”, ka thënë ai. Ai po ashtu ka shtuar se kërkesa e tij ka qenë ndryshimi i një shkronje në dokument zyrtar. “Kanë qenë dokumente zyrtare, ndërrim i një shkronje dhe nuk e ka kry punën”, ka thënë ai.

Ajeti nuk është ndaluar në Polici, por thotë se është suspenduar nga komuna. “Jo nuk jam ndalu në Policinë e Kosovës, në komunën e Podujevës jam suspenduar për një muaj deri në vendimin e ardhshëm”, ka përfunduar Ajeti. Se ka qenë sulm fizik e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e stacionit policor në Podujevë, Antigona Çitaku, ka thënë se rasti është hapur si sulm. “Po është një rast i hapur, që ka ndodhur më 4 dhjetor në orën 14:00. Dy persona punëtorë të Kuvendit Komunal pas një mosmarrëveshje rreth disa dokumenteve të tyre, njëri nga zyrtaret e sulmon tjetrin. Rasti është i hapur ndërsa ka shkuar në Prokurori”, ka thënë Çitaku.

“Viktima është A.SH., ndërsa i dyshuari është S.A.”, ka thënë gjithashtu ajo. Ka dy ditë që është kontaktuar me zyrën për informim në Komunën e Podujevës ndërsa ende nuk ka marrë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat