Një 18 vjeçar i komunitetit ashkali dënohet me 7 vjet burg për 430 euro

Kosova

Një 18 vjeçar i komunitetit ashkali dënohet me 7 vjet burg për 430 euro

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 22:07
Foto ilustrim

Banorët e lagjës ku jeton 18 vjecari, i cili me një dënim tepër të rëndë, dyshojnë që djaloshi është trajtuar në mënyrë drakonike nga drejtësia vetëm pse është i komunitetit ashkali. Ata thonë se ai nuk është as fajtor bile. Media ka qëndruar sot në familjen Tahiri, dhe iu sjell rrëfimin e tyre për këtë rast.

Festa e ditëlindjes për të nuk zgjati shumë. Vetëm dy ditë pasi i kishte mbushur 18 vjet, Shenoll Tahiri nga Podujeva u vu në pranga nën dyshimin se kishte vjedhur 430 euro.

Gjithë ngjarja filloi më 10 shtator të këtij viti. Po këtë ditë, Shenolli ishte kthyer nga Serbia, ku kishte qenë duke punuar për disa javë që ta ndihmonte familjen për ta siguruar jetesën.

Por, të nesërmen ai u arrestua nga Policia e Kosovës, si një nga të dyshuarit për një grabitje që kishte ndodhur në ‘MoneyGram’ në Podujevë. Për këtë vepër, ai është gjetur fajtor nga Gjykata, dhe është dënuar me shtatë vite burg.

Ndërkohë që familjarët dhe fqinjët e tij, po thonë se e gjithë kjo iu bë atyre pasi që i përkasin komunitetit të ashkalinjëve.

Media ka qëndruar sot gjatë ditës në familjen Tahiri, të cilët kanë mohuar kategorikisht që djali i tyre mund të jetë i përfshirë në këtë grabitje.

Nëna e Shenollit, Velime Tahiri ka thënë se djali i saj nuk ka qenë i përfshirë fare në këtë grabitje. Thotë se i biri e ka pranuar fajin, vetëm pasi është detyruar nga Policia. Deklaron se i biri pas arrestimit, ka qenë i gjithi me shenja të dhunës në trup.

Ajo deklaron se në videon, e cila është përdorur në Gjykatë si dëshmi, personi që shihet duke kryer grabitjen, nuk përngjanë fare me Shenollin.

Derisa thotë se i biri është ende fëmijë, dhe më e shumta që do të mund të merrte dicka i biri, janë hekurishtet, pasi që nga shitja e tyre e sigurojnë edhe jetesën.

“Djalin e kanë marrë pa faj, se ai nuk e ka kry atë vepër hiq. Niher na thanë që i ka marrë 20 mijë euro, masnej 7 mijë euro, edhe krejt në fund tha ai pronari që janë grabitë 430 euro. Na jemi kanë në Gjykatë, edhe kur na e patën lëshu videon, djali nuk u përputhke me timin hiq. Secila nanë e njeh djalin e vet, edhe jam qu kam thanë që ky nuk është djali im. As rrobat që i ka pas veshën nuk janë kanë të tijat. Djali e ka pranu fajin prej dhunës se kur jemi shku ka qenë krejt shenja shenja që e kanë rreh”, thotë Velimja.

Velimja tregon se që bashkëshorti i ka vdekur para një viti. Shton se gjithë paratë më të cilat e sigurojnë kafshatën e gojës janë ato që marrin nga sociali, dhe nga ndonjë hekurishte që e shesin fëmijët e saj.

E me arrestimin e djalit, thotë se i ka humbur rruga në oborrr, dhe se nuk po ka nga të ia mbajë.

“Djali jem është fëmijë hala. Unë nuk mundem me thanë që se bën kurrë, hajde lakmon me marrë naj hekër a najsen, ama me hi në zyrë në 12 të ditës nuk hin tybe. Na mbesim gjallë me hekra, na jetojmë veq me një social. Na ka humb udha në oborr. Unë  jam nanë, edhe më dhimbet boll, ama nëse e ka ba, ia paftë hajrin, por nuk e ka ba”, thotë ajo.

Edhe axha i Shenollit, Ganiu thotë se nipi iu dënua pa fakte. Derisa insiston se ai nuk e ka kryer atë vepër, pasi që nuk ka qenë person që është marrë me të tilla punë.

Edhe Ganiu thotë se Shenolli është detyruar nga Policia që ta pranojë fajin. Madje, ai thotë se as kompania në të cilën është kryer grabitja, nuk e akuzon nipin e tij se e ka kryer grabitjen. Media ka kontaktuar me kompaninë në fjalë, por të njëjtit nuk iu janë përgjigjur thirrjeve.

“Djali na ka thanë që Policia e kanë rreh deri sa e kanë shti me pranu fajin. I kanë thanë ja pranoje veprën, ja kemi me ta nxjerr shpirtin, edhe kurrë rahat nuk kemi me të lanë. Edhe e kanë detyru me nënshkru”.

Njëjtë thonë edhe fqinjët e tyre. Ata mohojnë që 18 vjeçari ka vjedhur, derisa thonë se e gjithë kjo po u bëhet vetëm pasi që i përkasin komunitetit të ashkalinjëve. Ata me ngulm po kërkojnë lirimin e tij.

Për këtë tashmë kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni, përmes së cilit po kërkojnë lirimin e tij. Deri tash tregojnë se i kanë mbledhur rreth 130 nënshkrime, dhe se do të vazhdojnë të mbledhin edhe nënshkrime të tjera.

Nismën për nënshkrimin e peticioneve e kanë filluar qe dy muaj, dhe deri tash i kanë mbledh 128 nënshkrime për lirimin e tij.

Se Shenolli u dënua pa fakte e thotë edhe avokatja e tij. Avokatja e Tahirit thotë se klienti i tij u dënua pa fakte dhe se si rrjedhojë e kësaj do të ankohet në shkallën e dytë.

“I është shqiptuar dënimi prej 7 vite burg, pa fakte të mjaftueshme, ndërkohë në një video-xhirim që prezantohet si provë nuk dëgjohet asnjë zë dhe as në dukje nuk ngjason në klientin tim”, ka thënë për media avokatja.

Ndërkohë, që në Stacionin e Policisë në Podujevë nuk janë deklaruar ende për këtë rast. /Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat