Hamiti: Rreziku për vazhdimin e radikalizmit varet nga doktrina e shoqërisë te të gjitha fetë

Kosova

Hamiti: Rreziku për vazhdimin e radikalizmit varet nga doktrina e shoqërisë te të gjitha fetë

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 21:24
Ilustrim

Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë thotë se psikologët nuk janë të nevojshëm vetëm për personat të cilët janë kthyer nga luftërat si nga Siria e Iraku.

Në një hulumtim të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ekipi ka vërejtur se të rikthyerit nga luftërat e huaja kanë probleme prej më të ndryshmeve.

Kjo për shkak se komunat të cilat janë prekur më së shumti nga shkuarja e qytetarëve të tyre në luftërat e huaja, nuk kanë projekte të veçanta e vija buxhetore për të trajtuar si duhet të rikthyerit.

Hanit të Elezit i mungojnë punëtorët e psikologët nëpër Qendra për Punë Sociale, e Kaçaniku është një nga komunat nga e cila shumë qytetarë të Kosovës iu bashkëngjitën luftës në Siri dhe Irak.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” gjatë këtij muaji shfaqi dy hulumtime të cilat tregonin rrëfimet e të rikthyerve nga luftërat e huaja dhe jetën e tyre në Kosovë pas rikthimit.

Xhabir Hamiti nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë (SPRC), thotë për “Gazetën Jeta në Kosovë”, se rolin kryesor për të parandaluar shkuarjen në luftërat e huaja e ka institucioni i Bashkësisë Islame.

E për këtë, Hamiti ka një arsyetim.

“Bashkësia Islame i prin udhëheqjes shpirtërore të besimtarëve, rolin kryesor në këtë segment e luan dhe mund ta luajë dhe duhet ta luajë institucioni i Bashkësisë Islame, i cili duhet të jetë më aktiv në shoqëri dhe sidomos përmes xhamive që t’i vetëdijesojnë besimtarët që të mos bien pre e doktrinave të verbra”, ka thënë për “Gazetën JnK”, Xhabir Hamiti.

Sipas tij, një psikolog i përgjithshëm nuk mund të kryejë punë për të trajtuar një të rikthyer nga luftërat e huaja.

Hamiti mendon se personat të cilët merren me trajtimin e radikalizmit duhet të kenë trajnime përkatëse dhe njohuri se si duhet vepruar me radikalizëm.

“Shumë prej psikologëve më herët nuk janë përballuar me një problematikë të tillë. Psikologët duhet të kenë një trajnim të veçantë që të merren enkas me këtë problematikë, pasi që nëse shkon një psikolog i përgjithshëm do ta ketë problem të merret me këtë rast, sepse nuk mundet me shku një psikolog laik me u marrë me një të indoktrinuar në aspektin fetar apo ideologjie fetare të caktuar për me rikthy ose me ndryshu bindjen e tij”, tregon Hamiti, duke shtuar se Qeveria e Kosovës në këtë rast, ose edhe institucionet arsimore, duhet të merren me çështjet e vetëdijesimit dhe trajtimit të të rikthyerve apo edhe personave të tjerë që kanë bindje të njëjta për luftërat e huaja.

Ajo që preferon Hamiti është vendosja e psikologëve nëpër të gjitha shkollat.

Kjo sipas tij do t’u ndihmonte fëmijëve në përgjithësi.

“Unë mendoj se psikologët mungojnë në të gjitha shkollat në përgjithësi, jo vetëm për trajtimin e të kthyerve nga luftërat e huaja. Mungojnë psikologë në shkolla të përgjithshme dhe kjo është një ankesë e përditshme nga terreni që kemi pasur në takime të ndryshme nëpër komuna. Duhet të rregullohet, duhet të adresohet problemi ku është dhe me këtë të merren institucionet, pra t’i aktivizojnë sidomos për këtë çështje”, thotë Hamiti për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Sipas tij, psikologët duhet të jenë të arsimuar dhe duhet të kenë njohuri se çfarë duhet vepruar me fëmijë të tillë, nëse ka të tillë të cilët akoma vazhdojnë të mbesin peng i një interpretimi devijues fetar.

Në njërin nga rrëfimet e shfaqura në “Drejtësia në Kosovë”, njëri nga të akuzuarit në rastin “Badovci”, Fehmi Musa tregon se si para disa muajve është arrestuar nga Policia, siç pretendon ai për shkak të dukjes së tij.

Musa rrëfen se ditën kur po mbahej në Prishtinë “Parada e Krenarisë” kishte dalë në qendër të kryeqytetit.

Ai thotë se ishte paragjykuar nga qytetarë të shumtë në bazë të pamjes së tij.

Edhe për këtë çështje Xhabir Hamiti nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë thotë se në Kosovë ka ende stigmatizim ndaj personave të cilët kanë marrë pjesë ose janë rikthyer nga luftërat e huaja.

“Sigurisht që ka sidomos në viset rurale ku banorët janë pakicë dhe e njohin njëri-tjetrin. Në viset ku ka pakicë ka të kthyer nga luftërat dhe kur janë kthyer kanë hasur në vështirësi të stigmatizimit dhe kthimit në normalitet”, tregon Hamiti për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Sipas Xhabir Hamitit, janë organet lokale ato që do të duhej të punojnë më shumë në drejtim të paragjykimeve.

“Organet lokale ku ka të kthyer nga këto vende duhet të punojnë më shumë dhe nuk duhet t’i stigmatizojnë sepse shumica e tyre kanë rënë pre e propagandave të një agjenture të jashtme dhe nuk kanë qenë në dijeni se ku janë duke shkuar apo çfarë po bëjnë. Nëse janë kthyer edhe janë penduar sigurisht që ata duhet të jenë pjesë normale e shoqërisë sonë”, tha Hamiti për “Gazetën JnK”.

Hamiti tregon edhe për zhvillimin e një jete normale pas rikthimit të personave që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja.

“Varet nga forma dhe shkalla e indoktrinimit. Nëse ata vazhdojnë të besojnë në atë që janë indoktrinuar më herët dhe mendojnë se duhet të vazhdojnë veprimet ekstreme atëherë sigurisht që duhet një punë e gjatë me ta dhe nuk është e thjeshtë ose lehtë që ata të kthehen dhe socializohen me shoqëri por kjo nuk është e pamundur”, thotë Hamiti.

Sipas Xhabir Hamitit, rreziku për vazhdimin e radikalizmit varet nga doktrina e shoqërisë te të gjitha fetë.

“Unë e shoh problem doktrinën, në shoqëri tek të gjitha fetë. Një indoktrinim i verbër, të elementeve të ngjyrosura me fe ato janë të rrezikshme. E kemi ne për shembull edhe satanizmin, edhe disa besime të tjera të cilat njerzit besojnë një vijë të caktuar në formë të verbër e jo racionale”, shtoi ai.

Sipas Hamitit, duhet krijuar një besim racional dhe jo emocional.

“E shoh që njerëzit nuk merren me vetëdijesimin dhe bërjen e dallimit mes fesë objektive, racionale dhe asaj joracionale, doktrinës së devijuar. Mund të ketë përçarje edhe në të ardhmen. Unë e shoh problem jo vetëm aktin terrorit por edhe doktrinën e cila mund të shpërndahet e ngjyrosur me elemente fetare e cila mund të shpërndahet ngjashëm sikurse një sëmundje virus dhe më pas është e vështirë me u marrë me të”, thotë në fund Hamiti nga Qendra Kërkimore për Politikën e Sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat