Lansohen edhe tre udhërrëfyes klinik për menaxhimin e sëmundjeve jo-ngjitëse

Kosova

Lansohen edhe tre udhërrëfyes klinik për menaxhimin e sëmundjeve jo-ngjitëse

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 12:00
Në emër të Ministrit Uran Ismaili dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi falënderoi SDC

Ministria e Shëndetësisë, me përkrahjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, lansoi sot tre udhërrëfyes të tjerë klinikë për Kujdesin Parësor Shëndetësor: Udhërrëfyesin për menaxhimin e Hipertensionit arterial; Udhërrëfyesin për menaxhimin e Astmës bronkiale dhe Udhërrëfyesin për menaxhimin jo-farmakologjik të sëmundjes së diabetit, ka njoftuar Ministria e Shendetësisë përmes një kumtese për media.

Në emër të Ministrit Uran Ismaili dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi falënderoi SDC që përmes Projektit të AQH-së-së për ofrim të shërbimeve të qasshme dhe cilësore në sektorin e shëndetësisë, ka ofruar përkrahjen e tyre edhe në publikimin e këtyre tre udhërrëfyesve për KPSh, sikurse edhe Qeverinë e Luksemburgut dhe UNFPA-në për mbështetjen e tyre në procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike për nivelet e tjera të Kujdesit Shëndetësor në Kosovë.

"Nevoja për udhërrëfyes dhe protokolle klinike është një nga çështjet prioritare në sektorin e shëndetësisë. Përmes procesit të përcaktuar me kritere qartë të definuara, është bërë priroritizimi i fushave për hartim të këtyre dokumenteve, me theks të veçantë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës dhe shëndetit riprodhues dhe kujdes parësor shëndetësor. Në këtë kontekst është bërë edhe adaptimi i udhërrëfyesve klinik të cilët pas hartimit nga ana e grupeve të profesionistëve shëndetësorë dhe pas procedimit nëpër të gjitha fazat e përcaktuara, janë aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë", tha Bardiqi.

Zëvendësdrejtori i SDC për Kosovë, Bernhard Soland, tha se sëmundjet jo-ngjitëse si hipertensioni dhe diabeti janë  një problem global që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e të prekurve dhe familjeve të tyre. Projekti AQH, theksoi ai, ka zhvilluar pakon e shërbimeve për diabet dhe hipertension që kanë për synim përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.

Ai tha se SDS, përmes AQH-së, ka mbështetur Këshillin Nacional për Udhërrëfyes dhe Protokolle në tre aspekte: Në ofrimin e ekspertizës për hartimin dhe implementimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve; në ofrimin e materialeve referente për udhërrëfyes e protokolle dhe në ofrimin e asistencës teknike përmes logjistikës në përfundimin dhe publikimin e tre udhërrëfyesve të lansuar sot, të cilët do të ndihmojnë edhe në referimin e sëmundjeve jo-ngjitëse brenda sistemit shëndetësor në Kosovë. Ky është një proces i vazhdueshëm, ndërsa deri sot janë aprovuar 8 (tetë) udhërrëfyes klinik prej të cilëve do të derivojnë edhe protokollet për lëmitë e caktuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat