INFRAKOS vazhdon djegien e qymyrit përkundër vendimit të qeverisë

Kosova

INFRAKOS vazhdon djegien e qymyrit përkundër vendimit të qeverisë

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 11:05
Pamje nga video

Gjatë muajit gusht të këtij viti, Ministria e Arsimit e ndaloi përdorimin e qymyrit për ngrohje në të gjitha shkollat e Kosovës me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së ambientit.

Tre muaj pas këtij vendimit, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrit të Ambientit ka marr vendim të ndaloj në të gjitha institucionet publike qendrore  e lokale përdorimin e qymyrit për ngrohje.

Por, këtë vendim të Qeverisë ndërmarrja publike INFRAKOS nuk e ka marrë parasysh.

Ekipi i Kallxo, në afërsi të  objektit të ndërmarrjes publike INFRAKOS ka gjetur qymyr të shkarkuar, dhe një sasi të hirit në afërsi të këtij qymyri.

Se ky qymyr përdoret nga INFRAKOS e kanë pranuar edhe vetë zyrtarët e kësaj Ndërmarrje Publike.

Rafet Çitaku, drejtor për marrëdhënie me publikun ka thënë për Kallxo se qymyrin e përdorin herë pas here, kur kanë mungesë të naftës, edhe pse këtë e kanë të ndaluar me vendim të qeverisë.

“Duke pasur parasysh edhe vështirësitë financiare që neve na kanë përcjellë kohëve të fundit, jo vetëm neve por edhe “Tranikos”, ne herë pas here kemi mbetur të pa furnizuar me naftë, dhe jemi detyruar që në këto temperatura të ulëta që të marrim edhe qymyr që ta kemi rezervë”, ka thënë Çitaku.

Çitaku  ka treguar se janë informuar për vendimin e Qeverisë i cili jua ndalon përdorimin e qymyrit, por sipas tij kushtet financiare i detyrojnë të përdorin qymyrin për ngrohje.

“Po jemi informuar ditë më parë, në fakt ne mundohemi që me përkushtim sa më të madh ta shmangim përdorimin e qymyrit por këto janë kushtet që në mungesa të karburantit për ta përdor kaldajën për ngrohje ne detyrohemi që ta përdorim përndryshe na pamundësohet ardhja dhe hapja e kësaj drejtorie”, tha Çitaku.

INFRAKOS është zotuar që këto  ditë do të mundohen të përdorin sa më pak qymyr për ngrohje, por nuk kanë thënë se do të ndalojnë tërësisht përdorimin e tij, sipas vendimit të Qeverisë.

“Ne do të mundohemi këto ditë që sa më tepër ta përdorim dhe të furnizohemi me naftë dhe të kemi edhe një garancion edhe nga operatori TRAINKOS, nga të cilët furnizohemi, përndryshe herë pas here ne detyrohemi ta përdorim edhe qymyrin”, ka përfunduar Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat