Viktimat e dhunës mbesin pa strehë natën e Vitit të Ri

Kosova

Viktimat e dhunës mbesin pa strehë natën e Vitit të Ri

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 14:19
Ilustrim

Qendrat që ofrojnë strehim për gratë dhe fëmijët të cilët kanë qenë viktima të dhunës në familje të hënen do të mbyllen.

Këto qendra do të jenë jashtë funksionit nga dita e hënë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Drejtoresha e strehimores në Pejë, Ardita Bala, e cila konfirmoi se nga e hëna strehimoret në disa qendra komunale të Kosovës do të jenë jashtë funksionit në mungesë të buxhetit.

“Nga e hëna do të mbyllen strehimoret, jemi munduar gjatë gjithë vitit që mos me na ndodh kjo, në të gjitha strehimoret kemi gra, të cilat nuk kanë kujdes tjetër, e kemi pasë kontratën prej majit e deri në fund të dhjetorit, nga e hëna nuk e di cka kemi me bo, edhe punëtoreve nuk mundem me ju thanë me punu pa të holla e në anën tjetër janë rreth 50 gra që nuk kanë ku me shku”, deklaroi drejtoresha e Strehimores në Pejë.

Njëjtë u deklarua edhe drejtoresha e Stehimores në Gjilan, Nazife Jonuzi.

Ajo për kallxo tha se Strehimorja në këtë qytet është në prag të mbylljes për shkak të mungesës së kushteve financiare.

“Po jemi në prag të mbylljes, Qeveria nuk po bën asgjë në mbështetjen e këtyre grave, nuk e dimë a ka me pasë buxhet për vitin që po vjen, ne kemi licencë, por nuk e dimë cka do të ndodhë nga e hëna pasi në këtë datë neve na skadon kontrata”, ka thënë Jonuzi.

Gjatë ditës së djeshme kryetar i komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku përmes një publikimi në Facebook ka thënë se problemi i mbështetjes financiare për Strehimoret është zgjidhur dje në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

“Mbuluam gjithë shpenzimet vjetore të 11 qendrave strehimore në Kosovë që strehojnë mbi 400 gra e fëmijë në nevojë. Vitin e kaluar këto qendra ishin mbyllur në mungesë të mjeteve financiare; ky problem s’është më” ka shkruar Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat