Lumenjtë e Kosovës, të ndotur

Kosova

Lumenjtë e Kosovës, të ndotur

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Dikur të njohur për pastërtinë, bukurinë dhe atraksionin në peshkim lumenjtë e Kosovës sot janë shndërruar në ricikluesin më të madh të kanalizimeve.

Një hulumtim i Gazeta Jeta në Kosovë tregon se  lumenjtë më të mëdhenj të vendit janë duke u ndotur nga ujërat e zeza të qyteteve si Prishtina, Fushë Kosova, Prizreni, Malisheva etj.

Pamjet nga lumenjtë Sitnica, Lumbardhi, Mirusha, Toplluha, Drini i Bardh, Ereniku, Krena, Stanishorka, Morava nuk u ngjajnë më rrjedhave normale të lumenjve.

Mbi 7 miliardë njerëz në botë çdo vit u japin lumenjve ndotjen më të madhe që ata mund ta kenë.

Sasia dhe cilësia e ujërave mbetet sfida kryesore globale e shekullit 21 e sigurisht kujdesi dhe trajtimi i ujërave të zeza në Kosovë është i vogël.

Këto ujëra të ndotura derdhen në të gjithë lumenjtë e Kosovës e lumi më i ndotur sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është lumi Sitnica.

Pjesa më e madhe e lumenjve të Kosovës janë lumenj sezonal që varen kryesisht nga reshjet atmosferike, prandaj gjatë verës atëherë kur edhe kërkesat për ujë rriten, prurjet e lumenjve janë minimale.

Drejtori i Departamentit të Ujërave në MMPH, Gani Berisha, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se ndotja e lumenjve nga ujërat e zeza është më e madhe gjatë verës për shkak të thatësisë dhe prurjeve të vogla në lumenj.

“Gjatë dimrit kemi ndotje më të vogël të ujërave për shkak të reshjeve të shiut e borës dhe densitetit të lumenjve ndërsa ndotja më e madhe e këtyre lumenjve është gjatë verës për shkak të thatësisë”, ka thënë Berisha.

Ai ka treguar se tashmë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në projektet e tyre kanë prioritet ndërtimin e kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza.

Berisha po ashtu ka shtuar se ka qenë sfidë e Qeverisë parandalimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për shkak të mundësisë buxhetore.

“Lumenjtë tonë për shkak të sasisë jo të madhe të ujit janë shndërruar në bartës ose kolektor i ujërave të zeza. Momentalisht jemi në fazën e ndërtimit të impianteve në qendrat më të mëdha të Kosovës për trajtimin e këtyre ujërave dhe kur të përfundohet ky projekt shpresojmë se do ta kemi një gjendje më të mirë të këtyre ujërave”, ka treguar Berisha.

Ujërat e zeza të komunës së Malishevës derdhen në lumenjtë Mirusha e Toplluha, ndërkaq kjo komunë ende nuk ka një impiant për trajtimin e këtyre ujërave.
Sipas zëdhënësit, Artan Paçarizi, kjo komunë është dukë bërë përpjekje për ndërtimin e dy impianteve, në fshatin Bubël dhe Pagarushë.

“Jemi duke bërë maksimumin për gjetjen e donatorëve për ndërtimin e tyre, pasi kostoja e ndërtimin të impianteve është shumë e lartë”, ka thënë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe zyrtarë të Komunës së Prizrenit e shohin problematike derdhjen e ujërave të zeza në Lumbardh e Drin, ndonëse kjo komunë ka përfunduar fazën e parë të projektit për kolektimin e ujërave të zeza.

Zëdhënësi i kësaj komune, Lis Dorambari, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo komunë  ka 39 pika shkarkuese të ujërave të zeza.

“Në qytetin e Prizren janë gjithsej 39 pika shkarkuese të sistemit të kanalizimit, pellgu jugor i qytetit të Prizrenit, ujërat e zeza i shkarkon fillimisht në lumin Lumbardh e pastaj përmes Lumbardhit në Drinin e Bardhë. Në këtë vit sapo ka përfunduar faza e parë e projektit për kolektimin e ujërave të zeza, ku është ndërtuar kolektori kryesor në rrugën unazore ana e majtë e Lumbardhit, i cili mënjanon 7 pika shkarkuese të cilat janë derdhur direkt në Lumbardh, pasi që të funksionalizohet i tërë projekti këto ujëra do të trajtohen në impiantin në Vlashnje, , që do të ketë fillimisht kapacitet për mbulimin e 50 mijë banorëve, ndërsa më pas me investime shtesë do të mund të mbulojë edhe gjithë komunën”, ka treguar Dorambari.

Në po këta lumenj, Lumbardh dhe Drin, derdhen edhe ujërat e zeza të Komunës së Pejës.

Shef i kabinetit në Komunën e Pejës, Durim Sheremeti, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se trajtimi i kësaj problematike është shqetësim dhe prioritet në katër vjeçarin e ardhshëm.

“Peja nuk ka impiant funksional. Por, as trajtimi i ujërave të zeza në çfarëdo forme, nuk po bëhet tash për tash. Komuna e Pejës tashmë është përfituese e një donacioni jashtëzakonisht të lartë, vlera e të cilit është diku rreth 22 milionë euro nga KfW, Seko Zvicerane, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Pejës. Kemi një projekt të përbashkët, për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në afërsi të fshatit Gorazhdec, ku do të mbulohen rreth 60 për qind e ujërave të zeza të cilat shkojnë nëpër zona urbane apo në qytet. Gjithashtu, kemi edhe projekte të cilat e mbulojnë zonën e Rugovës dhe të Terstenikut”, ka treguar Sheremeti.

Situata njëjtë edhe në Komunën e Suharekës.

Drejtori për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjencë në këtë komunë, Enver Shabani, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se janë duke bërë përpjekje që të kenë një impiant në vitet në vijim duke mos treguar për kohën se kur do ta kenë.

“Ujërat e zeza derdhen nëpër lumenjtë e fshatrave dhe të gjitha bashkohen në Lumin Toplluha. Ne nuk kemi impiant funksional, ndërsa po planifikojmë që të kemi një të tillë në vitet në vijim”, ka treguar Shabani.

Lumi Erenik dhe Krena po “thithin” të gjithë ujërat e zeza të Komunës së Gjakovës, ndonëse kjo komunë ka dy impiante funksionale me kapacitet prej 5480 banorëve.
Sentona Macula, zyrtare e lartë për raportim dhe informim në Komunë e Gjakovës ka treguar gjendjen e ujërave të zeza në këtë komunë.
“Derdhja e ujërave të zeza në Komunën e Gjakovës ka daljen në lumenjtë Erenik dhe Krena.
Impiantet funksionale të ujërave të zeza në Komunën e Gjakovës gjenden në Marmull që ka kapacitet 480 banorë dhe në Skivijan që ka kapacitet për 5000 banorë”, ka thënë Macula për Gazetën Jeta në Kosovë.

Valbona Tahiri, drejtoreshë për zhvillim ekonomik në Komunën e Gjilanit ka treguar se derdhja e ujërave të zeza në këtë komunë përshkon lumenjtë Stanishorka, Morava dhe Mirusha.

Edhe pse kjo komunë nuk ka ende impiant funksional ajo thotë se në vitin 2019 do të fillojë puna për ndërtimin e një impianti.

“Ndërtimi i impiantit me infrastrukturë përcjellëse pritet te fillojë në vitin 2019 dhe do të përfundojë në vitin 2022, ndërsa kapaciteti i tij do të jetë për 76,000 banorë.  Ky projekt do të realizohet përmes kredisë së butë nga BERZH dhe BEI, ndërsa marrëveshja për kredi pritet të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë së Financave dhe BERZH gjatë çerekut të parë të vitit 2019”, ka treguar Tahiri.

Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në raportin e publikuar në vitin 2015 “Kadastri i ndotësve të ujërave” ka dalë se rritja e vazhdueshme e kërkesave për ujë, ushqim dhe energji, shkarkimet e vazhdueshme të mbeturinave në lumenj dhe deponitë jo sanitare si dhe ndryshimet klimatike janë tregues për gjendjen e keqe të lumenjve të Kosovës.

“Rrjedhojë e këtyre shkaqeve sot në botë 2/3 e popullsisë kanë strese në furnizim me ujë. Nëse kësaj i shtohet mungesa e një strategjie kombëtare, keq menaxhimi dhe shpërdorimi i ujit si në rastin tonë atëherë çështja ashpërsohet edhe më shumë”, thuhet në raport.

Po ashtu dy grupet që mbajnë primatin e ndotësve më të mëdhenj janë ndotësit kolektiv dhe individual.

“Ndotësit kolektiv, të cilët synohen nga projekti janë të gjithë ata ndotës kolektiv apo vendbanime që kanë mbi 50 shtëpi dhe kanë kanalizim të organizuar apo gropa septike të përbashkëta. Ndotësit individual apo Operatorët Ekonomik që synohen nga projekti janë kryesisht ata operatorë që janë ndotës potencial më të mëdhenj si ata industrial, bujqësorë, varreza makinash/hekurishte apo pastrues kimik të mëdhenj”, thuhet më tej në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat